Posted by: ekolevizja | April 9, 2015

Incineratori ne Elbasan katapultohet duke shkelur 3 ligje

Nga Rita Strakosha

impiati-landfilli-ne-elbasan-3

 

 

 

 

 

 

Pa u përhapur ende mirë lajmi se do të ndërtohet një incinerator (impiant për djegjen e mbeturinave) në Elbasan, punimet për ndërtimin e tij filluan e tabela me informacionin për projektin është nxjerrë në sheshin e punimeve.Incineratori u aprovua me negocim, pa tender me oferta, me pretendimin se situata e mbetjeve në Elbasan është emergjente. Sikur në Elbasan të kishte ndodhur ndonjë aksident industrial, e ndotja e papritur nuk priste për tenderin me oferta. Ndotja në Elbasan është problematike prej vitesh, disa muaj më shumë apo më pak nuk do të kishin bërë diferencë. Tenderi me negocim kur nuk ka emergjencë është në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike, siç ka vërejtur dhe Agjensia e Prokurimeve Publike në kontrollet e saj të bëra së fundmi.

12 milion euro do të investohen nga qeveria në këtë projekt, kurse 9.5 milion euro nga Albtek Energy shpk. Albtek Energy shpk, operatori privat, do të punojë impiantin për 7 vjet dhe do të shesë energjinë e impiantit 2.5 Më për llogari të vet. Kjo sipas marrëveshjes së konçesionit të publikuar në fletoren zyrtare nr. 202, viti 2014.

Nga një verifikim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit del se kompania Alb-Tek sh.p.k. është krijuar vetëm 5 muaj para shpalljes nga qeveria të marrëveshjes së konçesionit, me ortake të vetme e administratore Znj. Stela Gugallja, e se ka vetëm 100,000 lek kapital të regjistruar, kur do të investojë 9 milion euro. Duket se pas kësaj kompanie qëndron kompania Energy Recuperator, Itali, me administrator Z. Ernesto Granelli.

Në mungesë të tenderit me oferta, nuk do të dimë se çfarë teknologjish me më pak ndotje mund të ishin përdorur për incineratorin, dhe çfarë kostoje më të lirë (ose më të shtrenjtë) mund të kishte incineratori.

Ndërkohë ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve detyron bashkitë që të grumbullojnë në mënyrë të diferencuar dhe të riciklojnë mbetjet, nëse kjo është teknikisht dhe ekonomikisht e mundur, brenda vitit 2018. Në hierarkinë e trajtimit të mbetjeve, riciklimi ka prioritet ndaj incinerimit sipas ligjit. Këtë e shpreh dhe strategjia e BE-së për përdorimin efiçent të burimeve, e cila deklaron se në incineratorë do të duhet të përfundojnë vetëm mbetjet e pariciklueshme dhe të pakompostueshme.

Por marrëveshja e konçesionit detyron shtetin që të përjashtojë nga përdorimi dhe përpunimi i mbetjeve të qarkut të Elbasanit çdo operator tjetër përveç incineratorit. Në Elbasan aktualisht kryhet riciklim i mbetjeve plastike nga mbledhësit informalë romë, çka tregon se riciklimi në Elbasan është ekonomik. Gjithashtu, mbetjet e biodegradueshme kanë më shumë vlerë ekonomike dhe ekologjike si pleh organik, se sa si burim energjie për incineratorë. Por jo, këto mbetje në vend që të riciklohen do të shkojnë në incinerator, do të shtojnë dhe më shumë ndotjen e ajrit të Elbasanit.

Kapaciteti i incineratorit është për 120-140 tonë mbetje në ditë, kapacitet i mjaftueshëm për të djegur gjithë mbetjet e djegshme të qytetit të Elbasanit, madje dhe të qyteteve përreth. Kur pas 7 vitesh impianti të kalojë në pronësi të shtetit, riciklimi nga bashkitë dhe nga bizneset private do të ketë ulur ndjeshëm rrymën e mbetjeve për incineratorin, dhe do të nxjerrë një pjesë të mirë të kapacitetit të tij jashtë përdorimit. Ka interes shteti të investojë në kapacitete të panevojshme?

Sa me nxitim ju dha konçesioni Albtekut, po me aq nxitim filluan dhe punimet. Incineratori duhet të kalojë nëpër një proçedurë të konsultimit me komunitetet lokale të zonës, pastaj duhet të marrë një deklaratë mjedisore nga Ministri i Mjedisit, dhe pas kësaj mund të fillohet ndërtimi. Komisioni i Ministrisë së Mjedisit ka aprovuar projektin për të kaluar në proçedurën e thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, proçedurë e cila përfshin detyrimisht këshillimin me komunitetet lokale (sipas ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis). Aq më tepër që në vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis të incineratorit (I aksesueshëm në faqen e Internetit të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit) pranohet se do të ketë kundërshtime nga komunitetet lokale. Këshillime me komunitetet lokale dhe shoqatat mjedisore të Elbasanit nuk janë bërë, sipas mjedisorit elbasanas Ahmet Mehmeti. Fillimi i punimeve e bën ndërtimin e incineratorit fakt të kryer, duke shkelur ligjin dhe autonominë e organeve vendore. Propozimi para disa vitesh i ndërtimit të një incineratori në Fier u shoqërua me kundërshtime të mëdha në shoqërinë civile dhe media. Qeveria siç duket mësoi nga pësimi i kaluar, dhe po e ndërton incineratorin me goditje rrufe. Kostot ekonomike dhe mjedisore të kësaj do i paguajnë qytetarët e thjeshtë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: