Posted by: ekolevizja | February 5, 2015

Situata e përmbytjeve, shkaqet dhe përballja

emisioni tet a tet

Bisedë në studio: “Situata e përmbytjeve, shkaqet dhe përballja”

Momentet kyçe të bisedës në studio:

Klodian Zaimi, IGJEUM:

  • Kryesisht në basenin e lumit Vjosë për 48 orë kanë rënë ~350 mm shi, kjo është një sasi kolosale volumi uji;
  • Për shkak të ndryshimeve klimatike do të ketë përmbytje më të shpeshta dhe më të rënda në të gjithë lumenjtë tanë. Ajo përmbytje që ishte 1 herë në 100 vjet, si përmbytja e 1963, nuk është më 1 herë në 100 vjet, por është bërë 1 herë në 20 vjet;
  • Koha e ngrohtë bëri që rreshjet të bien kryesisht në formë shiu dhe jo dëbore, çka shtoi rrezikun e përmbytjeve;
  • Europa dhe bota sot është në dilemë. A duhet të investojë në mbrojtjen e zonave shumë të rrezikuara, duke ngritur argjinatura shumë të fuqishme për mbrojtje nga rreziqet që ndodhin 1 herë në 100 vjet, apo duhet të përdorë një strategji më të lehtë, ku zonat që duhen mbrojtur patjetër, ti mbrojë, kurse ato zona që mund t’ja lërë lumit, t’ja lërë lumit?
  • Shqipëria duhet të investojë në një system monitorimi dhe paralajmërimi të përmbytjeve.

 

Xhemal Mato:

Përmbytjet janë problem kompleks mjedisor:

  • Githë rërën e lumenjve e kthejmë në ndërtesa. Ngushtohen shtratet dhe bëhen shtratet me taban shumë të sheshtë, nuk amortizohet…;
  • Hidrocentralet e vegjël po ndryshojnë shtratin e lumenjve. E marrin ujin, e futin nëpër tuba dhe i japin tjetër shpejtësi kinetike dhe e nxjerrin në një drejtim tjetër nëpërmjet kanaleve me beton apo tubave; ndryshojnë rregjimin e ujit, ndryshojnë rrjedhjen e ujit;
  • Janë prerë pyjet përgjatë gjithë rrjedhës së lumenjve. Pyjet 50% të shiut e mbanin, dhe nuk arrinte dot lumi që të fryhej kaq shpejt dhe të mbyste. 20 vjet kemi prerë pyjet;
  • Ndryshimet klimatike po ashtu janë faktor;
  • Duhet të studiojmë dhe krijojmë hartat e përmbytjeve për gjithë Shqipërinë

Ing. Fitim Ballo:                                                                                                           

  • Shpyllëzimet, marrja e zhavorrit janë faktorë në përmbytje;
  • Nga ndërtimet që janë bërë në qytete ka ndryshuar koefiçenti i rrjedhjes. Kur ndryshon koefiçenti i rrjedhjes, ndryshon prurja. Ndryshon prurja, ndryshon stabiliteti, deri dhe do dalin lumenjtë;
  • 650 digat e bujqësisë nuk mirëmbahen sipas standarteve. Mund të jenë 650 diga me sahat. Ato kanë probleme stabiliteti, drenazhi, me ushqyesit, shkarkuesit, vetë skarpatat e digës;
  • Nuk ka standarte në projektimin e veprave hidroteknike se për përmbytje të çfarë përmasave dhe shpeshtësie do të projektohen. Inxhinjerët me përvojë nuk pyeten.
  • Argjinaturat janë ndërtuar para 50-60 vitesh, por janë projektuar për 25 vjet.
  • Duhen dyfishuar hidrovoret.
  • Instituti i hidreologjisë disa vite më parë ka pasur një personel shumë të madh, me 150-200 të punësuar, kurse sot gjithë departamentet e IGJEUM kanë 70 të punësuar. Ka pasur rreth 320 vendmatje të shpërndara në tërë Shqipërinë;
  • Fizibilitetin e veprave hidroteknike duhet ta bëjë shteti dhe jo bashkitë
  • Ka shpërndarje të përgjëgjësive për menaxhimin e ujërave. Me ujërat merren të gjithë, dhe asnjëri.
  • Veprat hidroteknike si digat duhet të bëhen për shumë qëllime, psh. jo vetëm për energji por dhe për bujqësi, peshkim, ujë të pijshëm etj.

Zëvendës-ministri I Bujqësisë, Z. Jani Babi

  • Janë 21 milion m3 dhera për tu hequr nga kanalet kulluese, ndërkohë që kapaciteti I bordeve të kullimit, që I menaxhon ato, është vetëm për 3 milion m3 dhera.

Artur Nura, A1 Report

Në fakt sot kisha parashikuar temë tjetër, por për shkak të situatës së përmbytjeve, kryesisht në jug të Shqipërisë, padyshim që do të trajtonim këtë zhvillim, i cili për disa ka qenë i parashikuar, për disa të tjerë i paparashikuar, dhe për të tjerë për ta përballuar situatën në ndihmë të njerëzve në nevojë. Në fakt gjatë gjithë ditës kemi ndjekur raportime nga terreni me korrespondentët tanë por dhe me drejtues të lartë të institucioneve, të cilët kanë sjellë në vëmendjen tuaj çfarë po bëhet për të përballuar situatën. Unë sot nuk dua të trajtoj vetëm përballimin e situatës, por dua të trajtoj në vëmendjen tuaj shkaqet, dhe pastaj të merremi me pasojat.

Pse ndodhemi në këtë situatë? Përse përmbytjet janë të këtij dimensioni? Sigurisht ana klimaterike është e tej paparashikuar, është e rëndë dhe ndodh shumë rrallë, por është edhe ajo çka i kemi bërë vetvetes. Kemi ndërtuar atje ku nuk duhet; kemi prishur kanalet ujitëse kur nuk është dashur dhe kur nuk është nevojitur, edhe pa asnjë arësye.

Për të interpretuar në nivel profesional shkaqet e kësaj janë ftuar në studio inxhinjer Fitim Ballo, ekspert i hidreologjisë. Juve keni folur për përmbytjet në raport me digat, kurse sot për përmbytjet; Z. Klodian Zaimi, Shef i Departamentit të Ekonomisë Ujore në Institutin e Hidreologjisë; Xhemal Mato, shef i Eco Movement, Albania.

 

Do të doja ta filloja me ju zoti Ballo.

 

A mund të themi që arësyet që përmbytjet janë kaq të rënda, dhe kaq të rrezikshme, sepse nuk ka pasur kujdes nga dora e njeriut, nga institucionet e shtetit?

 

Ing. Fitim Ballo

Nqs. mund të më lejoni të jap një pasqyrë të përgjithshme të pasurive hidrike të Shqipërisë. Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha ujore, një vend që fillon në kuotën 2000 dhe përfundon në kuotën 0. Kjo është energji, kjo është prurje, por kjo është dhe erozion, dhe problem shumë i madh për njerëzit që janë. Siç e dini, jeta ka filluar në shtretërit e lumenjve. Këta lumenj i kanë afruar njerëzit, të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, tokat e tyre, pasuritë e tyre në këta lumenj, por sot këta lumenj nqs. nuk i mbajmë mund të kthehen prapë në katastrofë e të dëmtojnë pronat e tyre. Në lumenjtë e Shqipërisë janë tërë pasuritë, ujore, janë digat e hidrocentraleve, janë digat që kanë shërbyer për bujqësinë e shkojnë në 650 diga; janë kanalet vaditëse. Shqipëria e ka sipërfaqen 28,000 km2, kurse pellgun ujëmbledhës e ka rreth 44,000 km2, pra lumenjtë më të mëdhenj si Drini dhe Vjosa, pjesën më të madhe të tyre e kanë jashtë Shqipërisë. I vetmi lum që mund të quhet lum patriot është lumi Seman, i cili komplet sipërfaqen ujëmbledhëse të tij e ka brenda territorit të Shqipërisë. Lumenjtë e Shqipërisë kanë një karakteristikë shumë të madhe: rreshjet kanë shpërndarje të ndryshme. Zona ku bien më pak rreshje është zona e Sheqerasit në Korçë, ku me 1% siguri, ose 1 herë në 100 vjet bien 760 mm shi/vit. Kurse në Theth, me po këtë përqindje sigurie bien 4600 mm shi/vit. Tirana mund të ketë 1800-2000 mm shi/vit. Pra ka një oshilacion shumë të madh. Lumenjtë e Shqipërisë janë me prurje jo të përhershme, pra me prurje që varen nga rreshjet, si dhe janë me pjerrësi të madhe. Duke qenë me pjerrësi të madhe edhe efekti gërryes i tyre është shumë i madh. Ka të dhëna që të gjithë shtratet e lumenjve të Shqipërisë janë shtrate të ndryshuara, pra nuk kanë qenë këto shtrate që janë sot. I ka ndryshuar koha, i ka ndryshuar rrjedha. Ka harta në Romë, ka harta në kohën e Bizantit që Vjosa është derdhur në Vlorë. Drini ka qenë derdhur në Drinin e Lezhës, në 1856 ndrroi drejtimin. Duke pasur këto probleme, këta lumenj janë me prurje të rrezikshme. Tjetër problem i madh tek lumenjtë është stabiliteti i tyre, dmth qëndrueshmëria e tyre. Qëndrueshmëria e tyre varet nga brigjet, varet nga toka, varet nga zhavorret. Unë do të thosha që sot në Shqipëri janë prishur ekuilibret. Janë prishur ekuilibret e rrjedhjeve hidrike të Shqipërisë. Së pari, ekuilibret janë prishur nga prerja e pyjeve. E dyta, janë prishur nga marrja e zhavorreve. E treta, janë prishur ekuilibret nga ndërtimet hidroteknike që janë bërë në shtretërit e lumenjve. Psh. kur është bërë projekti i Fierzës ose i Komanit kanë pasur për detyrë prodhimin e energjisë por kanë pasur për detyrë dhe prerjet e plota. Pra që të mbahet në një nivel të caktuar uji, duhet që kur të vijë nga Drini të akumulohet dhe të mos ketë prurje të mëdha. Nqs. vijnë psh. 5000 m3 mund të lëshosh 2000 ose 3000. Këtë lloj rregullatori me digat në Shqipëri e kanë luajtur 650 digat e bujqëisë. Këto lozin një rol prerje plote. Këto diga kur ne i kemi projektuar janë projektuar në mënyrë të tillë që tetor-maj të mbushen me ujë, në maj-shtator të ujitin. Në shtator, me urdhër qeverie, edhe sikur të kishte ujë, do të shkonte uji (poshtë). Ky grafik sot nuk funksionon fare. Problemi i madh është se këto 650 diga janë në nivel maksimal. Këtu është problemi dhe i vetë stabilitetit të digës. Diga është mbushur tetor-maj, duke u shkarkuar nga maji në shtator, dhe në shtator shkarkohet fare: nuk formohet, ne themi, kurba e depresionit, pra nuk mbahet pjesa e thatë e digës me pjesën e lagët. Tani diga është komplet e lagur, ndryshon stabiliteti, ndryshon qëndrueshmëria. Këto 650 diga mund të jenë 650 diga me sahat. Ato kanë probleme stabiliteti, kanë probleme drenazhi, kanë probleme ushqyesit, kanë probleme shkarkuesit, vetë skarpatat e digës. Pra kanë probleme të mëdha. Pra këto diga janë plot me ujë. Siç vjen uji, kalon mbi to. Ka diga me 20 milion, diga me 170 milion, me 10-15 milion. Pra bëjnë prerje plote, bëjnë një farë rregullimi. Problemi tjetër është problemi i argjinimit. Argjinimi i veprave hidroteknike është bërë duke u bazuar në prurjet e vitit 62-63. Në Shqipëri deri më sot nuk ka rreshje të rregjistruara më të mëdha se të dhjetor-janar 62-63. Në atë kohë u morën masat që u bë argjinimi i gjithë lumenjve. U bë argjinimi i Vjosës, i Semanit. Këto argjinime janë bërë me kritere të caktuara, me një funksion deri 20-25 vite. Këto vepra janë bërë 60-50 vjet përpara. Duhen rishikuar, sepse janë prishur ekuilibrat.

Konkretisht profesor, çfarë duhet rishikuar e çfarë duhet bërë?

Ing. Fitim Ballo:

Këto lumenj marrin me miliona materiale,hektarë të tërë dhe i çojnë në det. Po të shikoni 20-30 vjet përpara ato qendrat e zjarrit kanë qenë në rërë, sot janë 200 metra në det. Kjo tregon që dhe deti po avancon. Kjo është prishje ekuilibri. Por ama gjithë ky material i detit që deti nuk arrin dot, që deti dhe do mbushet dhe do gërryhet. Gjithë ky material, me miliona m3 që i marrin makinat dhe i sjellin në qytet. I gjithë ky material, vjen aluvioni, i mbush këto gropa, pastaj i shkatërron, i bie një bregu, pastaj i bie dhe bregut tjetër. Duke u ngritur niveli i ujit ngrihet dhe niveli i ujërave tokësore, pastaj tokat bëhen si hallvë. Një nga problemet më të mëdha të tokave, që shemben të tëra dhe që prishen brigjet e lumit, është nga Vjosa deri në Port (?), siç ndodhi me rrugën Tiranë-Elbasan. Shteti duhet të marrë masa. Për këtë qëllim janë ndërtuar 36 hidrovore. Hidrovoret janë të kapacitetit europian, janë në funksion, por kanë probleme të furnizimit të energjisë, që duhen marrë masa, duhen riparë pompat. Ka një problem të madh. Lana nuk ka dalë ndonjëherë nga shtrati. Në 2-3 vitet e fundit po del. Ka qenë afër daljes, por do dalë. Pse do dalë? Unë e kam shtëpinë afër Kodrës së Priftit. Po të shikoni Kodrën e Priftit dhe gjithë pjesën përballë, gjithë Dajtin, është bërë gjithë ndërtime. Pra nga tokë buke u kthye në ndërtime. Koefiçenti i rrjedhjes ndryshoi nga 0.4 në 0.6. Një prurje nga 100 m3 shkoi në 150 m3. Kjo është prishje ekuilibri. Vetëm nga ndërtimet që janë bërë në tërë pjesën e sipërme të Tiranës ka ndryshuar koefiçenti i rrjedhjes. Ndryshoi koefiçenti i rrjedhjes, ndryshoi prurja. Ndryshoi prurja, ndryshoi stabiliteti, deri dhe do dalë lumi. Mund të marrim cilindo lum të Shqipërisë, daç të marrim Vjosën, Semanin. Sot ndodhi sepse ndodhën rreshje në zonën e jugut, por vjet-parvjet ka ndodhur në zonën e veriut. Lumenjtë e zonës së veriut mund të stabilizohen sepse ka 3 hidrocentrale në zonën e Maqedonisë, 3 hidrocentrale në zonën e Shqipërisë. Kurse lumenjtë e zonës së jugut janë të lirë, ç’prurje bie, ikën. Nuk ka hidrocentral që mund të bëjë prerje plote. Këto po shkatërrojnë tokat, brigjet, argjinaturat. Duhet të bëhen studime. Nqs. një breg lumi i është afruar argjinaturës, mund të ketë problem shumë të madh, se çan tokën, çan argjinaturën dhe përmbyt tokat.

Xhemal Mato

Nuk është problem ti shpjegosh. Është problem ti ndalosh, ti parandalosh, ose të ndryshosh politikat e zhvillimit, në mënyrë që të mos kesh këto lloj pasojash. Dihet që në përgjithësi kur një lum rrjedh në mënyrë natyrore, ai ka gjetur ekuilibrin e vet. Qoftë me natyrën përreth, me tokat, qoftë dhe me njerëzit, kur ata nuk e kanë prekur. Në kuptimin që nuk e kanë deformuar, ndryshuar, nuk kanë ndikuar mbi të. Dhe kjo për shekuj të tërë ka qenë njësoj, dhe ai lum dhe kur ka pasur rreshje të mëdha ka përmbytur por nuk ka dëmtuar, nuk ka sjellë pasoja të mëdha për njerëzit. Në çastin që njerëzit me politikat e tyre shpesh makute të fitimit, pra që shohin vetëm fitimin në një drejtim dhe nuk shohin pasojat në një drejtim tjetër. Kjo vjen shpesh dhe nga mosnjohja, por më shumë vjen nga miopia e zhvillimit. Nqs. ne i japim prioritet vetëm hidrocentraleve, por se dimë se çfarë pasojash mund të ketë nqs. si vlerësojmë këto hidrocentrale në lidhje me përmbytjet, siç ndodh tani me këtë vrull kaq të madh të hidrocentraleve të vegjël. Janë dhënë gati 445 konçesione në lumenjtë e vegjël. Natyrisht, të gjithë këto do kenë impakt. Duke u bashkuar si veprim kumulativ natyrisht që do të kenë ndikimin e tyre. Pra të gjitha këto janë si një zhvillim i njëanshëm në një drejtim: o burra të fitojmë për këtë, të fitojmë duke prerë pemët sepse zhvillohemi më shpejt. Të fitojmë duke ndërtuar vetëm hidrocentrale, por pa marrë parasysh se sa hidrocentrale duhet të ketë një lum, si duhet të koordinohen dhe çfarë pasojash mund të kenë nqs. teprohen etj. Ndikimi nga marrja e rërës, siç tha profesori, që oburra të ndërtojmë, dhe merr rërë nga lumi. Hë se po zhvillohemi shumë shpejt dhe gjithë rërën e lumenjve e kthejmë në ndërtesa. Ngushtohen shtratet dhe bëhen shtratet me taban shumë të sheshtë, nuk amortizohet… Gjithë këto zhvillime janë një investim i keq, kolosal, që tashmë nuk arrijnë dot, jo një qeveri, por dhe shumë qeveri, ta përmirësojnë situatën. Kërkohen investime të mëdha, kërkohen studime, dhe situata është e tillë që përmbytjet do vazhdojnë.

Autoritetet kanë ekspertët, kanë këshilltarët. Problemi është që deformimi bëhet në interesat e çastit. Në çastin që unë kërkoj të bëj Shqipërinë fuqi energjitike, atëhere shihet vetëm kjo në mënyrë të ngushtë, harrohet që mund të jenë pasojat më të mëdha, superfuqi shkatërrimi. Pra ky lloj ekuilibri, studimet e integruara mungojnë tek ne. Shihet, që oburra në këto 4 vjet që jam në qeveri të zhvilloj Shqipërinë në këtë drejtim dhe pastaj pasojat që dalin duken shumë të largëta në kohë dhe në hapësirë. Psh. ai pylli që pritet në malet e Gramozit, ndikon ndikon pikërisht në atë bregdetin. Duket sikur nuk lidhen me njëri-tjetrin, janë shumë larg në hapësirë, pylli me bregdetin, ndërkohë që ky është këndvështrimi ekologjik që e parandalon problemin. Prandaj thuhet, kini kujdes ju që jepni pyjet për shfrytëzim, sepse do kemi përmbytje në bregdet, do kemi pasoja në turizëm, në ekonomi, në gërryerjen e tokës, në rrëshqitjet e tokës (që po rrëshqasin fshatra të tërë). Ky lloj studimi i integruar tek ne ka munguar, sepse është parë si të fitohet, si të marrë një kompani, korrupsionet bëjnë punën e vet. Dhe të gjitha këto kanë sjellë këtë lloj deformimi me investime të cilat kanë sjellë pasoja në biodiversitet. Lumenjtë janë pasuri e madhe për ujitje, për qytetet, por dhe për biodiversitetin. Merrnim 1100 kv peshk më parë, kur trajtoheshin mirë. Pra janë burime në shumë drejtime, jo vetëm në një drejtim. Këto deformime sjellin si pasojë përmbytje.

Çfarë duhet të bëjmë? Do të ndodhin edhe më shumë. Investimet tek ne kanë filluar po i japin pasojat. Psh. hidrocentralet e vegjël po ndryshojnë shtratin e lumenjve. E marrin ujin, e futin nëpër tuba dhe i japin tjetër shpejtësi kinetike dhe e nxjerrin në një drejtim tjetër nëpërmjet kanaleve me beton apo tubave; ndryshojnë rregjimin e ujit, ndryshojnë rrjedhjen e ujit. Shpesh ndryshojnë shtratin e lumit, sepse bëjnë kanale anash lumit për hidrocentrale. Pra gjithë këto investime nuk janë pak, janë 445 konçesione që janë dhënë. Shtuar këtu dhe ndryshimet klimatike, të cilat sjellin që brenda një jave të bjerë ujë sa për 3 muaj, dhe këto ndryshime klimatike do e rëndojnë më tepër situatën.

Klodian Zaimi

Për saktësi, përfaqësoj IGJEUM. Pas përmbytjeve të fuqishme në lumin Drin u krijua qendra e monitorimit dhe parashikimit të rreziqeve natyrore. Në mënyrë të përditshme bëjmë buletine, i publikojmë në websitin tonë. Kjo është punë e vazhdueshme, pavarësisht nga rreziqet konkrete. Alarmi është dhënë në 28 janar, është saktësuar në 29 janar. Qëllimi i parashikimit të përmbytjeve nuk është thjesht të shpëtojë ekonominë, por kryesorja është të shpëtojë jetën e njerëzve. Nga direktivat e BE-së jemi të detyruar të krijojmë plane të parashikimit të rreziqeve natyrore. 1 muaj më parë institucioni ynë është bërë partner i një institucioni të fuqishëm europian të parashikimit të përmbytjeve, EFAS. Alarmi prodhohet nga ne dhe shpërndahet nga EFAS, në një rrjet europian. Të gjitha alarmet komunikohen mes partnerëve. Kemi 4 vjet që prodhojmë buletinet e parashikimit të rreziqeve. Në rastin në fjalë, ka qenë një rast i pastër parashikikimi. Parashikimi ka një probabilitet 70% të vërtetohet. Këto lloj parashikimesh ja japim njësive të emergjencave civile, por nuk japim alarm për popullsinë civile. Njësitë e emergjencave civile japin alarmin. Këto dhanë alarmin dhe në prefektura u krijuan ekipet e emergjencave civile. Rreshjet kanë qenë faktori kryesor që kanë shkaktuar përmbytje në lumin e Vjosës, pavarësisht faktorit njerëzor, ndërhyrjeve që përmendi profesori më përpara.

Njeriu është afruar drejt rrezikut. Kjo ndodh në gjithë botën. Lumi ka një pamje të bukur, por ka dhe rrezikun e vet. Në rastin në fjalë, kryesisht në basenin e lumit Vjosë për 48 orë kanë rënë ~350 mm shi, kjo është një sasi kolosale volumi uji. E njëjta sasi ka rënë dhe në pjesën greke. Përveç shirave faktor në përmbytje kanë qenë dhe temperaturat e larta që kanë shoqëruar këtë stuhi. Temperaturat e larta nuk lejuan që rreshjet të bien në formën e dëborës. Deri në 1500 metra patëm rreshje shiu, gjë që ndikoi shumë për keq në formimin e plotës. Piku I plotës, pra kulmi, ishte parashikuar të ndodhte dje në datën 1 shkurt, 7 mbasdite, dhe ashtu ndodhi. Banorët u paralajmëruan. Pas pikut ndodh dhe rritja e nivelit maksimal. Nata e bën shumë të rrezikshme evakuimin në atë moment, kur situata është krejt jashtë kontrollit.  Në ditët në vijim parashikimet mund ti gjeni në websitin tone. Parashikimi është që në dy-tre ditët në vijim  nivelet do të jentë të larta në basenin e lumit Vjosa dhe Seman. Situata në pjesët e përmbytura do të jetë akoma me probleme. Ka pjesë depresive ku uji me vështirësi largohet vetë dhe duhen përdorur pompat për ta larguar. Rreshjet do të jenë mesatare, kurse në pjesën  veriore deri intensive. Por ana pozitive është që deri në 300-400 metra rreshjet do të jenë në formë dëbore dhe kjo do të lehtësojë shumë basenin e Drinit dhe të Bunës, e cila dhe në këto momente ka nivele të larta, kritike. Gjatë javës Vjosa dhe Semani do të vazhdojnë të kenë nivele kritike por do të kthehen në shtratin e tyre brenda javës.  Piku I plotës ishte parashikuar të ishte minimalisht me periudhë përsëritjeje 1 herë në 20 vjet dhe kulmi I saj me periudhë përsëritjeje 1 herë në 50 vjet. Pra prurja më e madhe mund të ketë qënë dhe 1 herë në 50 vjet. Por tani, në periudhë emergjence, është shumë e vështirë që të matet prurja, matjet do të bëhen më vonë. Mundësia për ta matur ujin, kur lumi ka dalë nga shtrati I vet, është shumë e vështirë. Dalja apo jo e lumenjve në vijim do të varet dhe nga gjendja e argjinaturave. Në ato pjesë ku është dëmtuar argjinatura,edhe  pse mund të jetë kthyer në shtratin e vet, lumi mund të vazhdojë të dalë, sepse ka krijuar shtrat të ri. Mund të vazhdojë të gërryejë e të dalë derisa të krijojë shtrat të ri. E tha dhe inxhinjeri që lumenjtë tanë janë shumë kapriçozë, herë pas here kanë ndryshuar drejtimin e vet, dhe nëse I lë pa argjinatura, pa kontroll, ata do të krijojnë shtrat të ri. Pas vitit 62-63 të gjithë lumenjtë kryesorë problematikë janë argjinuar.

Xhemal Mato

Menaxhimi I një rrisku të përmbytjeve nuk është një menaxhim emergjent, sepse erdhi papritur. Edhe nëse paralajmërojmë 3-4 ditë përpara, mendoj se është prapë një mospërgatitje e politikës së mbrojtjes ndaj rrisqeve. Shtetet e zhvilluara kanë hartat e përmbytjeve, të cilat përbëjnë programin kryesor.

Klodian Zaimi: Hartat e përmbytjeve nuk hartohen për gjithë territorin, por për zonat problematike. Momentalisht janë hartuar vetëm për pjesën e Shkodrës. Për Vjosën kërkohet një projekt. Për Shkodrën janë krijuar hartat e përmbytjes, janë krijuar dhe planet e evakuimit. Për çdo lloj situate, çfarëdo të ndodhi, gjithkush di se çfarë bën. Kurse pjesa e poshtme të Vjosës, duke mos qenë asnjëherë problematike, nuk ka qenë asnjëherë prioritet, sepse qeveria ka pasur halle të tjera për të zgjidhur.

Xhemal Mato

Mendoj se nuk duhet ta thoni këtë, sepse ka qenë problematike. Në 2009 ka pasur përmbytje përsëri, ka pasur disa herë përmbytje kjo zonë. Mund të mos ketë pasur mundësi, por pa hartë të përmbytjeve, të cilat përcaktojnë… Jo të vejë kryeministri aty, shkon qeveria për të treguar angazhimin vullnetar, shpirtëror. Por aty janë institucionet që funksionojnë dhe të cilat janë të parapërgatitura për çdo situatë. Dihet ku janë çizmet për çdo njeri, dihet ku janë varkat, telefonat ku duhet njoftuar. Duhet patjetër një studim, një hartë, të dihen zonat  ku do vejë rreziku, sa arrin, personat që duhen lajmëruar, si duhet organizuar. Ndoshta një ndër detyrat tuaja është kjo hartë.

Klodian Zaimi

Nuk thashë që kjo zonë nuk është problematike, kjo është e dyta më problematike pas Drinit. Institucioni që përfaqësoj unë nuk merret me këtë pjesë. Me sa di Ministria e Bujqësisë duhet të merret. Pjesa e ujit, dhe cili person është përgjegjës për menaxhimin e ujit, është shumë e ngatërruar. E dinë të gjithë që është kaq e ngatërruar. Deri para pak kohësh çfarë ka qenë brenda shtratit natyral të lumit ka qenë përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit. Çfarë ishte nga pjesa e bregut, jashtë (shtratit) ka qenë në ngarkim të Ministrisë së Bujqësisë; çfarë ka qenë jashtë lumit por në zona urbane ka qenë përgjegjësi e Ministrisë së Transportit. Ministria e Energjitikës për pjesën e kaskadës.

Fitim Ballo:

Për shqetësimin që ngriti Z. Xhemal Mato për hidrocentralet e vegjël: është shqetësim shumë I drejtë. Hidrocentralet janë si fitorja e Pirros. HEC-et tek ne projektohet vetëm për një qëllim të vetëm. Ky është gabim shumë I madh. Hidrocentralet duhet të projektohen për shumë qëllime: për energji, për peshkimin, për ujitjen, për furnizimin me ujë, për biodiversitetin. Pra kur bëhet raporti I ndikimit në mjedis, jo të bëhet raport për raport, por të bëhet raporti dhe të merren masa për mjedisin. Të ketë fonde, të ketë investime. Unë jam projektues, dhe kam bërë shumë raporte të ndikimit në mjedis Asnjëherë nuk ka pasur investime për mjedisin. Tani këto vitet e fundit po flitet për gjelbërimin.Por që të thuash që u bë VNM-ja për filan vepër, dhe të thuash që u prish pylli, u prish stabiliteti I shpatit, dhe të marrësh masa, masa nuk merren. Duhet patur parasysh se veprat hidroteknike, studimet janë me kosto të lartë në tërë botën, dhe në Shqipëri. Studimi bazë është teknologjia, hidrologu. Institucionit të hidreologjisë disa vite më parë I kanë dhënë rëndësi të madhe, se ka pasur një personel shumë të madh. Instituti I Hidreologjisë mund të ketë pasur 150-200 të punësuar. (Klodian Zaimi) Sot gjithë Instituti I Gjeoshkencave ka 70 të punësuar.

Instituti ka pasur rreth 320 vendmatje të shpërndara në tërë Shqipërinë. Sot pyesim: Sa është prurja dhe sa është rreshja dhe për cilin vit I përgjigjet kjo që ka ardhur sot? Ose më jep nivelin, dhe del prurja.

Xhemal Mato

Të gjithë studimet për HEC-et e vegjël janë të deformuar.

Ing. Fitim Ballo:

Shikoje urën e vjetër të Mifolit që është vendosur poshtë, shikoje urën e re që është vendosur sipër. Ato të dhëna ishin në atë kohë, ato të dhëna ishin pas 50-60 vitesh. Por shtetet dhe qeveritë marrin masa. Shiu do të bjerë 200-220 ditë në vit. Por ka shi me intensitet 1 herë në 20 vjet, 1 herë në 30 vjet, 1 herë në 50 vjet, 1 herë në 100 vjet, ka dhe 1 herë në 1000 vjet, ashtu siç bie dhe tërmeti. Ka kushte teknike të projektimit, që argjinaturat të bëhen për këtë siguri, në varësi të banorëve, të fushës. Shteti nuk mund të sigurojë për ngjarje që ndodhin 1 herë në 1000 vjet, sepse nuk mund të investojë gjithshka aty, por ama bëhet projekti, bëhet llogaria se çfarë do investosh e çfarë do mbrosh dhe kur të dalë uji (1 herë në 500 vjet, 1 herë në 1000 vjet) çfarë dëmesh do kesh. Ne kemi normat e komunitetit europian. Fushat e Shqipërisë kanë qënë më të sigurta se qytetet.

Tek ne të gjithë merren me ujrat, dhe asnjë nuk merret me ujrat. Kjo është sëmundje e vjetër. Asnjëherë nuk u mor vesh që një vepër të bëhej për shumë qëllime.Psh. që një digë të bëhej edhe për peshkimin, edhe për bujqësinë, edhe për furnizimin me ujë të qytetit etj. Po të marrësh 650 digat që janë në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë, janë vetëm për ujitje.Hidrocentralet bëhen vetëm për energjinë. Është gabim shumë I madh. Duhet të bëhen për shumë qëllime, edhe për energjinë, për bujqësinë, për peshkimin. Pra ai që merr me konçesion duhet të bëjë studim, sepse është pasuri kombëtare. Problemi tjetër është se: fizibilitetin dhe studimin e një vepre hidrike duhet ta bëjë shteti. Lumi Vjosë nuk është I një bashkie, por është I dhjetra bashkive. Psh. Lumi I Tiranës. Pronar I lumit të Tiranës është komuna Dajç, komuna e Paskuqanit, bashkia e Tiranës, bashkia e Vorës, bashkia e Kamzës. Ka bërë projekt për lumen e Tiranës bashkia e Tiranës, por I ka bërë për vete, për pjesën e Tiranës. Nga vjen lumi, lart në Dajt, e çfarë bën lumi në Paskuqan e ç’bën lumi poshtë tij s’merret kush fare (për sa I përket investimeve).

Zëvendës-ministri I Bujqësisë, Jani Babi

Është krijuar një sekretariat I menaxhimit të ujit në kryeministri. Ky sekretariat, kur jepet një konçesion, kur ndërtohet një HEC p.sh. i merret mendimi se çfarë detyrimi ka në bujqësi.Vlera kryesore e ujit është uji I pijshëm. Pastaj vjen elektriku, pastaj bujqësia. Bujqësia dhe elektriku kanë bashkëpunim, marrëveshje të përbashkëta: kur të duhet ty dhe kur më duhet mua.

Xhemal Mato

Realiteti është ndryshe. E vërtetë që mund të ketë marrëveshje. E vërtetë që kanë dhe leje mjedisore, mund të kenë marrë firma nga disa ministry, por në realitet ai ujë përdoret vetëm për hidrocentrale. Ai s’lejon fare ujë për të pirë, s’lejon fare ujë për biodiversitet. Jemi një rrjet shoqatash për informim-ndërgjegjësimit mjedisor, dhe në kuadër të një projekti “Senior-A” të mbështetur nga ambasada suedeze, kemi studiuar këtë problem, sidomos burimet ujore dhe lumenjtë, në lidhje me HEC-et. Realiteti është shumë I rëndë, në krahasim me atë që duhet, në lidhje me marrëveshjet midis ministrive, lejet mjedisore. Realiteti është që po ja dhe konçesionin një privati, ai zotëron gjithë ujin dhe e merr të gjithë për vete, dhe nuk arrin dot as fshatari të marrë ujë. Kontrata nuk kontrollohet, nuk ka inspektor që ta kontrollojë. Kemi ndjekur problemin e menaxhimit të ujërave në fshatrat e Librazhdit dhe ndodh që kanë ngelur fshatra pa ujë të pijshëm, sepse merr HEC-I ujin direkte në burim, e fut në tuba çeliku dhe e çon vetëm në turbinë. E izolon nga gjithë territori, nga biodiversiteti dhe e nxjerr kilometra të tëra poshtë duke ja hequr tërë mundësinë zonës, parkut të ushqehet, pale peshkut. Fajësojmë banorët që kanë ndërtuar aty një çikë më shumë se sa duhet. Në fakt ai ka pasur tokën e vet, ka menduar të zhvillojë tokën e vet, por nuk I ka thënë njeri që ajo është zonë që përmbytet. Nuk ka pasur harta që të thonë deri këtu kjo zonë përmbytet. Me përjashtim të Shkodrës, e cila tani është bërë me hartë përmbytjesh. Kurse në këto zona nuk ka pasur harta të kësaj natyre, as paralajmërime dhe organizim që tu thuhet ti do përmbytesh.

Zëvendës-ministri I bujqësisë, Jani Babi

Ata që janë të vjetër I njohin këto situata. Kjo situatë ka ndodhur në vitet 70, por jo në këto përmasa.

Fitim Ballo

Ndërtimet që janë brenda argjinaturave janë ndërtime të paligjshme, duhet të prishen. Ndërtimet që janë jashtë argjinaturave janë ndërtime autoktone. Gjithmonë janë mbytur edhe këto, sepse nuk ka masa inxhinjerike. Varet nga lloji I investimit që bën shteti. Do ndërtojë argjinaturat, por si i ndërton? Kur kam qenë I ri është çarë argjinatura e Gjadrit.  Kam qenë asistent I inxhinjerit Stavri Naço. Stavri Naço dihet. Stavri Naço, Faredin Nuri, Thoma Filipeu, njihen për projektimin e veprave hidroteknike. Këta kanë vdekur. Kolegët e mi, që nga Dhimitër Vogli, Zhani Pilika, Kristo Goga janë gjallë. Nuk dëgjohemi për këto zhvillime. Mund ti vijë keq kujtdo, por nuk dëgjohemi. Kam bërë 3 manuale, sidomos ky I fundit, për veprat hidroteknike në bujqësi. Nuk e blen kush. Sepse nuk ka standarte. Kur projektohet një vepër hidroteknike duhet të projektohet me standarte. Po ti kërkosh standartet firmës së ndërtimit, ai është I detyruar ti bëjë. Nuk e dimë me çfarë standartesh punon sot Ministria e Bujqësisë për mbrojtjen e Vjosës nga përmbytjet. Standarti është psh. Lumi I Shkumbinit do të projektohet për këtë përqindje sigurie, për këtë probabilitet rreshjesh (1 herë në 20 vjet, nuk e bën dot për 1 herë në 50 vjet e 1 herë në 100 vjet sepse janë investime jashtëzakonisht të mëdha). Ose, sa hektarë do mbrojë? Janë 100,000 hektarë apo 50,000 hektarë? Standarti tjetër është ai për mbrojtjen e qyteteve. Qyteti ka tjetër standart. Vetëm një është bërë për qytetet: mbrojtja e Kombinatit Metalurgjik nga Përroi I Fushës (një herë në 10,000 vjet). Gjithë të tjerat janë për rrezik 1 herë në 20 vjet ,1 herë në 50 vjet. Janë prurjet llogaritëse, prurjet e kontrollit. Është problem I veprave që bëhen. Gjadri është çarë në vitin 1963-64. U bë në 62. Kur u ça, po rrinim mbi argjinaturë se do vinte kryeministri.

Klodian Zaimi

Hartat e rrezikut nuk janë harta statike. Në momentin kur krijohen argjinaturat, hartat ndryshojnë. Europa dhe bota sot është në dilemë. A duhet të investojë në mbrojtjen e zonave shumë të rrezikuara, duke ngritur argjinatura shumë të fuqishme për mbrojtje nga rreziqet që ndodhin 1 herë në 100 vjet, apo duhet të përdorë  një strategji më të lehtë, ku zonat që duhen mbrojtur patjetër, ti mbrojë, kurse ato zona që mund t’ja lërë lumit, t’ja lërë lumit, për arësye të ndryshimeve klimatike që po e agravojnë klimën. Ajo përmbytje që ishte 1 herë në 100 vjet, si përmbytja e 1963, nuk është më 1 herë në 100 vjet, por është bërë 1 herë në 20 vjet. Pra kategoria e shtetit tonë në kuadër të ndryshimeve klimatike ka ndryshuar dhe ka projektuar të ardhmen në një projeksion pak më të keq se ato që ishin parashikuar 60 vjet më parë kur u ndërtuan këto argjinatura. Do ketë përmbytje më të shpeshta dhe më të forta për të gjithë lumenjtë tanë. Kjo është e sigurt, sepse e kemi vënë re. Aq më tepër që ndërtimet urbane janë afruar drejt zonave të rrezikuara. Ajo që duhet të bëjmë ne sot është. 1. Të mos lejojmë më ndërtime të reja në ato zona.

Xhemal Mato

Problemi I përmbytjeve është problem kompleks që fillon që nga mallet, pyjet e prerë, menaxhimi I rrjedhave që në fillim të lumit. Kudo që të bëhet një ndërhyrje e gabuar në rrjedhë, qoftë me ndërtimin e HEC-eve, qoftë me tunele, me tubo, me kanale, me ndërtimet e tjera që bëhen shpesh, të gjitha këto pasojën e kanë në fund fare, kur lumi del në fushë. Marrja e inerteve po ashtu. Pra është një problem kompleks mjedisor. Për emergjenc a është mirë të mirëmbahen argjinaturat. Të studiohet urgjentisht harta e përmbytjeve për zonën e Shkumbinit, Semanit. Po nuk e pamë problemin si kompleks mjedisor nuk e zgjidhim problemin thjesht me argjinatura.

Fitim Ballo:

Lumi kërkon shumë, nuk kërkon vetëm argjinaturë. Kërkon mbrojtje në prerje gjatësore, mbrojtje në prerje tërthore. Mund ti bëjmë të gjitha këto që themi, e prapë të përmbytemi. Sepse janë prurje që përsëriten 1 herë në 100 vjet, 1 herë në 50 vjet. Duhet parë, ditur: ky lumi Vjosa që do të dalë nga shtrati, për cilën prurje do të dalë, dhe çfarë masash inxhinjerike duhen marrë? Do bëhen disa variante. Variante për prurje 1 herë në 20 vjet, variante per prurje 1 herë në 50 vjet, 1 herë në 100 vjet. 1 herë në 50 vjet, kërkon 100 milion investime; 1 herë  në 100 vjet kërkon 300 milion investime. Do hidhen këto lekë, por çfarë fitimi do kesh nga përmbytjet. Bëhet llogaria. Brigjet e lumit duhen mbrojtur me themela, me blloqe, me mbrojtje gjatësore, mbrojtje tërthore, duhen mbrojtur në funksion të shpejtësisë, të prurjeve.

Zëvendës-ministri I Bujqësisë, Jani Babi

Kemi 13 borde kullimi në gjithë territorin që kontrollojnë situatën me hidrovore, ekskavatorë, kanale të kullimit, infrastrukturën e ujitjes. Çdo vit planifikojmë ato që janë më të rëndësishme. Kemi 21 milion m3 dhera për të hequr. Në një kohë që bordet e kullimit mund të heqin deri në 3 milion m3.

Klodian Zaimi

Po përqëndrohemi tek dëmet ekonomike. Përveç masave inxhinjerike, në Itali psh. kanë forcuar shumë shërbimet e parashikimit. Ka zona ku masat inxhinjerike kërkojnë qindra miliona euro, prandaj është investuar në parashikimet e përmbytjeve. Prandaj le të kopjojmë Italinë, të investojmë në rrjetin e monitorimit, dhe pastaj masat inxhinjerike atje ku ka leverdi. Atje kur rreziku është ekzistent dhe do të jetë dhe pas veprave inxhinjerike, të merren masa paraprake: (1) të mos shtohet veprimtaria njerëzore. (2) atje ku shpenzimet për tu mbrojtur janë shumë të larta, të mbrohet vetëm deri në një farë mase (tokat bujqësore për përmbytje  që ndodhin 1 herë në 10 vjet, qytetet për  përmbytje  që ndodhin 1 herë në 100 vjet).

Ing. Fitim Ballo

Janë 36 hidrovorë, por këto janë vetëm për prurje të zakonshme. Ka 1500 ha tokë bujqësore Vlora. Nqs. përmbyten I thonë 150 m3/sekondë. Hidrovori heq vetëm 15 m3/sekondë. Të dyfishohet sasia e hidrovorëve.

Xhemal Mato

Problemi nuk zgjidhet vetëm me masa teknike, është problem kryesisht mjedisor. Lumenjtë janë çmendur, sepse janë prerë pyjet përgjatë gjithë rrjedhës së tyre. Pyjet 50% të shiut e mbanin, dhe nuk arrinte dot lumi që të fryhej kaq shpejt dhe të mbyste. 20 vjet kemi prerë pyjet. Nuk mbillen dot shpejt. Të shihet problemi në mënyrë strategjike, afatgjatë.

 

(Zbardhje me shkurtime nga Rita Strakosha)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: