Posted by: ekolevizja | December 26, 2014

Efiçenca e energjisë dhe rritja ekonomike

Shkëputur nga libri “Fundi i rritjes ekonomike”, Richard Heinberg

Lidhja historike midis rritjes ekonomike dhe rritjes së konsumit të energjisë është e debatuar, dhe në kapitullin 3 premtova se do i rikthehesha pyetjes nëse dhe deri në çfarë mase është e mundur shkëputja e këtyre nga njëra-tjetra.

Ndërkohë që gjatë dy shekujve të kaluar si përdorimi i energjisë dhe GDP-ja janë rritur shumë, disa analistë argumentojnë se korrelacioni midis konsumit të energjisë dhe rritjes nuk është i fortë, dhe se konsumi i energjisë dhe rritja ekonomike mund të shkëputen nga njëra tjetra duke rritur efiçencën e energjisë. Pra, rritja ekonomike mund të arrihet duke përdorur më pak energji.

Kjo ka ndodhur tashmë deri në një farë mase, sipas Administratës së Informacionit mbi Energjinë të SHBA-së.

Nga fillimi i viteve 1950 deri në fillim të viteve 1970, konsumi total i energjisë në SHBA dhe GDP-ja reale u rritën pothuaj me të njëjtin ritëm vjetor. Gjatë kësaj periudhe çmimet reale të naftës qëndruan pothuaj të pandryshuara. Në kontrast me këtë, nga mesi i viteve 1970 deri në vitin 2008, lidhja midis konsumit të energjisë dhe rritjes reale të GDP-së ndryshoi, konsumi i energjisë u rritë me ritëm sa 1/3 e ritmit të mëparshëm kurse GDP-ja reale vazhdoi të rritej me të njëjtin ritëm. Shkëputja e rritjes reale të GDP-së nga konsumi i energjisë çoi në një pakësim të intensitetit energjitik që ishte mesatarisht 2.8 % në vit nga 1973 deri në vitin 2008.”

Përkthimi: Shpëtuam! Thjesht duhet të përshkallëzojmë masat e efektshme të pas 1973-it që sollën këtë përdorim më efiçent të energjisë.

Por disa analistë kanë treguar se trendi i pavarësimit të GDP-së nga energjia në 40 vitet e kaluara fsheh disa të faktorë që presin shpresën e arësyeshme se konsumi i energjisë dhe rritja ekonomike mund të bëhen edhe më të pavarura nga njëra tjetra.

Një faktor i tillë është efiçenca që përfitohet duke ndryshuar karburantin. Burimet e ndryshme të energjisë kanë specifikat e tyre dhe ndryshimi i burimeve të energjisë mund të jetë me interes edhe nëse konsumi total i energjisë nuk ndryshon. Shpesh matet vetëm aftësia nxehëse e energjisë, dhe nëse konsiderojmë vetëm këtë cilësi të saj atëhere një BTU (Njësia Britanike e Nxehtësisë) nafte është ekuivalente me një BTU qymyri, elektriciteti, apo druri. Por nga ana ekonomike çdo burim energjie ka një profil unik të mirash dhe të këqijash bazuar në densitetin e energjisë, transportueshmërinë dhe koston e prodhimit. Çmimet e ndryshme të gazit natyror, qymyrit, naftës dhe elektricitetit reflektojnë dobishmërinë e ndryshme të tyre: një BTU qymyri zakonisht kushton më pak se një BTU gazi natyror, i cili kushton më pak se një BTU nafte, i cili kushton më pak se një BTU elektriciteti

Elektriciteti është më i shtrenjtë sepse është shumë komod në përdorim (punon dot me qymyr kompjuteri?). Elektriciteti mund të shpërndahet në porta elektrike në miliarda dhoma në botë duke u mundësuar konsumatorëve përdorimin e një sërë pajisjesh, nga thekësja dhe grirësja tek karikuesit e iPad-ëve. Pronarët e fabrikave, në sajë të elektricitetit, mund të përdorin pajisje monitoruese elektronike që maksimalizojnë efiçencën e linjave automatike të prodhimit. Gjithashtu, motorrët elektrikë janë shumë efiçentë në kthimin e energjisë në punë. Në krahasim me burimet e tjera të energjisë elektriciteti është më i dobishëm për çdo BTU të shpenzuar (në pajisjet e palëvizshme, jo në ato të lëvizshme).

Si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe i ndryshimeve në çmimet e energjisë, SHBA dhe disa vende të tjera të industrializuara, në dekadat e kaluara, kanë ndryshuar mënyrën se si përdorin karburantet kryesore. Siç kanë konfirmuar disa studime gjatë kësaj periudhe, nëse korrelacionin midis rritjes së GDP-së dhe konsumit të energjisë e korrigjojmë me cilësinë e energjisë, provat se ekonomia është bërë e pavarur nga energjia nuk qëndrojnë më. 

Figure 40, SHBA, GDP, konsumi i energjise i korrigjuar me metodën Divisia, dhe konsumi i energjisë i pakorrigjuar

Indeksi Divisia është një metodë mbledhjeje e sasive të nxehtësisë që merr në konsideratë dhe çmimet relative të tyre. Figura 40 tregon GDP-në në SHBA, konsumin e energjisë të korrigjuar me metodën Divisia dhe konsumin e energjisë, të pakorrigjuar. Sipas Cutler Cleveland të Qendrës për Studimet e Energjisë dhe të Ambjentit në Universitetin e Bostonit, “Vlerat e korrigjuara të energjisë tregojnë jë lidhje shumë më të fortë me GDP-në se vlerat e pakorrigjuara. Kjo përshtypje vizuale mbështetet dhe nga analizat ekonometrike të cilat konfirmojnë se ka një lidhje të fortë midis konsumit të energjisë dhe GDP-së kur merret në konsideratë dhe cilësia e energjisë.”

Cleveland thekson se, “Pakësimi i raportit energji/GDP zakonisht është shoqëruar me tranzicionin e ekonomisë nga qymyri tek nafta, gazi dhe elektriciteti”. Kjo është e vërtetë për shumë vende të studiuara nga Cleveland dhe kolegët e tij. Konkluzionet e tij janë shumë të rëndësishme për diskutimin tonë mbi pikun e naftës dhe zëvendësuesat e naftës.: “Mënyra si ka ndodhur përmirësimi në raportin energji/GDP duhet të na bëjë të mendohemi. Nëse shkëputja e ekonomisë nga energjia nuk ka ndodhur në fakt, rritja e kostos së prodhimit të energjisë cilësore mund të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike. Nëse proçesi i zëvendësimit nuk mund të vazhdojë, pakësimi i mëtejshëm i raportit energji/GDP mund të ngadalësohet”.

Një faktor tjetër shpesh i injoruar që shtrembëron lidhjen e ekonomisë me energjinë është transferimi i fabrikave. Në vitet 1950 SHBA ishte fuqi prodhuese që eksportonte në vendet e tjera të botës. Në vitet 70 Japonia po bëhej prodhuesi kryesor i botës për pajisjet elektronike, kurse në vitet 1990 Kina u bë prodhuesi i një game akoma më të gjerë artikujsh, nga materialet e ndërtimit tek lodrat e fëmijëve. Në vitin 2005 SHBA po importonte një pjesë të rëndësishme të artikujve jo ushqimorë nga Kina, duke pasur një defiçit tregtar me Kinën prej ~ 17 miliard në muaj. Kina po digjte qymyrin e saj për të prodhuar mallra konsumi për Amerikën. SHBA pati rritje të GDP-së nga kjo tregëti, ku ËalMart u shet male me artikuj të lirë blerësve të etur, ndërkohë që Kina harxhon energjinë për prodhim. Ekonomia amerikane u rrit pa përdorur aq energji (në Amerikë) sa do të ishte e nevojshme nëse mallrat do të ishin prodhuar në vend.

Ka dhe një faktor tjetër që shpjegon “pavarësimin” në SHBA të rritjes së GDP-së nga konsumi i energjisë-“financiarizimi” i ekonomisë, siç e diskutuam në kapitullin 2. Cutler Cleveland thekson, “Një dollar çelik kërkon 93,000 BTU që të prodhohet në SHBA, kurse 1 dollar shërbime financiare kërkojnë 9,500 BTU.” Me fokusimin e SHBA-së më shumë drejt kreditimit dhe investimit dhe më pak drejt prodhimit dhe ndërtimit, GDP është rritur e shoqëruar me një rritje të vogël të konsumit të energjisë. Statistikat duket sikur tregojnë se si komb po bëhemi më efiçentë në përdorimin e energjisë, por përderisa kjo efiçencë bazohet në fllucka kreditimi pak të ardhme ka. Sikurse kemi parë në kapitullin 2, dhënia e borxheve e ka një kufi.

Lidhja e fortë midis përdorimit të energjisë dhe GDP-së ilustrohet në një studim të fundit të Charles Hall dhe David Murphy në universitetin shtetëror të New Jorkut në Sirakuzë, i cili tregon se pas vitit 1970 çmimet e larta të naftës kanë qënë lidhur ngushtë me reçesionet, kurse çmimet e ulëta të saj me ekspansionet ekonomike. Reçesionet kanë tendencë të ndodhin kur çmimet e naftës arrijnë një vlerë të rregulluar me inflacionin prej 80-85 USD barrela, ose kur kostua totale e naftës për një vend arrin 5.5 % të GDP-së.  Nëse Amerika do të kishte arritur me të vërtetë shkëputjen e rritjes ekonomike nga konsumi i energjisë, atëhere nuk do të kishte lidhje të fortë mes tyre dhe çmimet e energjisë pak rëndësi do të kishin.

Deri tani kemi shqyrtuar vetëm një lloj efiçence të energjisë-energjinë e konsumuar për njësi GDP-je. Por shpesh efiçenca e energjisë kuptohet ngushtë si efiçencë e shndërrimit të energjisë në punë. Kjo lloj efiçence mund të arrihet në shumë mënyra në shoqëri, dhe pothuaj gjithmonë është diçka shumë pozitive. Megjithatë, nganjëherë ka pritje jo realiste për potencialin që ajo ka për nxitjen e rritjes ekonomike.

Që nga vitet 1970, Amory Lovins i Institutit Rocky Mountain ka promovuar arritjen e më shumë objektivave duke përdorur më pak dhe ka treguar mënyra interesante dhe frymëzuese për të rritur efiçencën e energjisë. Libri i tij i 1998 “Faktori 4” argumenton se SHBA mund të përgjysmojë sasinë e burimeve të përdorura dhe njëkohësisht të dyfishojë efiçencën energjitike. Së fundmi e ka rritur objektivin në librin “Faktori 10”-qëllimi është të 10-fishohet prodhimtaria me gjysmën e lëndës së parë dhe të energjisë, ose ndryshe të ruhet prodhimtaria aktuale duke përdorur vetëm 10% të burimeve.

Lovins ka përkrahur një “revolucion negavati”, duke argumentuar se konsumatorët nuk kanë nevojë për kilovat/orë elektricitet, por për shërbime energjie-dhe këto shërbime shpesh mund të ofrohen me shumë më tepër efiçencë. Në vitin 1994, Lovins dhe kolegët filluan projektin “Hipermakina”, me objektivin që të projektonin një hibrid elegant, prej fibre karboni i cili do të harxhonte 3-5 herë më pak karburant duke ruajtur apo përmirësuar performancën, sigurinë, cilëstë dhe çmimin në krahasim me automjetet e zakonshme. Disa shpikje që rezultuan nga ky projekt kanë gjetur sot zbatim, megjithatë makinat hibride vazhdojnë të përbëjnë një pjesë të vogël të makinave në shitje.

Megjithëse Lovins është për tu përshëndetur për iniciativat, ai është kritikuar për parashikimet e tij se çfarë mund të arrihet me efiçencën. Disa nga këto parashikime të kritikuara janë:

  • Energjia e rinovueshme do të përbëjë pjesën më të madhe të tregut të energjisë  (1976);
  • Konsumi i energjisë do të pakësohet (1984);
  • Etanoli nga celuloza do të zgjidhë kërkesën tonë për naftë importi (parashikim i përsëritur);
  • Efiçenca do të pakësojë konsumin e energjisë (parashikim i përsëritur)

Realiteti është që energjia e rinovueshme zë një vend të vogël në treg; konsumi i elektricitetit është rritur, etanoli nga celuloza është akoma në fazën e kërkim-zhvillimit (dhe ka pengesa shumë të mëdha praktike për tu bërë burim kryesor energjie, siç e kemi diskutuar më lartë); dhe rritja e konsumit të energjisë në vetvete duket se nuk e pakëson konsumin e energjisë për shkak të efektit të elasticitetit, ku kur energjia bëhet më e lirë njerëzit kanë mundësi ekonomike të përdorin më shumë.

Përsëris: efiçenca e energjisë është objektiv i mirë. Kur zëvendësojmë llampat e vjetra inkandeshente me llampat e reja LED që përdorin shumë më pak energji dhe rrojnë më gjatë, kursejmë energji dhe materiale-dhe kjo është gjë e mirë. Pikë.

Por në të njëjtën kohë duhet të jemi realistë për kufizimet e efiçencës. Rritja e efiçencës kërkon investime, dhe investimet në efiçencë arrijnë një pikë ku u zvogëlohen përfitimet. Njësoj siç burimet janë të fundme edhe rritja e efiçencës e ka një kufi. Efiçenca kursen para dhe mund të sjellë biznese dhe industri të reja. Por potencialin për kursim dhe për rritje ekonomike e ka të kufizuar.

Le të shikojmë më thellë shembullin e efiçencës së energjisë në ndriçim.  Tranzicioni nga llampat inkandeshente tek llampat fluoreshente po rezulton në rritje dramatike të efiçencës. Një llampë standarte inkandeshente ndriçon me rreth 15 lumen për ëat, kurse një llampë fluoreshente kompakte mund të ndriçjë me 75 lumen /ëat—një pesëfishim i efiçencës. Por edhe sa mund të përmirësohet efiçenca në ndriçim? Llampat LED me të cilat po eksperimentohet aktualisht pritet të kenë ndriçim prej 150 lumen/ëat, dyfishin e efiçencës së llampave fluoreshente. Efiçenca maksimale teorike në prodhimin e dritës së bardhë nga elektriciteti është rreth 300 lumen/ëat, pra efiçenca e llampave LED maksimumi mund të rritet dhe 2 herë.

Për më tepër efiçenca në energji ndryshon shumë në një ekonomi pa rritje dhe pa burime në krahasim me një ekonomi të shëndetshme, në rritje dhe të pasur me burime.

Më lejoni të sjell si shembull një eksperiencë personale. Në dekadën e kaluar unë dhe gruaja ime Janet kemi instaluar panele diellore fotovoltaike në shtëpinë tonë në rrethinat e qytetit, gjithashtu dhe një sistem diellor ngrohjeje uji. Në muajt e ngrohtë përdorim furra diellore si dhe një tharës diellor. E kemi termoizoluar shtëpinë aq sa mundëm, duke pasur parasysh trashësinë e mureve të saj të jashtëm, si dhe zëvendësuam gjithë dritaret tona. Për të mbledhur nxehtësi ndërtuam një serë diellore në pjesën jugore të shtëpisë.  Gjithashtu blemë një makinë të vogël që harxhon më pak karburant, biçikleta dhe një skuter elektrik.

U deshën vite dhe shumë punë e para për gjithë këto ndryshime (disa dhjetëra mijëra dollarë). Për fat të mirë gjatë kësaj kohe kishim të ardhura të qëndrueshme që na mundësuan marrjen e masave për kursimin e energjisë. Por mund të them se nuk kemi arritur ende të kursejmë aq energji sa të justifikojmë shpenzimet e kryera. Jam penduar ? Jo. Me rritjen e çmimeve të energjisë këto pajisje me efiçencë të lartë do të jenë gjithmonë e më të dobishme.

E zëmë se i fillojmë këto projekte sot. Dhe e zëmë se të ardhurat tona nuk janë në rritje por duke u ulur, sikurse me miliona amerikanëve sot. Në vend që të blejmë një makinë të re që harxhon pak, mund të preferojmë një Tojota Corolla 10 vjeçare apo Honda Civic. Nëse do të kishim mundësi financiare të blinim panele diellore dhe sisteme diellore të ngrohjes së ujit, do të duhej të zgjidhnim versione më të lira. Kryesisht do të ekonomizonim me energjinë duke i rënë shkurt dhe duke pakësuar konsumin e saj.

Mënyra se si Xhanet dhe unë e rritëm efiçencën e energjisë e rriti GDP-në amerikane: Ne punësuam punëtorë dhe rritëm të ardhurat e disa kompanive prodhuese dhe sipërmarrëse. Mënyra se si njerëzit do të rrisin efiçencën e energjisë në kohëra të vështira do të ndihmojë shumë më pak rritjen-madje mund të arrijë efektin e kundërt.

Çfarë ishte e vërtetë për rastin tim është në shumë mënyra e vërtetë dhe për shoqërinë në tërësi. SHBA mund të përmirësojë shumë efiçencën në transport duke investuar në sistem hekurudhor elektrik të gjerë që të lidhë çdo qytet. Kjo do të kushtonte rreth 600 miliard dollarë, por do të pakësonte shumë konsumin e naftës, kështu do të pakësonte defiçitin tregtar të SHBA-së dhe vlerën e faturave të karburantit. Po ashtu, SHBa mund të rindërtojë sistemin e prodhimit të ushqimeve nga fillimi duke lokalizuar prodhimin dhe eliminuar përdorimin e burimeve fosile ku të jetë e mundur. Kjo do të rriste rezistencën e sistemit, do të përmirësonte shëndetin e konsumatorëve dhe cilësinë e ambjentit dhe do të krijonte me miliona vende pune dhe mundësi sipërmarrjeje. Kostua e këtij tranzicioni është e vështirë të llogaritet me saktësi, por pa dyshim do të ishte e konsiderueshme.

Por këto përpjekje do të filloheshin me vonesë. Këto gjëra do të kishim mundur ti bënim me lehtësi në dekadat e kaluara kur ekonomia po rritej. Por ndërtimi i rrugëve, industrializimi dhe përqëndrimi i prodhimit të ushqimeve ishte fitimprurës për interesa të fuqishëm, dhe problemet që po i hapnim vetes duke u mbështetur gjithmonë e më shumë në transportin rrugor dhe biznesin e madh ishin të qarta vetëm për të vëmendshmit—një pjesë e vogël e nënvleftësuar e shoqërisë në Amerikën e sotme. Me pakësimin dhe shtrenjtimin e naftës, kostot e vërteta të vartësisë sonë nga automjetet dhe prodhimi industrial i ushqimit do të bëhen të qarta, por aftësia jonë për të udhëtuar me trena dhe për prodhim lokal organik të ushqimeve do të kufizohet nga mungesa e kapitalit. Do të detyrohemi të përshtatemi me të gjithë mënyrat e mundshme. Aty ku është investuar për infrastrukturë efiçente transporti dhe për prodhim lokal të ushqimeve njerëzit do e kenë më të lehtë përshtatjen.

Efiçenca energjitike do të jetë e rëndësishme për mbijetesën dhe mirëqënien tonë sepse do të na ndihmojë ti përshtatemi ekonomisë në tkurrje dhe shtrenjtimit të energjisë. Sa më shpejt të illojmë të  investojmë në efiçencë aq më mirë, edhe nëse duhet të sakrifikojmë për momentin. Por shpresa se efiçenca mund të sjellë pakësim të vazhdueshëm të konsumit të energjisë në të njëjtën kohë që ekonomia rritet vazhdimisht është e gabuar.

Përktheu: Rita Strakosha

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: