Posted by: ekolevizja | December 22, 2014

Sfidat e shkarbonizimit, interviste me Znj. Agime Gerbeti

 Co2 tek mallrat dhe konkurrueshmeria

 

Libri me autore Agime Gerbeti, “CO2 në mallra e konkurrenca industriale evropiane”

Znj. Agime Gerbeti është eksperte në çështjet ndërkombëtare të ndryshimeve klimatike, të politikave lidhur me tregun e karbonit dhe promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Prej vitesh jeton në Itali, ku është e përfshirë në një numër projektesh në fushën e energjisë e klimës dhe drejton disa prej tyre. Gjithashtu ka marrë pjesë në grupe pune qeveritare në këto sektore si në Evropë ashtu dhe në Botë. Që nga viti 2008 ajo punon në Operatorin e Shërbimeve të Energjisë, Itali (Gestore dei Servizi Energetici – GSE). Deri në vitin 2008, ka punuar për Ministrinë Italiane të Mjedisit lidhur me zbatimin e Protokollit të Kiotos. Është avokate që nga viti 2007, dhe pedagoge e jashtme në Masterin Ridef të Universitetit Politeknik në Milano.

Pyetje: Juve keni botuar së fundmi në Itali një libër mbi emetimet e karbonit me titull “Co 2 nei beni e competitività industriale europea”- “CO2 në mallra e konkurrenca industriale evropiane”. Çfarë temash trajton ky libër?

Po, libri ka dalë në treg në shtator të ketij viti, në italisht. Në anglisht, shpresoj të botohet brenda 2014. Në shqip akoma nuk është planifikuar, por shpresoj të përkthehet shpejt.

Thelbi i librit është propozimi për një qasje inovative të çështjes mjedisore: të vendoset mënjanë vizioni tradicional, duke zhvendosur fokusin e problemit në përmbajtjen e CO2 në produktet/mallrat e prodhuara dhe/ose të importuara në BE. Qëllimi ideal është që të përdorin tarifën e importit për të vendosur standardet mjedisore edhe për prodhimin jashte BE – së për t’i rikthyer konkurruncën industrisë evropiane. Një propozim i bazuar në Teorinë e lojrave, e cila skicon fazat e mundëshme dhe përfitimet që rrjedhin nga një ekuilibër i ri i bashkëpununimit industrial, energjitik e mjedisor.

Pyetje: Znj., Gerbeti, Shqipëria vitin tjetër pritet të dalë me një strategji për ndryshimet klimatike dhe me një objektiv konkret për pakësimin e emetimeve të karbonit. BE pret nga Shqipëria që, si anëtare e Komunitetit të Energjisë dhe kandidate për në BE, të ketë objektiva pakësimi të karbonit në harmoni me strategjinë e BE-së. Por ka zëra skeptikë që e quajnë të padrejtë vendosjen e një objektivi të tillë kur Shqipëria është ende vend në zhvillim, me emetime të pakta. Cili është opinioni juaj?

Skema e BE – tregu i karbonit- është projektuar për të kufizuar emetimet. Kjo masë është miratuar kryesisht nga vendet e industrializuara. Pothuajse sikur të ishte një kosto pendimi për industrializimin që ndodhi dy dekada më parë, pavarësisht nga mjedisi. Unë mendoj se Shqipëria ka pak për tu “penduar” në këtë fushë. Kjo nuk do të thotë që gjatë rrugës drejt industrializimit nuk duhet të miratohen dhe të zbatohen ligje të rrepta për të parandaluar ndotjen e panevojshme të mjedisit nga industritë, mbetjet toksike dhe dëmet hidrogjeologjike. Në qoftë se fillojmë me teknologjitë e avancuara që ndihmojnë në uljen e emetimeve dhe kursejnë energjinë do të kemi përfitime edhe nga pikëpamja ekonomike.

Pyetje: A mendoni se objektivi i rritjes ekonomike, që kanë sot qeveria shqiptare dhe qeveritë e BE-së, është i realizueshëm krahas atij të pakësimit të emetimeve të karbonit? Deri më sot rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të emetimeve të karbonit. Shpesh projektet për shfrytëzimin e burimeve fosile justifikohen me objektivin e rritjes ekonomike dhe rritjes së punësimit.

Në librin tim unë përpiqem të kombinoj aspektet industriale me ato mjedisore. Nuk mund të trajtojmë veçmas politikat ekonomike nga politikat energjitike e mjedisore. Në qoftë se sot shumë industri shkojnë për të prodhuar në vendet që kanë një kosto relativisht të ulët të energjisë – ndoshta për shkak të prodhimit të energjisë elektrike duke përdorur qymyr si lëndë djegëse – por kanë intensitet të lartë të karbonit është e arsyeshme të supozojmë se, nëse miratohet nga Evropa modeli që unë propozoj, shumë shoqeri do të vijnë për të prodhuar në Shqipëri, sepse energjia këtu ka intensitet të ulët të karbonit. Kjo, do të ishte një mundësi rritjeje industriale shtesë për vendin tonë. 

Pyetje: Shqipëria ka aktualisht një taksë karboni si dhe nga 2015 pritet të ketë një plan për tu përfshirë në bursën e karbonit, ku kompanive të mëdha emetuese të karbonit u vendosen kuota karboni e këto i tregëtojnë në bursë. Cili mendoni se është mjeti më i përshtatshëm për Shqipërinë për të ulur emetimet, taksa e karbonit apo bursa e karbonit?

Asnjë nga këto dy masa. Taksa e karbonit ose varianti i saj, tregu i kuotave të karbonit, që është një tarifë e negociueshme, që në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, mund të zbatohet vetëm brënda për brënda vendit ose në një hapësirë rajonale të përbashkët siç është Evropa. Sipas mendimit tim, më e përshtatshme është që të vendosim kufizime në përmbajtjen e CO2 në mallra/produkte. Kjo do të thotë, të konsiderojmë emetimet si një lëndë e parë që duhet të tatohet me TVSH, njësoj sikur të jenë mallra të prodhuara në Shqiperi, Indi, Kinë, SHBA ose Evropë. Pastaj nëse mallrat janë prodhuar në vende që kanë një miks energjitik të pastër, si Shqipëria, do të kenë TVSH më të ulët, dmth do të ketë një avantazh. Një arsye më shumë për Shqipërinë, që të mos humbasë këtë avantazh konkurrues dhe të vazhdojë të punojë për një miks energjie me intensitet të ulët të karbonit. 

Pyetje: Ka shqetësime se aplikimi i taksës së karbonit apo i bursës së karbonit ndikon negativisht në konkurrueshmërinë e industrisë vendase, për shkak se rrit çmimin e produkteve të prodhuara prej saj. Juve e keni trajtuar këtë problem dhe në librin tuaj. Si mund të zgjidhet ky ngërç?

Në librin tim theksoj që këto masa vetëm të brendshme, penalizojnë industrinë evropiane. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që unë besoj se duhet të hiqen kufizimet në emetime. Unë thjesht them se një mall, një artikull që blejmë duhet të ketë një avantazh në treg, në qoftë se është prodhuar me energji të pastër. Kështu që unë refuzoj aksiomën e pyetjes fosile = industrializim. Për të zhvilluar ekonominë, duke përfshirë industrinë, propozimi im mbështetet mbi idenë që mallrat e “pastra” t’i kushtojnë më pak konsumatorit ndërsa produktet e “ndotura” më shumë.

Pyetje: Panelet fotovoltaike kanë gjetur përdorim të gjerë në rajon, por shumë pak në Shqipëri. Ligji i ri për energjitë e rinvoueshme parashikon pagimin e një tarife promovuese për panelet fotovoltaike. Çfarë incentivash të tjera mendoni se mund të përdoren për të nxitur përhapjen e tyre në Shqipëri, nisur dhe nga eksperienca juaj me Italinë?

Ka shumë masa e mënyra për inçentivimin e energjivë të rinovueshme: çertifikatat e gjelbra, tarifat gjithë-përfshirëse, çmimet minimale të garantuara, shkëmbimi i energjisë me rrjetin, prioriteti i shpërndarjes për të njëjtin çmim tëofruar etj. Çdo tip inçentivi që të miratohet në Shqiperi, është e rëndësishme që të krijojë një mentalitet për kursimin e energjisë dhe për emetime sa më tëpakta. Pra nxitja është e rëndësishme, por jo pa masë, sepse krijon barrë padrejtësisht në faturën e energjisë elektrike. Për më teper në qoftë se energjia është shumë e shtrenjtë (përveç rrezikut të inflacionit), kjo mund të influencojënegativisht konkurrencën industriale. 

Pyetje: Sektori i transportit është sektori më i varur nga burimet fosile dhe sektori ku ka më pak përparim në zëvendësimin e tyre me energji të rinovueshme. Shqipëria ka një plan kombëtar të transportit deri në 2030, ku gjithë investimet parashikohen në rrugë. A mendoni se po ecim në drejtimin e duhur me këtë plan? Çfarë po bën Italia në këtë drejtim?

Nuk e njoh planin e transportit të Shqipërisë, por padyshim mund të them që sektori i transportit është më i varur nga lëndët djegëse fosile, nëse ne shkojmë me makinë edhe për të hedhur plehrat. Është thelbësore që Shqipëria, përveç autostradave të mira, të programojë edhe një transport efikas hekurudhor: trena për të udhëtuar nga një qytet në tjetrin dhe tramvaji është një zgjidhje e shkëlqyer per qarkullimin në qytet dhe është më lirë në krahasim me metropolitanen nëntokësore për shumicën e rrugëve. Edhe në Itali është duke u planifikuar ri-përdorimi i këtij mjeti  transportit të hershëm e romantik. Pastaj, në qytetet e Shqiperisë ende përdoret biçikleta. U bej thirrje Kryebashkiakëve për të bërë korsi biçikletash.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: