Posted by: ekolevizja | March 2, 2015

Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës – në fokus lumi Vjosë (artikulli i zgjeruar)

Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës – në fokus lumi Vjosë[1]

Nga Prof. A. Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës. Tel.: 068.2707208; e-mail: mihoaleko@yahoo.com; aleko.miho@fshn.edu.al

 

Ky shkrim merr shkas nga shqetësimi i mjedisorëve evropianë dhe vendas për kërcënimet hidroenergjetike ndaj lumenjve të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, ku ndër ta lumi Vjosë ka vëmendje të veçantë. Lumenjtë e Ballkanit konsiderohen sot si Zemra Blu e Evropës, për gjendjen e tyre natyrore të ruajtur më mirë se pjesa tjetër e gjithë kontinentit, për larminë e habitateve dhe të llojeve bimore dhe shtazore që strehojnë. Shqetësimi qëndron në rrezikun që i kërcënon ndërtimi i mbi 2000 digave, përhapur gjerë në gjithë Ballkanin, që për mendimin tim duket se është i mjaft i nxituar, i mbështetur më shumë në interesa të çastit dhe aspak miqësor me mjedisin. Në këtë mënyrë, organizma joqeveritare ndërkombëtare mjedisore me emër kanë ndjekur nga afër dhe kanë mbështetur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për vlerësimin dhe mbrojtjen e natyrës, të biodiversitetit, përfshirë këtu edhe lumenjtë, duke bashkëpunuar edhe me organizma qeveritare dhe joqeveritare në secilin vend të rajonit.

Për lexuesin shqiptar të interesuar mendoj se mbeten burimi i mirë informacioni: studimi hidromorfologjik dhe i gjendjes natyrore të lumenjve të Ballkanit, të kryer nga EURONATUR & RIVERWATCH (2013) (http://www.euronatur.org/Save-the-Blue-Heart-of-Europe.1641.0.html), si dhe studimi mbi ruajtjen e vlerave të lumenjve të Harkut Dinarik të Evropës Jugperëndimore nga WWF (2014) (http://awsassets.panda.org/downloads/rivers_lifelines_of_the_dinaric_arc.pdf). Vlen të thuhet se këto studime janë hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë përkatës vendas në gjithë rajonin, përfshirë dhe ekspertët shqiptarë.

Për të mbrojtur Zemrën Blu të Evropës, ka filluar me kohë nisma që i kundërvihet drejtpërdrejt projekteve të ndërtimit të digave. Kjo synon t’i bëjë lumenjtë e Ballkanit ‘të famshëm’ në nivel ndërkombëtar; të vendosë një bashkëveprim sinergjik, duke e mbajtur çështjen ‘në zjarr’ për BE-në; të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për këto thesare të Ballkanit, duke mbështetur edhe nismat në nivel kombëtar. Për t’iu kundërvënë ‘vizionit të digave’ po përpunohet një vizion pozitiv, i cili ka të bëjë me shpalljen e zonave të mbrojtura, si Parqe Kombëtare, Rezervë Biosfere etj., mbështetur kjo në rrjetin Natura 2000/Emerald, ndihmuar edhe nga Konventa e Biodiversitetit (CBD), e miratuar tashmë nga gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë.

Për rëndësinë e kësaj nisme jo vetëm për lumenjtë, por për gjithë zhvillimin e vendit, unë dëshiroj t’i bëj asaj jehonë në vend, duke u bashkuar dhe plotësuar më tej me të dhëna nga përvoja ime në vite me lumenjtë shqiptarë. Me këtë rast dua të shpreh ndër të tjera edhe mbështetjen time për të gjithë ata që pësuan përmbytje në këtë fillim Shkurti jo vetëm në zonën e Vjosës, por edhe gjetkë. Fryma e këtij shkrimi është edhe për ata, madje pikërisht për ata që janë banorë të përhershëm në gjithë zonat e përmendura këtu, mund të jenë bashkëveprues, por dhe përfitues nga një rrugë zhvillimi ndryshe. Nga ana tjetër, dëshiroj të shpreh përgëzim dhe mirënjohje për të gjithë ato institucione qeveritare, qendrore apo vendore, individë qeveritarë dhe privatë që ndoqën nga afër gjendjen, që u gjendën pranë, ndihmuan dhe mbështetën banorët e përmbytur për të zbutur pasojat.

Harta e HEC-eve ne Ballkan 

Figura 1: Përhapja e HEC-eve në Ballkan; ekzistuesit me të zezë; në ndërtim e sipër me të verdhë; planifikuar për t’u ndërtuar me të kuqe. Madhësia e rrethit është në përpjesëtim me fuqinë e prodhimit (Burimi: http://riverwatch.eu/en/balkan-rivers). 

Lumenjtë e Ballkanit – Zemra Blu e Evropës

Sipas burimeve të sipërpërmendura, në gjithë rajonin e Ballkanit ka mbi 34’000 kilometra rrjedhash lumore, ku rreth 3100 km i përkasin Shqipërisë; rreth 1/3  e tyre është në gjendje gati natyrore, thuajse të paprekur, e cila në vende si Shqipëria shkon deri në 70%. Për këtë lumenjtë e Ballkanit përbëjnë ‘pika të nxehta’ biodiversiteti, me rëndësi jetike jo vetëm për secilin vend përkatës në rajon, por për gjithë Evropën. Lumenjtë e Ballkanit strehojnë afërsisht 30% të llojeve të peshqve të kërcënuar dhe mbi 50% të llojeve të molusqeve të kërcënuar për ujërat e ëmbla  të Evropës. Rreth 75% e këtyre llojeve të peshqve dhe 70% e llojeve të molusqeve janë shumë të ndjeshëm ndër të tjera nga ndërtimi i digave dhe shfrytëzimi për hidroenergjetikë, i përhapur si epidemi në dhjetë vitet e fundit në gjithë Ballkanin. Informacioni është se në Ballkan janë planifikuar për ndërtim mbi 2000 diga të reja për HECe; rreth 90% e tyre kërcënojnë deri në shkatërrim vlerat ekologjike të këtyre rrjedhave lumore; mbi 600 prej tyre janë planifikuar brenda Parqeve Kombëtare dhe zonave të tjera të mbrojtura, si në Vjosë, Lurë ose Shebenik (në Shqipëri), në Parkun Kombëtar të Mavrovës (Maqedoni), apo përgjatë lumit Sava (në Kroaci dhe Slloveni).

Janë këto fakte që kanë tërhequr vëmendjen dhe rritur shqetësimin e specialistëve të mjedisit në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar; interesim ka pasur edhe në mjetet e informimit, si të shkruar dhe atë pamore, brenda vendit dhe jashtë. Falë kësaj trysnie, peticionit të organizuar në kuadrin e nismës së Zemrës Blu (me mbi 100 mijë firma), ka të dhëna të freskëta se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bllokuar fondet për ndërtimin e dy HEC-eve në Parkun Kombëtar të Mavrovos (Maqedoni).

Lumenjtë shqiptarë – gjendja dhe kërcënimet

Shqipëria është e pasur me lumenj pak a shumë të paprekur, disa prej të cilëve mjaft të rrallë për Evropën. Janë mbi 152 lumenj dhe përrenj të vegjël që formojnë 8 lumenj të mëdhenj Buna, Drini, Mati, Ishmi, Erzeni, Shkumbini, Semani dhe Vjosa, që rrjedhin nga juglindja drejt veriperëndimit në bregdetin Adriatik (gjithsej 3118 km). Veçanërisht në lindje, në zonën malore, lumenjtë janë të rrëmbyer dhe gërryes, me potencial të lartë hidroenergjitik, kurse në pjesën perëndimore janë të qetë dhe me shtrat të gjerë.

Nga vlerësimet e bëra nga specialistët gjendja natyrore dhe vlerat e biodiversitetit të lumenjve shqiptarë mendohet të jetë ndër më të lartat në Ballkan. Kjo përkon edhe me vlerësime të cilësisë biologjike të bëra prej nesh gjatë periudhës 2012-2013, ku rreth 80% e stacioneve lumore të shtrirë thuajse në gjithë territorin shqiptar i përkasin cilësisë ‘mirë’ ose ‘shumë mirë’, në përputhje kjo edhe me kërkesat e Rrjetit Evropian të Ujërave (WFD, 2000). Duke mbivendosur vlerësimin hidrometeorologjik të gjithë rrjedhjeve lumore dhe hapësirat e mbrojtura ekzistuese në Shqipëri, kryer nga EURONATUR & RIVERWATCH (2013), mund të arrihet në përfundim se rreth 2200 km rrjedhje lumore (mbi 70%) në vend kanë shkallë të lartë ruajtje, gati të paprekura, duke përfaqësuar zona ligatinore apo delta të rëndësishme; edhe pjesa tjetër e lumenjve rreth 520 km (afërsisht 20%) mbetet përsëri me gjendje ruajtje të lartë, pak apo mesatarisht e prekur.

Pavarësisht nga kjo gjendje e mirë natyrore në dukje e lumenjve mund të pohohet se ndikimi i njeriut nuk duket se ka qenë i pakët dhe miqësor në vite; por kjo trysni është shtuar dukshëm në 10 vitet e fundit në fushatën hidroenergjetike të shtrirë në çdo skaj të vendit, me ndërtim digash, kanalesh apo tunelesh devijuese. Në Shqipëri janë sot në funksion rreth 100 HEC-e, prodhimi i të cilëve për periudhën 2000-2013 ka mbuluar mesatarisht rreth 70% të konsumit vjetor të gjithë vendit (INSTAT), me luhatje nga rreth 50% në 2007 deri në rreth 90% në 2010. Ndërkohë janë në pritje për t’u ndërtuar mbi 430 HEC-e, ku mbi 290 leje janë dhënë tashmë (2007-2013), të përhapura gjeografikisht në gjithë vendin, ku mbi 80 prej tyre prekin zona lumore me shkallë shumë të lartë ruajtje. Vlen të thuhet gjithsesi se ka informacion që një pjesë nga këto leje janë shfuqizuar nga qeveria e sotme, gjë për të cilën e përgëzojmë; megjithatë, gjendja mbetet përsëri shqetësuese.

Për këtë arsye, në qendër të vëmendjes së shqetësimit hidro-energjetik qëndrojnë padyshim lumenjtë shqiptarë, dhe veçanërisht lumi Vjosë, me të drejtë i quajtur lumë i egër. Arsyeja është se këtu përfshihet ajo pjesë e vendit që është ajka e natyrës sonë, e cila kishte mbetur ende pa prekur nga dora barbare e njeriut. Lejet e dhëna për shfrytëzim janë shtrirë deri dhe në zona të shpallura më parë si të mbrojtura, në kundërshtim jo vetëm me aktet ligjore në vend, por dhe me aktet dhe detyrimet ndërkombëtare për zonat e mbrojtura.

Ja konkretisht disa shembuj: Mjedisorët dhe më pas qeveria e kanë shpallur grykën e Çajës në Kukës si gjeomonument, kjo për vlerat e rralla, jo më për Shqipërinë, por për gjithë rajonin, me shkëmbinjtë e vjetër, por edhe me florën dhe faunën e rrallë; në këto rrethana, do ishte vështirë deri në marri që një dorë njeriu të mund të firmoste për ta shfrytëzuar këtë për HEC, por dhe për inerte për ndërtim, ashtu si ka ndodhur. Lura njihet shumë herët për mrekullinë e natyrës së saj, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin, për liqenet, për florën dhe faunën e rrallë që strehon, dhe pikërisht për këtë është shpallur herët Park Kombëtar; për çudi dhe për ironinë e mendësisë së çastit, gjithë pyjet e Parkut janë masakruar në vitet e tranzicionit nga motosharrat, dhe kjo e gjitha nën sytë e drejtuesve të pushtetit vendor; sikur të mos mjaftonte kjo, ujërat e liqenit të Zi merren me një kanal, ndër të tjera mjaft të shëmtuar dhe aspak miqësor me vlerat natyrore të kësaj zone të mbrojtur, dhe dërgohen në një HEC poshtë (deri tani në ndërtim 2 HEC-e në zonë!). Kush e ka vizituar liqenin e Zi, Valikardh, Bulqizë, në shpatin verior të malit të Lopës (1800 m mbi nivelin e detit), nuk mund të mos jetë mrekulluar me bukurinë e tij, ndër të tjera i shpallur për vlerat e rralla si hidromonument; edhe ky nuk është kursyer për t’u shfrytëzuar për HEC.

Pa u zgjatur, le të zbresim në pellgun e Vjosës që është në fokus të shkrimit: zona e Hotovës në Përmet është shpallur herët zonë e mbrojtur për vlerat e saj natyrore dhe të biodiversitetit; vështirë të kuptohet se pse një dorë tjetër duhet të japë leje për ndërtim të dy HEC-eve në Lengaricë, si po ndodh në të vërtetë (!). Po kjo mund të thuhet për zonën e mbrojtur të Kardhiqit (lejuar deri në 6 HEC-e!). Si mundet që të lejohet betonimi dhe tunelimi në kanionet në Lengaricë, Çarshovë, Bënçë etj.?! E shprehur ndryshe, në Shqipëri ka shumë shembuj që tregojnë se një dorë nuk di se çfarë bën dora tjetër, njëra firmos të mbrohet dhe tjetra vendos të shfrytëzohet ndryshe! Vlen të kujtojmë se pasojat e para nuk kanë munguar të shfaqen me tharje të ndonjë burimi te llixhat e Bënjës, me dëmtime në ndonjë shpellë karstike në Lengaricë (të njohura edhe për vlerat parahistorike).

Gryka e Çajës_Kukës

Figura 2: Gryka e Çajës në Kukës, dikur e shpallur si gjeomonument, për vlerat e rralla, për shkëmbinjtë e vjetër, por edhe me florën dhe faunën e rrallë, sot përdoret për inerte dhe për HEC (Foto: A. Miho; Prill, 2013).

 

Vjosa  – lumë i egër në Evropë: kërcënimet

Nga studimet e bëra si nga WWF (2014) dhe EURONATURE & RIVERWATCH (2013), lumi Vjosë është veçuar ndër lumenjtë shqiptarë. Vjosa është ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, me gjatësi prej 272 km dhe sipërfaqe pellgu 6700 km2, ku 4365 km2 i përkasin Shqipërisë dhe pjesa që mbetet Greqisë. Lumi buron nga malet Pindos në Greqi; brenda territorit shqiptar mbledh ujërat edhe nga malet e Shqipërisë, përshkon disa rrethe (Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë) dhe përfundon në detin Adriatik afër lagunës së Nartës, Vlorë. Degët kryesore janë Sarandoporo (Greqi), Drino dhe Shushica (Shqipëri), por në të bashkohen edhe shumë degë të tjera më të vogla. Në Vjosë përfundojnë edhe shumë burime, si ato të Grykës së Këlcyrës, Ujit të Ftohtë (Tepelenë), Libohovës, Viroit (Gjirokastër), Poçemit, shumë prej tyre të famshme në gjithë vendin për ujin e pijshëm në shishe.

Lugina e Vjoses_Çarshovë

Figura 3: Pamje e luginës së Vjosës në Çarshovë (Foto: A. Miho; Qershor, 2005).

Të dhënat hidrologjike tregojnë se mesatarja e prurjeve shumëvjeçarë për Vjosën është 195 m3/s, që luhatet nga 33 m3/s deri në 237.6 m3/s, ku 84% e prurjeve rrjedhin gjatë periudhës së lagësht (dimër – pranverë). Sipas shkrimit të specialistit  A. Meçaj, pellgu i Vjosës karakterizohet nga prurje më të mëdha se ato të lumenjve të tjerë shqiptarë (p.sh. Drinit); për Vjosën, prurjet llogaritëse janë (Probabilitet %/Prurje llogaritëse m3/sek): 1%/6’680 m3/s; 2%/5’570 m3/s; 5%/5040 m3/s; Gjirokastra njihet nga hidrologët si zona me intensitetit më të lartë të reshjeve në Shqipëri, deri 1500 mm/vit (në basenin e Drinit deri në 1200 mm/v, kurse Drini + Buna në 1461 mm/v); ndërkohë studimet e karakterizojnë pellgun e Vjosës me koeficient rrjedhshmërie rreth 60% (pra 40% shi që bie përthithet nga toka, kurse 60% shkon në lumë), në pellgun e Drinit ky koeficient shkon në rreth 65%, kurse Mati e ka rreth 75%; kjo sepse baseni ujëmbledhës i Vjosës është tepër i madh dhe shumë i zhveshur, si dhe me prani të njëkohshme të reshjeve të vrullshme në gjithë hapësirën e pellgut; kujtojmë se dëmtimi i mbulesës bimore, prerjet e pyjeve ndikojnë në rritjen e përqindjes së ujërave që rrjedhin në lumë; të gjitha këto, dhe mungesë masash miqësore brenda pellgut, për mirëmbajtjen e argjinaturave dhe gjithë sistemit kullues, prita lumore, pyllëzime, si dhe ndërhyrje të pa studiuara me ndërtimet (rrugë, vendbanime) etj., i bëjnë të pashmangshme përmbytjet nga lumenjtë, përfshirë dhe Vjosën. (http://www.libohovaonline.com/shkencerisht-eshte-e-sigurte-vjosa-te-permbyte-perseri/)

Vjosa është ndër lumenjtë e rrallë të Evropës që është i pa ndërprerë me diga nga burimi e deri në grykëderdhje në det. Për këtë, me të drejtë konsiderohet lumë i egër dhe sot kërkohet të mbrohet si i tillë, të mos ndërpritet nga digat dhe të shoqërohet zhvillimi ndryshe me masa mbrojtëse dhe ripërtëritëse, duke e shpallur Park Kombëtar lumor. Këto janë dëshirat që vijnë nga organizmat ndërkombëtare në kuadrin e nismës për Zemrën Blu, të cilat kanë gjetur mbështetje edhe nga organizma joqeveritare vendore nën drejtimin e qendrës mjedisore EcoAlbania (http://ecoalbania.org), por dhe të pushtetit vendor, medias vendase dhe ndërkombëtare, por dhe të shumë interesuarve të tjerë për mjedisin në vend. Mund të lexoni për këtë shkrimet përkatëse për Vjosën në gazetat me emër, atë gjermane Der Schpiegel (13.01.2014) dhe në atë angleze The Guardian (20.02.2015). Të shqetësuar janë edhe gjithë palët vendore dhe më gjerë, shprehur në disa nga takimet e organizuara në zonë, si në Çarshovë, Përmet, Tepelenë, Qesarat e gjetkë.

Sipas një studimi për vlerësimin e potencialit hidroenergjitik, të përfunduar në vitin 1990, mbi lumin Vjosë përcaktohen 8 HEC-e me kapacitet të përgjithshëm 500 MW, ndërsa energjia elektrike e prodhuar vlerësohet në 2.2 TWh. Pra në planet hidroenergjetike ekziston mundësia për ndërtim deri në 8 diga gjatë gjithë rrjedhës së lumit nga Mifoli deri në Përmet. Diga e Kalivaçit është e para që ka filluar të ndërtohet (qysh në 2007); në dy vitet e fundit, punimet në kantierin e digës janë ndërprerë (në nivelin 30%). Sot rrjedha e Vjosës është ende e lirë – por edhe për sa kohë? Diga e Kalivaçit do të ndalojë e para rrahjet e zemrës blu të gjithë ekosistemit, duke ndërprerë korridorin e lirë ujor nga malet deri në Detin Adriatik. Për më tepër në degët lumore anësore e të Vjosës janë dhënë leje ndërtimi apo janë ndërtuar tashmë mbi 20 HEC-e (disa i përmendëm më sipër), të cilët së bashku janë trysni shtesë mbi vlerat natyrore, të biodiversitetit dhe të zhvillimit të turizmit në zonë.

Në një koment të bërë poshtë këtij shkrimi te gazeta Shekulli nga një lexues me emër IFC ka dy pohime, të cilave dëshiroj t’ju jap përgjigje:

-‘Janë planifikuar HEC-e me diga të vogla dhe runoff (mbledhje shirash – shënimi im). Në këtë mënyrë, ruhet ambienti, habitatet dhe ka zhvillim social të rajonit.’ Të gjitha HEC-et e përmendura këtu dhe të tjerë si këta të ndërtuar në zona natyrore të rëndësishme apo zona të mbrojtura nuk janë aspak në përputhje me kontrollin e reshjeve; ne kemi ndërtuar shumë diga të tilla në vend (700 të tillë me sipërfaqe 10-40 ha në mbarë vendin) që kanë ndër të tjera edhe këtë qëllim; po asnjë nga këta që janë ndërtuar në këta HEC-e të vegjël 10 vjet apo janë duke u ndërtuar dhe sidomos ata që përmenda më sipër nuk janë të tillë (si në Grykën e Çajes, Lurë, Shebenik, Lebgaricë etj.); pa asnjë dyshim të gjithë këta nuk janë aspak miqësorë me ruajtjen e mjedisit; sa për zhvillimin shoqëror të rajonit e them me bindje se më shumë i dëmtojnë pamjen, vlerat natyrore dhe për rrjedhojë zhvillimin e turizmit, se i sjellin të ardhura.

-‘Pretendimet për diga të mëdha (siç kanë qenë projektet e vjetra të Instituteve apo të konsulencave si SOGREAH) kanë rënë dhe nuk mund të realizohen ashtu siç po ndodh me Kalivaçin. Çdo projekt i tillë duhet detyrimisht të shkatërrohet.’ Ky pohim më gëzon dhe i them –Të lumtë goja!

Për më tepër, në zonë nuk kanë munguar dëmtimi i pyjeve në shpatet kodrinore-malore, shfrytëzimi i tepruar për inerte në shtratin e Vjosës, Drinos dhe Shushicës dhe ndotja nga shkarkimet e ujërave të pa trajtuara. Epidemia e lumenjve duket se nuk ka kursyer as fqinjin tonë në BE, Greqinë, që pavarësisht se pjesën e sipërme të Vjosës e ka shpallur herët zonë të mbrojtur (Vikos–Aoös National Park), ka miratuar zbatimin e një plani menaxhues me qëllim devijimin e rreth 70 milionë m3/vit nga Vjosa drejt lumit Kalamas për vaditje; nuk jam në dijeni në se për këtë ka pasur ndonjë marrëveshje mirëkuptimi me Shqipërinë, në përputhje me aktet normative për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare (Konventën e Ujërave). 

Vjosa  – lumë i egër në Evropë: biodiversiteti

Ja disa fakte për vlerat e biodiversitetit të lumit Vjosë që kërcënohen nga gjithë ky zhvillim marramendës jo miqësor. Hapësira lumore shfaq larmi të madhe habitatesh dhe speciesh. Për këtë, delta e tij, laguna e Nartës dhe brezi përkatës i dunave bregdetare janë shpallur Peizazh i Mbrojtur në 2004, po në këtë mënyrë, janë zona të mbrojtura edhe pylli në Pishë Poro (Povelçë-Drazezë), zona e Hotovë-Dangëllisë, e Kardhiqit, e Sotirës e Zhejit etj. Në gjithë zonën ka me dhjetëra monumente natyrore të njohura, por shumë vlera janë ende të panjohura prej nesh, pasi jo gjithçka është e studiuar deri në fund.

Në hapësirën e pellgut gjenden lloje të rralla, endemike apo relikte, sidomos në dunat ranore dhe zonat kënetore të deltës dhe përgjatë lumit. Flora e ekosistemit të Vjosës është e pasur. Në grykëderdhjen e Vjosës ka pyje të mbjellë rreth 50 vjet më parë, ku mbizotërojnë pisha e egër dhe pishë e butë. Nënpylli sundohet nga shkurret, si mërsina, shqopa, xina dhe dëllinjat etj.; është me interes këtu prania e salepit shqiptar (Orchis albanica = Anacamptis morio), e fierit të rrallë ujor me katër gjethe (Marsilea quadrifolia) etj. Kurse në pjesët e sipërme të rrjedhjeve mund të përmenden llojet bimore Heliosperma intonsum, Silene cephallenia, Solenanthus albanicus, Gymnospermium maloi (të gjitha bimë endemike për pellgun), Crocus hadriaticus, Arbutus andrachne (subendemike) etj. Brenda pellgut rriten edhe bimë të tjera të rralla për florën e Shqipërisë, si Orobanche lavandulacea, Gagea granatelli, Galanthus reginae-olgae ssp. vernalis, Stachys sericophylla, Viola acrocerauniensis etj. Parku i Hotovë-Dangëllisë (34’300 ha) është një masiv prej i përbërë kryesisht nga bredhi i Maqedonisë (Abies borisii-regis), por edhe nga disa lloje panjash, shkozë, ilqe, dëllinja, mjedër etj. Rrjedha e mesme dhe e poshtme karakterizohet nga dushkaja të përziera. Nuk duhet harruar që zona është e famshme për bimësinë aromatike-mjekësore (sherbelën, rigonin e bardhë, çajin e malit etj.) me rëndësi të madhe ekonomike.

Vjosa përbën zonë të veçantë biodiversiteti me habitate të rëndësishme për shumë lloje peshqish shtegtarë, si ngjala dhe qefulli, lloje evropiane të kërcënuara në mënyrë kritike, krahas llojeve subendemike të peshqve, si mrena e egër e Ohrit (Cobitis ohridana) dhe mrena e Pindusit (Oxynoemacheilus pindus), në Vjosë gjejnë, gjithashtu, strehë lloje të gjinisë së blinit (Acipenser), lampreda evropiane e lumenjve (Lampetra fluviatilis), Alosa sp.; në degët anësore me ujë të pastër dhe të ftohtë gjenden troftat e egra së bashku me lundërzën. Zona bregdetare delta e Vjosës-Nartë njihet në Shqipëri si e dyta për nga rëndësia për shpendët ujorë (jepen deri 80 lloje), pas Karavastasë; kjo zonë njihet si vendi kryesor për dimërimin e disa llojeve shpendësh, si flamingot dhe çafka e Audouinit (Ichthyaetus audouinii); në zonë është përmendur dhe prania e pelikanit kaçurrel, e sjellë për lagunën e Nartës dhe nga anglezi E. Lear qysh në vitin 1948 në një nga pikturat e tij të famshme për Shqipërinë. Zona malore e pellgut të Vjosës ofron habitate për lloje shpendësh të kërcënuar, si p.sh. grabitqarët, për gjitarë të kërcënuar, si ariu i murrmë, ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj.; por përfaqësuesi tipik i parkut të Hotovës është kaprolli, të cilin mund ta shohësh në livadhe dhe lëndina në thellësi të pyllit. 

Fakte që nuk duhen harruar

Në politikat e zhvillimit të një vendi ka më shumë se kudo vend thënia popullore ’gjella me kripë dhe kripa me karar’! Me këto mendime dhe konstatime, dëshiroj të (mirë)kuptohem me gjithë ata vendimmarrës, me gjithë ata që kanë firmosur lejet mjedisore, me gjithë ata që kanë tani në dorë lejet e prodhimit apo të ndërtimit të HEC-eve, dhe me të gjithë ata që duan zhvillim të shpejtë të vendit; për këtë dua të theksoj se unë apo gjithë të tjerët që mendojnë si unë nuk jemi kundër shfrytëzimit të lumenjve për hidroenergjetikë. E kanë bërë këtë të tjerët rreth nesh, dhe ne e kemi bërë, dhe mund ta shtrijmë edhe më tej për zhvillimin tonë; në fund të fundit është një pasuri që ne e kemi edhe për këtë qëllim. Ajo që nuk shkon dhe nxit zemërimin është fakti se ne shpesh në dëshirën për t’u zhvilluar ngutemi shumë deri ku nuk mban më (!), pa marrë parasysh ligjësitë e natyrës, por dhe kërkesat e tjera, rrugët ndryshe; shkurt shpesh kapërcejmë cakun, nuk vetëpërmbahemi te kripa! Kjo bën shpesh që kjo ngutje të na kthehet mbrapsht me kosto, madje mjaft rëndë dhe e pariparueshme. Shpesh dëgjojmë të thuhet se kjo është energji e rinovueshme; po e tillë është të nderuar miq, energji që ripërtërihet! Por jo gjithmonë është energji e blertë! E shtrirë në këtë mënyrë në çdo skaj nuk është pa pasoja në mjedis, kur bëhet fjalë për kafshim të natyrës në pikat më të brishta të saj, më të mira, më me vlera natyrore, biologjike, turistike të saj.

Mendimi i përparuar thotë se të parashikosh mirë të ardhmen duhet të njohësh mirë të kaluarën. Ja disa fakte të ngutjes sonë që nuk duhen harruar, madje duhet nxjerrë mësim prej tyre. Dikur partia dha parullën ‘t’u qepemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë ato si dhe fushat’, dhe ne shpyllëzuam Shqipërinë nga jugu në veri me tarracime herë me vend dhe herë pa vend, të gjitha me aksione e vrull vullnetar rinor; nuk u ndalëm të kthejmë në tokë bujqësore edhe livadhet me trëndelinë të malit të Çajupit e gjetkë në vend (!); më pas, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, nuk kursyem as edhe ato pak pyje që kishin mbetur në Rrëshen, Pukë, Burrel e deri Lurë, i premë pa mëshirë, dhe sot vendi është në gjithë territorin e tij me erozionin më të lartë në rajon, ku ashpërsia e klimës, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës janë në rend të ditës, të gjithë jemi dëshmitarë dhe hera-herës shumë prej nesh edhe viktima të këtij pseudozhvillimi. Gjatë tranzicionit nën frymën e zhvillimit të turizmit nuk e kursyem vijën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil, e betonuam mirë, pa ruajtur asnjë kriter natyror, pa marrë parasysh ndjeshmërinë e brezit të dunave apo halorëve që rriten mbi to, pa folur pastaj për ndotjen dhe shfrenimin urban në zonën bregdetare. Të gjitha këto kanë ulur cilësinë e jetës, kanë shëmtuar dhe ulur vlerat turistike dhe ndër të tjera kanë edhe kosto shumë të lartë ripërtëritje, jo vetëm për sot, por edhe për brezat që do të vijnë.

Këshilla e fundit

Ndërkohë kam bindjen se varfëria jonë dhe etja për zhvillim të shpejtë apo edhe për pasurim në çast nuk duhet të na bëjë të mbyllim sytë ndaj vlerave të natyrës sonë. Madje mund të pohoj se ne i kemi ruajtur ato edhe kur kemi qenë shumë më të varfër se sot. Janë pikërisht, vlerat e natyrës sonë, vlerat e rralla të florës dhe faunës, lumenjtë me ujëra të pastër, pikërisht kjo Zemër Blu që bashkë edhe me vlerat e tjera të ruajtura të lashtësisë, historisë, kulturës, folklorit etj. që na bëjnë të veçantë si vend; janë këto së bashku që do të ndihmojnë të zëmë një vend të dëshiruar në familjen evropiane, të denjë, ashtu si me të vërtetë e meritojmë; dhe për këtë nuk është asnjëherë vonë dhe as pa shpresë të mbrojmë dhe ripërtërijmë gjendjen, vetëm bashkim forcash, gërshetim interesash dhe … shumë mençuri … Këshilla mbetet gjithmonë të bashkërendojmë direktivat politike të zhvillimit me fjalën e ekspertëve për ta kthyer në zhvillim të qëndrueshëm që përputh kërkesat e çastit me ato të së ardhmes; asnjëherë për këtë nuk mungon ndihma e institucioneve me përvojë dhe ekspertëve në vend dhe jashtë, sidomos sot kur shkalla e dijes dhe e shkëmbimit të informacionit është mjaft e lartë. Ndërkohë le të mësojmë edhe nga gabimet e të kaluarës, tonat po se po, por dhe të vendeve të tjera.

[1] Shkrimi u botua i pjesëm në gazetën Shekulli, dt.  23.02.1015. Megjithatë unë do të dëshiroja ta sillja sërish për lexuesit në formën e tij të plotë, mbështetur në rëndësinë që ai ka, për shembujt që sjell nga terreni për ndërtimet e HEC-eve, për këshillat që jepen në fund mbështetur në përvojën shumëvjeçare, si dhe me ndonjë plotësim apo saktësim të vogël.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: