Posted by: ekolevizja | March 13, 2015

Premtimet mjedisore të Bashkisë së Tiranës e si u mbajtën ato

Nga Lëvizja “Mjaft”

Lista e premtimeve mbi mjedisin për mandatin 4-vjeçar 2011-2015 për Bashkinë e Tiranës:

  • Qytetarët e Tiranës do të jetojnë në një prej qyteteve më të pastra në Europë.

Premtimi: Kryetari i Bashkisë së Tiranës premtoi se nëpërmjet implementimit të projekteve mbi sistemimin e trafikut, ngritjes së parkingjeve nëntokësore, modernizimin e transportit publik duke investuar ne ngritjen e tramvajit, por edhe krijimin e infrastrukturës për korsitë e biçikletave, kryeqyteti do të ishte një prej qyteteve më të pastra në Europë.

Fakti: Duke marrë parasysh realizimin apo mos realizimin e një sërë premtimesh të cilat lidhen me këtë pikë, vihet re se Tirana ngelet akoma në nivele jo të kënaqëshme përsa i përket ndotjes së ajrit. Kështu bazuar mbi monitorimin e cilësisë së ajrit sipas stacioneve të ISHP, nëpërmjet një aplikacioni të mbështetur nga GIZ, i cili gjendet në ueb-in e Bashkisë së Tiranës1 , niveli i ndotjes së lartë në parametrin PM dëshmon mosrealizimin e këtij premtimi. Edhe pse parametrat e ndotjes së ajrit janë brënda normave të lejuara nga BE, ato janë largë objektivit për të patur një prej qyteteve më të pastër në Europë. Madje në disa raste normat e PM 2.5 rritja e së cilës vjen si pasojë e: rritjes së aktiviteteve industriale, rritjes së numrit të automjeteve apo i kohës që ato shpenzojnë në rrugë, rritjes së qarkullimit të automjeteve të vjetra ose me emetime të larta gazrash, arrin deri në limitet maksimale të lejueshmërisë. Një tregues tjetër është edhe norma e lartë e NO2 (dioksidit të azotit) i cili shpesh herë është më i lartë se normat e lejuara europiane. Si konkluzion, në bazë të elementëve faktikë ky premtim mbetet i parealizuar.

  • Mbetjet në të gjitha zonat e qytetit, do të vendosen kontenierë të mëdhenj e të vegjël, dhe do të zbrazen dy herë në ditë.

Premtimi: Në përmbushje të zotimit se brënda mandatit qytetarët do të gëzojnë një qytet të pastër, Z. Basha premtoi se do të vendosen konteinerë të mëdhenj e të vegjël, ku do të grumbullohen e largohen mbetjet e hedhurinat në të gjitha zonat e qytetit, do të zbrazen dy herë në ditë mbetjet në të gjitha zonat e Tiranës e do të pastrohen rrugët dhe sheshet me makineri moderne.

Fakti: Në fakt premtimi i mësipërm është praktika e cila ka ekzistuar pergjatë viteve të fundit në Bashkinë e Tiranës për grumbullimin e mbetjeve. Kjo praktikë nuk ka ndryshuar dhe është konsoliduar më tej ndër vite duke mos krijuar neglizhencë në pastrimin e mbetjeve të qytetit. Edhe pse premtimi nuk ka patur si synim promovimin e një praktike e cila nuk zhvillohej në Bashkinë e Tiranës, si konkluzion mund të themi se ky premtim është i realizuar

  • Do të ketë teknika të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve, ndarja në tre kazanë mbetje plastike, mbetje qelqi dhe mbetje letre, me qellim rritjen e shkallës së riciklimit.

Premtimi: Shërbimi i kryer nga operatorët do të monitorohet me rreptësi, duke përfshirë në monitorim qytetarët dhe bizneset krahas sensibilizimit dhe edukimit të vazhdueshëm për “Një Tiranë të Pastër”. Sistemi i diferencuar i grumbullimit të mbetjeve do të mbështetet nga kapacitete të zgjeruara të trajtimit të mbetjeve në të gjithë metropolin e Tiranës, bazuar në modele miqësore me mjedisin, përfshirë riciklimin, duke kontribuar kështu si në pastërtinë e qytetit ashtu edhe në neutralizimin e kësaj “bombe” mjedisore, e deri në krijimin e mundësive për aktivitete ricikluese.

Fakti: Edhe pse në vitin 2011 pushteti qëndror miratoi ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, nëprëmjet të cilit ngrihej kuadri ligjor për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, Bashkia e Tiranës nuk e ka implementuar diçka të tillë. Nga vëzhgimi në terren nuk është e vështirë për të provuar se teknika për gumbullimin e diferencuar të mbejteve nuk po aplikohet. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka akorduar rreth 150 mijë dollarë përë këtë projekt, sëbashku me fondin prej 500 mijë dollarë për studimin e fizibilitetit nga Banka Botërorë, sërisht Z. Basha ka akuzuar Ministrin e Financave për bllokimin e kësaj nisme. Si konkluzion ky premtim konsiderohet i parealizuar. 

  • Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por do të përpunohen.

Premtimi: Në takimin elektoral të datës 22 prill 2011 me banorët e zonës së Bregut të Lumit, kryebashkiaku Basha garantoi se: “ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por ato do të përpunohen si në çdo kryeqendër tjetër europiane”. Nëpërmjet këtij premtimi kolektorët nuk do të derdhen direkt në lumë, por ujërat e zeza do të përpunohen.

Fakti: Për këtë premtim Bashkia e Tiranës në bilancin e saj të punës deklaroi se projekti i Bashkisë parashikon zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e hapësirave të gjelbra në të dy anët e tij, përmes argjinaturave do të bëhet mbrojtja e zonave urbane nga rreziku i përmbytjeve, sikundër në të dy anët e lumit janë ndërtuar kolektorë për mbledhjen e ujërave të zeza, me qëllim që ato të mos derdhen më në lumë. Ky premtim ka ngelur në kuadër të një premtimi të thjeshtë elektoral pasi përgjatë katër viteve është harruar nga administrata vendore. Ndërkohë që Kryebashkiaku Lulëzim Basha e justifikon faktin e mos përfundimit të projektit me bllokimin të fondeve nga pushteti qëndror. Për më tepër banorët e kësaj zone janë gjetur të përmbytyr disa herë për shkak të kushteve të keqija atmosferike, por edhe mungesës së investimeve të premtuara. Kështu ky premtim konsiderohet i parealizuar.

  • Do të dyfishohen hapësirat me gjelbërim.

Premtimi: Më datë 22.04.2012 në Ditën Ndërkombëtare të Tokës Z. Basha shprehu angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të dyfishuar në katër vitet e ardhshme gjelbërimin në Tiranë.

Fakti: Për të dyfishuar hapësirat me gjelbërim për kryeqytetin nuk mjafton ndërhyrja në çdo hapësirë ekzistuese. Kështu ky premtim lidhet ngushtë me ndërtimin e Parkut të Ri të Madh, parkut të Paskuqanit në veri të Tiranës. Më ndërtimin e kësaj hapësire synohej edhe dyfishimi në shifra i hapësirave me gjelbërim. Por për sa më poshtë, ku është analizuar veçanërisht edhe premtimi për Parkun e Ri të Madh, mospërmbushja e të cilit e bën të pamundur në terma praktikë dhe real dyfishimin e hapësirave me gjelbërim. Kështu premtimi konsiderohet i parealizuar. 

 

6.7 Do të shpëtohen nga prishja apo zënia e ndërtimeve, si dhe do rehabilitohen e sipërfaqeve te gjelbra ekzistuese.

6.8 Do të ndërtohen parqe të reja dhe zona argëtuese në shumë nga zonat e qytetit ku ekzistojnë ende hapësira të lira.

6.9 Do të kushtëzohen ndërtimet në mënyrë që të gjithë të shfrytëzojnë sa me shumë çdo mundësi për shtim të gjelbërimit dhe mjediseve çlodhëse e argëtuese, kulturore e sportive.

Premtimi: Në fushatën elektorale Z. Basha u zotua nëpërmjet një sërë premtimesh se Bashkia do të angazhohet në shpëtimin e sipërfaqeve të gjelbra ekzistuese. Sipas tij qytetarët do të kenë mundësi të pushojnë e të argëtohen në parqe të reja dhe zona apo qendra argëtuese në shumë nga zonat e qytetit ku ekzistojnë ende hapësira të lira. Angazhimi i tij kryesor ishte se do të ndalonte dhe kushtëzonte ndërtimet e reja në mënryrë që çdo hapësirë e lirë të përdoret për ndërtimin e parqeve të reja. Të treja premtimet e mësipërme përbëjnë paketën e premtimeve të Z. Basha për rekreacion.

Fakti: Por në kontraditë me çfarë ai kishte premtuar, Z. Basha miratoi ndërtimin e xhamisë së re në parkun e Namazgjasë. Në planin e tij fillestar ishin parashikuar të ndërtoheshin edhe dy godina 9-katëshe, por ato nuk u lejuan të përfshihen në planin përfundimtar pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Dhënia e parkut të Namazgjasë për ndërtimin e një objekti fetar nuk e justifikon tjetërsimin e një mjedisi rekreativ dhe të gjelbër, për më tepër që Z. Basha miratoi edhe lejen e ngritjes së ndërtesave shumë katëshe krahas xhamisë. Gjithashtu pas miratimit të planit rregullues ishte parashikuar që të zhdukej edhe hapësira e gjelbër pas Pallatit të Kulturës. Në plan ishte parashikuar që aty të ndërtohen godina shumëkatëshe, si dhe godina banimi 9-katëshe. Një tjetër park që humbiste me miratimin e planit rregullues ishte Parku i Aviacionit ku parashikohet që kjo hapësirë e gjelbërt të kthehet në një qëndër tregtare. Duke vazhduar më tej, as Parku i Liqenit Artificial nuk i ka shpëtuar ndërtimeve të reja. Nëpërmjet planit rregullues përreth këtij parku ishin parashikuar ngritja e godinave të banimit deri në 9 katë. Por Bashkia ka shkuar më tej ku ka miratuar leje ndërtimi për një godinë 17-katëshe buzë liqenit. Ndërkohë vetëm në përfundim të mandatit Bashkia është kujtuar për të nisur projekte komunitare, ku qytetarët të investojnë dhe të ruajnë hapësirat midis pallateve për rekreacion. Si përfundim duket se Z. Basha është dorëzuar nga premtimet e tij për shtimin e hapësirave të gjelbërta në Tiranë, ku edhe në ato pjesë të qytetit ky ekzistojnë akoma po përdoren për të ngritur pallate të reja. Sa për hapësira të reja Bashkia nuk ka menduar fare këtë mandat, pasi në objektivat e saj edhe në planin rregullues, këto janë parashikuar jashtë territorit të Bashkisë dhe jo siç kishte premtuar. Në konkluzion premtimet e mësipërme konsiderohen të parealizuara. 

  • Do të ndërtohet Parku tjetër i Madh i Tiranës.

Premtimi: Me anë të angazhimit të Bashkisë në investimet publike, qytetarët e Tiranës shumë shpejt do të përfitojnë kapacitetet çlodhëse dhe argëtuese të parkut tjetër të madh të Tiranës. Ky premtim lidhet ngushtësisht me premtimet e tjera në ndërtimin e Bulevardit të Ri.

Fakti: Duke qënë se puna për ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore është bllokuar tashmë, Z. Basha ja ka faturuar mos realizimin e këtij premtimi pushtetit qëndror. Por në fakt përgjatë këtyre viteve nga Bashkia e Tiranës nuk është ndërmarrë asnjë hap për nisjen e punimeve për parkun e ri, pasi fillimisht duhet të kishte mbaruar ndërtimi i Bulevardit të Ri, e më pas në bashkëpunim me komunën e Paskuqanit të fillohej ndërtimi për këtë premtim. Kështu ky premtim mbetet i parealizuar. 

  • Do të rehabilitohet Parkut i Dajtit.

Premtimi: Rehablitimi i Parkut të Dajtit, si dhe të ngritjes së zonave të mëdha të gjelbërta, çlodhëse dhe argëtuese në territoret e bashkive e komunave fqinje, përbën shtyllën e premtimeve të Z. Basha për shtimin e hapësirave të gjelbërta.

Fakti: Përgjatë kërkimit për informacion nëse premtimi i mësipërm është realizuar, vihet re se nuk ka asnjë të dhënë si në media apo edhe nga Bashkia e Tiranës. Ky premtim ka ngelur thjesht në letër dhe për asnjë moment Bashkia nuk ka marrë hapa të mëtejshëm për zhvillimin e projekteve të cilët do të adresonin realizimin e premtimit. Në konkluzion ky premtim mbetet i parealizuar. 

  • Do të ndërtohet Korridori Rekreativ i Lumit të Tiranës.

Premtimi: Në kuadër të ndërtimit të Bulevardit të Ri, dhe Unazës së Madhe, synohej që zona e Lumi i Tiranës e cila prekej nga këto projekte, të transformohej nga një katastrofë e ndotjes ekologjike, në një korridor rekreativ.

Fakti: Ashtu si edhe premtimet e mëdha infrastrukturore për këtë zonë, ndërtimi i korridorit rekreativ të Lumit të Tiranës ka ngelur i parealizuar. Në përfundim të mandatit ky premtim nuk është adresuar asnjë ditë nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që gjëndja e zonës është po e njëjtë. Ky premtim mbetet i parealizuar.

 

  • Do i jepet përparësi trotuareve, korsive për transportit urban dhe biçikletave dhe do të bëhen përshtatjet për nevojat e individëve me aftësi të kufizuara.

Premtimi: Premtimi i mësipërm synon të ndihmojë zhvillimin e transportit publik dhe përdorimit të biçikletave për të ndihmuar uljen e nivelit të përdorimit të automjeteve. Gjithashtu kërkohet të arrihet edhe niveli i duhur i përshtatjes së infrastrukturës për nevojat e individëve me aftësi të kufizuara.

Fakti: Korsitë e mirëfillta të transportit urban janë akoma një mangësi për qytetin e Tiranës. Në vende të ndryshme të linjave publike janë parashikuar korsitë për mjetet e transportit publik, por edhe vetë drejtuesit e këtyre mjeteve nuk i respketojnë. Ndërkohë që në jo pak raste në këto korsi kalojnë edhe mjetet e tjera të cilat e kanë të ndaluar lëvizjen. Korsitë e biçikletave, përveç atyre në Sheshin Skënderbej dhe Bulevardin e Tiranës përbëjnë një mangësi tjetër në infrastrukturën publike. Grupe interesi madje zhvillojnë protesta të përjavshme në Tiranë duke kërkuar investime në ngritjen e rrjetit të korsive për biçikleta. Rrjedhimisht premtimi i mësipërm mund të konsiderohet i parealizuar.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: