Posted by: ekolevizja | June 6, 2017

Trump – Si dhe pse doli nga marrëveshja e Parisit

Nga: Agim Dalipi

“Koncepti i ngrohjes globale u krijua nga dhe për kinezët në mënyrë që prodhimi i SHBA të mos konkurojë.” Trump , 6 nëntor 2016 .

Kjo që pritej ndodhi: Trump mbajti fjalën për premtimin që kishte bërë gjatë fushatës elektorale për një tërheqje totale nga marrëveshja për klimën. Kjo erdhi pas një debati që praktikisht ndau më dysh edhe Shtëpinë e Bardhë, ku dhe e bija e Trump ishte kundër . Por pas debatit fitoi linja e konservatorëve të kryesuar nga Scott Pruitt, politikani që bëri karrierë në korporatat e naftës dhe u emërua nga Trump në krye të Agjensisë Mjedisore të SHBA (EPA) dhe nga Steve Bannon që e quajnë strategu i ultra të djathtës. Të humbur në këtë debat dolën Gary Cohn, ish drejtor ekzekutiv i Goldman Sachs që mban postin e kreut të ekspertëve ekonomikë në Shtëpinë e Bardhë dhe sekretari i shtetit Rex Tillerson i cili ka qënë drejtor në kolosin e naftës Exxon mobil (që ka përkrahur respektimin e marrëveshjes për klimën ). Edhe Elon Musk, numëri një i Tesla-s ka kërcënuar që do të dalë nga stafi presidencial që merret me ndryshimet klimatike. Po ashtu edhe një pjesë e mirë e botës së sipërmarrësve të mëdhej nga Wall Street te Silicon Valley, Apple e Microsoft, nuk e pranonin daljen nga marrëveshja përfshirë dhe gjigandët e naftës si Chevron e Bp.

Kështu, SHBA bëhet vendi i tretë nga gjithë shtetet e botës ( me Sirinë e Nikaraguan ) që nuk bëjnë pjesë nga marrëveshja historike e Parisit të përbërë nga 195 vende .
Trump deklaroi se : “ Marrëveshja e Parisit, negociuar nga Obama na imponon objektiva jo realistë për Shtetet e Bashkuara në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë duke lënë shtete si Kina një lejekalimi për vite të tëra. Jam gati të rinegocioj për një marrëveshje të re. Nëse ja dalim do të jetë gjë e madhe, nëse jo përndryshe durim “.
Trump paraqiti njw arsyetim të mbushur me shifra, që tregon dhe natyrën e tij prej biznesmeni. Ai tha se :”termat e marrëveshjes së Parisit përbëjnë disavantazh ekonomik për SHBA. Tani është e qartë pse vendet e tjera kur firmosën ishin euforikë. Është një marrëveshje që ndëshkon Amerikën dhe pak ka të bëjë me klimën dhe shumë më tepër me avantazhet ekonomike që përfitojnë të tjerët nga SHBA”. Ai dha shembuj duke mbështetur idenë se kombet e tjera, në veçanti Kina, India por dhe Evropa “mund të vazhdojnë të ndërtojnë impiante me qymyr ndërsa ne nuk mund ta bëjmë këtë gjë “. Theksoi edhe se nëse SHBA do të vinin në jetë objektivat e marrëveshjes, ekonomia amerikane do të humbiste tre mijë miliardë dollarë nga prodhimi i brendshëm në dhjetëvjeçarin e ardhshëm dhe se qëllimi i tij ishte që rritja ekonomike të arrihej që vitin e ardhshëm në 3-4%.

Në njoftimin e tij ai u angazhua që SHBA nën administratën e tij do të jetë “vendi më i pastër dhe mjedisor në botë, do të kemi ajër më të pastër, ujë më të pastër, do të jemi ekologjistë por nuk do ti nxjerrim nga tregu ndërmarrjet tona “.
Por cili është shkaku i daljes së SHBA nga marrëveshja e Parisit që , midis të tjerave ka dhe një klauzolë që saktëson se dalja nga marrëveshja mund të bëhet jo më parë se 3 vjet nga vënia e saj në fuqi ( nëntor 2016). Për të gjithë është e qartë : sllogani i tij America first-Amerika e para , pra arësyetimi është i thjeshtë : nuk prekim mirëqënien e Amerikës . “American Dream”(Endrra Amerikane) nuk u ndërtua pa punë e pa energji. Eshtë meritë e popullit amerikan, por dhe e qeverive të tij. Këtë nuk e ve askush në diskutim.Niveli i lartë i jetesës u arrit me mund e sakrifica dhe u takon ta gëzojnë ata që e vendosën Amerikën në krye të shteteve të tjera. Por ky nivel, kërkon një sasi energjie shumë të madhe për të qëndruar atje ku është e akoma më tepër për t’u zhvilluar më tej, me ritmet me të cilat janë mësuar amerikanët.Boll të përmëndim se 1000 familje amerikane shfrytëzojnë energji, sa për 3200 familje europiane.Të mos harrojmë se Europa është edhe vetë e përparuar.Për të mos përmendur që mbi 2 miliardë njerëz në botë nuk kanë akses në energji elektrike .

Nga i vjen energjia Amerikës ? Në vend të parë ( sipas US Energy Generation-shkurt 2017) vjen nga gazi natyror e nafta me rreth 34% të prodhimit të energjisë elektrike , qymyri me rreth 30% , energjia bërthamore 20% dhe vetëm 15% energji e rinovueshme ( hidrocentrale , diellore , eolike etj..). Vlen për tu theksuar se 91% e qymyrit të nxjerrë shkon për prodhimin e enrgjisë elektrike . Një nga vendimet e para marrë nga administrata Trump ishte zhbllokimi i Keysonte Xl, naftësjellësi nga Kanadaja që do të transportojë 800 mijë fuçi në ditë në rafineritë e Teksasit e Luizianës në jug dhe të bllokuar nga administrata Obama për impaktin e madh mjedisor që shkaktonte në krahasim me përfitimet e pakta që do të ketë dhe numurin e vogël të të punësuarve . Po ashtu nga nxjerrja e naftës do të provokohej emetim i ndotjes gjë që e shtyu John Kerry-n të deklaronte atehere (2015) : “Po ta ndërtojmë do të minojë besueshmërinë tonë si udhëheqës në luftën kundër ndryshimeve klimatike “. Dhe tani jo vetëm që do të ndërtohet ai ( por do të ndërtohen edhe të tjerë )

Administrata e Trump-it ka deklaruar se do të hiqen limitet e emetimit të gazeve serrë të vendosura nga Obama me ligjin Clean Air Pakt , madje do ta abrogojë dhe atë ligj duke bërë të ekzaltohej J. Gerard, president i American Petroleum Institute: “Jemi të lumtur të konstatojmë se rruga e re e administratës e njeh rëndësinë e infrastrukturës energjetike “ nga që Trump deklaroi “Me mua merr fund lufta ndaj qymyrit e do ti vemë minatorët në punë “ paçka se qymyri është ndotësi më i madh i ajrit dhe Clean Air Pakt parashikonte reduktimin me 32% të ndotjes nga centralet me qymyr . Kjo për të rritur pavarësinë energjetike të Amerikës dhe për të krijuar mijra vende pune “të bëra tym” ( shprehje e tij ), nga agjenda e gjelbër e Obamës . Ndërsa për ambientalistët që e kanë kundërshtuar projektin , Trump , gjatë fushatës , disa ditë para zgjedhjes së tij deklaronte se “Ambientalistët kanë dalë jashtë kontrollit “.
Sa për energjinë e rinovueshme ka një histori edhe me presidentët e Ameriokës . Në 2010 Barack Obama vendosi të instaloheshin në Shtëpinë e Bardhë panele diellore dhe i vuri . Por nuk ishte ai i pari që bëri këtë gjë . Aty , ishin vendosur panele të tilla që më parë (1979- 32 panele ) nga presidenti Karter të cilat pas dy vjetësh u hoqën nga pasardhësi i tij R. Regan dhe u vendosën në një kafeteri të kolegjit Maine .

Të gjitha veprimet e Trump kanë në thelb slloganin e tij të ri : “Make America first Again- Ta bëjmë Amerikën përsëri të paren “ . Me këtë do të thotë se prioritet i tij do të jetë rritja e mirëqënies së qytetarëve edhe shtimi i vendeve të punë . Këtu , sipas filozofit dhe filologut amerikan Noam Çomski (Chomskey) dhe të tjerë e ka rrënjën politika proteksioniste , izolacioniste dhe antiglobalizmi i tij që e largojnë Amerikën nga një përvojë më se tridhjetë vjeçare . Këto janë vënë re që nga kërkesa që vendet e NATO-s të paguajnë më tepër gjë që vështirësoi marëdhëniet e tij me Merkel dhe drejtues e të tjerë evropianë ; nga sanksionet për industrinë e automobilëve që do të instalonin uzinat në Meksië kur SHBA me Ford , Crysler, Shevrolete e të tjerë gjigantë të prodhimit të automobilëve janë vendosur prej kohësh në Evropë ; nga “lufta e ftohtë” ekonomike me Kinën (dhe jo vetëm ) për ndalimin e eksporteve të saj në SHBA ndërsa në 2016 eksporti i SHBA në vendet e botës ishte 2.2 trilion dollarë në mallra dhe shërbime dhe vjen pas Kinës (1.3 miliardë njerëz ) dhe Bashkimit Evropian.

Vendimi i Trump për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për klimën ka ngjallur si asnjëherë më parë një reagim në unison të të gjithë botës : “një gabim i madh” u deklarua nga Bashkimi Evropian e Kina në një deklaratë të përbashket; Putin tha :
“ Mund ta evitonte daljen nga marrëveshja “ ; Belgjika -“akt brutal kundër mjedisit” ; Vatikani u shpreh – “një katastrofë për planetin dhe një shembëël i keq për vendet e tjera” ; 28 shtete e shumë qytete amerikane kanë sfiduar Trump dhe kanë krijuar një lëvizjeje për të mbrojtur dhe vënë në jëtë marrëveshjen .
Merkel – “nuk do tja arrijë të ndalojë ne të gjithë që ndjehemi të detyruar të mbrojmë planetin “ e deri te presidenti i ri i Francës që perifrazoi slloganin e Trump-
“ Ta bëjmë planetin të madh përsëri”. Ndërsa nga politika jonë qeveritare e partiake nuk ka dalë ndonjë gjë e re pavarësisht se e kemi firmosur dhe ne Marrëveshjen e Parisit . Siç duket i kanë zënë ethet elektorale dhe nuk duan të prishen me mikun e madh .

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: