Posted by: ekolevizja | December 10, 2014

Arkitektura e Blertë në Shqipëri

Nga: Prof. Aleko Miho

MINOLTA DIGITAL CAMERA

Në këto dy fundjava duke lëvizur në drejtim të jugut të vendit vura re një dukuri të shumë dëshiruar që më jep kënaqësi dhe shpresë. Duke filluar nga Tirana deri në Rrogozhinë po punohet mirë, jo vetëm për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore, por edhe për sistemimin e buzëve të rrugëve dhe gjelbërimin e tyre, pra veshjen anësore të tyre me bimë, atë që sot rëndom në vendet e zhvilluara është pjesë mjaft e lëvruar e Arkitekturës së Mjedisit. Gjithashtu, në kuadrin e periudhës së pyllëzimit në faqen e Ministrisë së Mjedisit dhe në informacionet në media kemi vënë re përpjekjet për pyllëzim, si ato të kurorës së gjelbër në pellgun e Bovillës, në Tushemisht etj. Të gjitha këto veprimtari i përshëndes fuqishëm dhe përgëzoj gjithë aktorët nismëtarë nga Ministria e Mjedisit e deri në bazë, qeveritarë vendorë dhe organizata joqeveritare.

Uroj që kjo të jetë kthesë për një çështje të tillë madhore si gjelbërimi i vendit dhe shëndoshja e pyjeve, një plagë e thellë e trashëguar që nga sistemi i kaluar dhe e rënduar skajshëm në këto dhjetëvjeçarë të tranzicionit të tejzgjatur të vendit, nga e cila varen shumë aspekte jetike të zhvillimit dhe mbijetesës sonë në breza. Kjo ka qenë arsyeja që para disa vitesh, bashkë me specialistë të tjerë të pyjeve, kemi këmbëngulur për shpalljen e një Moratoriumi për të ndaluar për 10 vjet prerjet e pyjeve për tregti në të gjithë vendin, sidomos eksportin e drurit dhe të qymyrdrurit. Sot është përmbushur të paktën ndalimi i eksportit të qymyrdrurit. Por ende jemi larg kontrollit në pyje dhe prerjes pa kriter të drurit madje dhe në zonat tona të brishta dhe të mbrojtura, dhe ende larg zbatimit të parimeve të arkitekturës së gjelbër brenda territorit shqiptar.

I nxitur nga veprimtaritë nismëtare të sipërpërmendura dhe me qenë se jemi në zemër të muajit të pyllëzimit, do të dëshiroja të jepja jo vetëm mbështetjen time, por edhe përvojën dhe njohuritë e mia si botanist për përmirësimin e veprimtarisë gjelbëruese dhe të parimeve të arkitekturës së mjedisit. Për më tepër, mbetem gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar me çdo lloj bashkëpunimi institucional për një gjelbërim të shpejtë, por edhe të qëndrueshëm dhe brenda kritereve të mbrojtjes së vlerave të natyrës sonë.

Këto nisma janë vetëm fillimi dhe na mbetet shumë për të bërë për të ripërtëritur gjendjen, për këtë duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm dhe bashkëpunues të gjithë, e gjithë shoqëria shqiptare, sidomos forca më e gjallë e vendit, rinia, dhe veçanërisht rinia shkollore, për t’u bërë palë me nismat qeveritare qendrore apo vendore për gjelbërimin e vendit, duke filluar nga oborri i shtëpisë deri në kurrizin e majave të maleve nga ku fillojnë të rrjedhin ujërat. “Të mbjellësh një bimë nuk duhet flori, vetëm pak ujë dhé dhe dashuri …’, thotë populli, dhe për këtë nuk është asnjëherë vonë.

Gjendja e blertë sot dhe pasojat

Për fat të keq gjelbërimi dhe gjendja e mbulesës bimore në vend mbetet kritike, kjo më e theksuar në hapësirat kodrinore dhe malore me pyje të prera, të djegura dhe të rrëgjuara skajshëm, në hapësirat bujqësore të braktisura, në livadhet paramalore e malore të tejkullotura, në brezin pyjor mesdhetar dhe dunat bregdetare të dëmtuar rëndë, në rrethinat pranë gjithë zonave të rrugëve në ndërtim, të zonave urbane, të zonave industriale, përfshirë dhe zonave turistike. Ka një tregues shumë të thjeshtë, ndër të tjera dhe shumë të lehtë për t’u matur, që është sasia e lëndëve të ngurta pezull në ujërat sipërfaqësore (TSS, Total Suspended Solids). Vlera e detyruar e  këtyre lëndëve për ujërat sipërfaqësore në vendet e BE-së nuk duhet të jetë më e madhe se 25 mg/L.

Nga Raporti i fundit (2013) i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, sasia këtyre lëndëve shkon për Ishmin deri në 226 mg/L (9 herë më e lartë), për Erzenin deri në 112 mg/L (mbi 4 herë), për Shkumbinin deri në 74 mg/L (rreth 3 herë), për Semanin 222 (rreth 9 herë), për Vjosën deri në 117 (mbi 4 herë). Këto vlera tregojnë qartë se fuqia gërryese e shpatit dhe erozioni në pellgjet ujëmbledhës të këtyre lumenjve mbetet shumë e lartë. Kjo padyshim shoqërohet me humbje të madhe të tokës, por dhe të biodiversitetit bimor dhe shtazor, shpesh kjo edhe me pasoja ekonomike (varfërim bimësh me vlera pyjore, aromatike-mjekësore, kullësore etj.), me dëmtim të cilësisë së ajrit, të ujërave, me pasoja deri në bregdet, gjithashtu me pasoja për biodiversitetin ujor (përfshirë këtu edhe peshqit dhe shpendët ujorë), por me pasoja dhe në përmbytje, shkarje dherash, varfërim ujërash nëntokësore, ashpërsim klime, deri dhe ulje vlerash turistike të vendit.

Çfarë duhet të mbajnë parasysh sot arkitektët e gjelbër në vend?

Në rrugën Tiranë-Durrës, dhe në rrugën e zonës së Plazhit, Durrës, ndër të tjera të bie në sy mbjellja e palmave. Nuk kam asgjë kundër palmave. Kur rriten mirë ato janë bimë zbukuruese tërheqëse dhe mjaft çlodhëse. Por për fat të keq, palmat në rajon po kalojnë një periudhë krize pasi sulmohen nga një insekt (koleopter i kuq – Rhynchophorus ferrugineus), i cili pushton majën e palmës, ushqehet dhe shtohet bollshëm në të dhe shpejt e detyron bimën të thahet. Fqinjët tanë italianë përpiqen me shumë mundim të mbrojnë dhe mbajnë në jetë palmat në parqet e tyre. Ne kishim dy palma shumë të bukura para hyrjes së Fakultetit (FShN, UT) në bulevard dhe patën po këtë fund fatal! Në rrugën e Plazhit të Durrësit edhe pak vite më parë u mbollën palma dhe shpejt të gjitha dështuan. Me keqardhje ve re se në këtë zone gjelbëruesit njohin pak edhe biologjinë bimore, pasi bimës i kanë lënë vetëm një pëllëmbë, duke e vënë atë në sprovë të vështirë për të mbijetuar. Të nderuar specialistë, bimët duan ca dhe në bazë që të mund të rriten shëndetshëm! Mos harroni që në rrugë ato kanë edhe mjaft stres nga ndotja që krijon trafiku i dendur dhe klima e ashpër jashtë vendit të tyre të origjinës!

Duke marrë shkas nga shembulli i qartë i palmave, dua të theksoj se palma nuk është bimë e florës sonë. Nuk janë bimë të florës sonë edhe drurë të tjerë zbukurues të mbjellë vitet e fundit në rrugët e qendrës së Tiranës dhe të ndonjë qyteti tjetër. Në parim unë do të nxitja fuqishëm shtimin në vend dhe mbjelljen e bimëve tona vendase. Kjo për shumë arsye.

Së pari, është një degë e ekonomisë që mund të jetë gjithmonë fitimprurëse. Duke qenë vendase farat dhe fidanët e bimëve vendase janë më të përshtatura me klimën e vendit dhe shërbimi për to do ishte më i lehtë. Bimët vendase nuk bartin rrezikun e ndotjes gjenetike me bimët e tjera spontane përreth, rrezik sot në rritje në mbarë botën për humbjen e biodiversitetit nga mbjellja e bimëve aliene.

Së fundi, nëpërmjet praktikave pyllëzuese, zbukuruese etj. mund të mbahen në jetë dhe shtohen shumë bimë të rralla dhe të kërcënuara, sidomos ato me interes ekonomik, që bëjnë pjesë në listën e kuqe të florës shqiptare.

Ne jemi vërtet, vend i vogël, por kemi një florë që liston deri në 3500 lloje, për të cilën na kanë zili shumë vende të tjera. Shqipëria zë vend të veçantë për sa i përket sasisë së llojeve bimore në njësinë e sipërfaqes, pasi ka rreth 10 herë më shumë lloje në 1000 km2 se vlera përkatëse e kontinentit evropian. Kjo do të thotë se brenda territorit shqiptar ka larmi të madhe habitatesh, që strehojnë dhe japin mundësi rritje për larmi të madhe flore dhe faune. Për këtë, të përfundosh në blerje farash dhe fidanësh nga jashtë për zbukurim apo pyllëzim do ishte marri për një vend si Shqipëria.

Përkundrazi, Shqipëria mund të ishte shumë mirë tregtuese farash apo fidanësh bimësh vendase, si dru-frutorë, bimë zbukuruese, pyjore apo bimë me vlera industriale. Ne mund të jemi gjithmonë në krye edhe të tregtimit të produkteve me origjinë bimore, përfshirë këtu edhe dru zjarri, qymyr apo bimë mjekësore, por kjo nuk mund të bëhet pa masa të forta ripërtëritëse dhe mbarështuese.

Për këtë rekomandoj fort nga ministritë përgjegjëse dhe pushteti vendor për nxitjen dhe mbështetjen e ngritjes së fidanishteve dhe të praktikave mbjellëse dhe prodhuese të farave dhe fidanëve në vend, për bimë me rëndësi pyllëzimi për të luftuar erozionin, për bimë mjekësore apo zbukuruese.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: