Posted by: ekolevizja | December 2, 2014

Infrastruktura e ujit të pijshëm: shpërdoruese e madhe e energjisë

Nga Xhemal Mato

Impianti diellor ne Korce

Impianti diellor në ujësjellësin e Korçës 

Shqipëria njihet si një nga vendet me kapacitete ujore nga më të lartat në botë, por që “kap” dhe shfrytëzon vetëm 28-30% të mundësive e potencialeve ujore të saj. Ndërmarrjet e ujësjellësit prodhojnë një mesatare prej 320 litrash ujë të pijshëm në ditë për banorë, një sasi më se e mjaftueshme për të gjithë popullatën. Por gjendja reale është mungesa e ujit të pijshëm.

Edhe në qytetet ku statistikat raportojnë një mesatare prej 12 orësh furnizim me ujë në ditë, gjendja reale është 4-5 ore ujë në ditë. Vetëm në 7 qytete, ndërmarrjet e ujit arrijnë të furnizojnë 24 orë me ujë  të pijshëm, me presion të mirë dhe të mbulojnë kostot e shërbimit.

Për shkak të mosfurnizimit pa ndërprerje me ujë me mijëra depozita e pompa uji private janë instaluar nëpër pallate e shtëpi, çka shton kostot e furnizimit.

Në koston e ujit, rreth 40 përqind e zë vlera e energjisë elektrike. Kjo sasi energjie përbën 5% të energjisë së përdorur në gjithë Shqipërinë. Në se shtojmë dhe energjinë që përdorin komunat dhe familjet për të marrë ujë, atëhere energjia e plotë e shpenzuar për ujin e pijshëm në rang vendi shkon 11-12 % të energjisë totale të faturuar  në vendin tonë, ose 2.0 milionë Euro në muaj. Për çdo m3 ujë të shitur e paguar harxhohen 4.5 kWh energji elektrike, ose 9-10 herë më shumë se sa harxhohet në Gjermani, Austri.

Ndërmarrjet e ujësjellësit nuk janë në gjendje të shlyejnë faturat e energjisë elektrike. Nisur nga kjo, Qeveria shqiptare u detyrua në fillim të vitit 2014 të subvencionojë ndërmarrjet e ujësjellësave me 20 milionë Euro për të shlyer borxhin që ato i kishin krijuar te CEZ-i. Por kjo ndërhyrje nuk ndryshoi asgjë në administrimin e ujesjellësave.

Kjo situatë e pergjithëshme e ujit tregon se ky sistem është i sëmurë. Prandaj qeveria në bashkëpunim me GIZ ka filluar një program të emertuar “Reforma në sektorin e ujit”, i cili synon përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve në Shqiperi nëpërmjet asistencës teknike dhe menexheriale për Qeverinë, asistencës ndaj ndërmarrjeve në lidhje me efiçencën e energjisë si dhe optimizimin e energjisë në sistemin e ujësjellsave. Aktualisht, janë duke u financuar nga qeveria gjermane ose janë financuar vepra të sektorit të furnizimit me ujë në qytetet Korçë, Berat, Kuçovë, Lushnje, Fier, Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Lezhë, Kamëz, Shkodër, Delvinë, Librazhd, Prrenjas dhe në më shumë se 130 fshatra.

Qyteti i Pogradecit është një prej shembujve pozitiv në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujrave të zeza. Prej disa vjetesh, që kur perfundoi projekti i ri i ujesjellesit, në çatite apo taracat e ndërtesave nuk ka më depozita uji dhe pompa shtëpiake uji. E gjithë sasia e ujit matet dhe kontrollohet në çdo moment nëpërmjet matsave inteligjent. Ky lloj sistemi i kontrollit ka rritur te ardhurat e ndërmarrjes duke e kthyer atë me bilanc pozitiv. Përmirësimi i furnizimit me ujë ka përmirësuar dhe pagesën e ujit nga popullata. Nga ana tjetër sigurimi i 24 orëve ujë të pijshëm ka lehtësuar banorët ekonomikisht mbasi ata nuk blejnë më ujin e amballazhuar.

Gjithashtu qyteti i Korçes prej vitesh përbën një shembull pozitiv në fushën e furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe pastrimit të ujrave. Sot ujësjellesi i Korçës funksionon me parametra optimal teknik dhe ekonomik. Ndërmarrja e ujësjellës dhe kanalizimeve në Korçë, prej vitesh jo vetëm që mbulon shpenzimet e veta por siguron të ardhura për rritjen dhe përmiresimin e shërbimit. Një shembull pozitiv dhe qe duhet ndjekur nga të tjerët në këtë drejtim është investimi që ka bërë ndërmarrja vitin e fundit në prodhimin e energjisë elektrike nga energjia diellore. Kjo energji diellore arrin 1.0 mega wat në momentin e pikut duke u futur në rrjetin elektrik.

Qyteti i Ersekës është një shembull tjetër në përdorimin efiçent të energjisë elektrike. Uji i pijshëm vjen nga burimet e Gramozit me rrjedhje të lirë në depon e ujit të qytetit. Prej andej shpërndahet në qytet me presionin e duhur. Kështu që dhe Erseka ka ujë të pijshëm të vazhdueshëm. Qytetarët e Ersekës nuk blejnë ujë të amballazhuar për familjen e tyre. Mbi 95 % e banorëve të Ersekës e paguajnë rregullisht konsumin e ujit të pijshëm ndonëse një pjesë e tyre nuk kanë matësa uji.

Kurse Patosi është ndër qytetet që vuan pasojat e mungesës së ujit. Burimet e ujit janë 15 km larg. Për të transportuar ujin deri në qytet, përdoren 3 stacione pompimi të fuqishëm. Këto stacione kanë pajisje të vjetëruara, jo efiçente dhe që s’garantojnë punë të vazhdueshme. Uji ngrihet nga 3 stacionet e pompimit (njëri pas tjetrit) deri në kuotën 406 m mbi nivelin e detit (shih skemën) dhe që aty gjysma e ujit zbret në kuotën 126 m ku janë edhe depot e ujit të qytetit. GIZ propozon ndërtimin e një ujësjellsi të ri i cili do të dërgojë ujin direkt në depot e ujit të qytetit në kuotën 126 m duke shpenzuar vetëm 30% të energjisë që shpenzojnë pompat e sotme dhe duke depozituar 3 herë me shumë ujë. Vlera e ndërtimit të këtij ujësjellsi që do të sigurojë 24 ore ujë të pijshëm vetëshlyhet vetëm nga kursimi i energjisë elektrike brenda një periudhe prej 2.7 vjetësh.

Si qyteti i Patosit ka shume qytete të tjerë në Shqipëri.

Format e kursimit të energjisë elektrike nuk janë vetëm duke përmirësuar sistemin e pompimit të ujit, pra thjeshtë duke zëvendësuar pompat e vjetra me të reja me rediment të lartë por edhe duke reduktuar sasinë e ujit që ndërrmarjet nuk e kontrollojnë dot dhe duke bërë që edhe konsumatorët e çdo lloji të ndërgjegjësohen e të paguajnë koston e shërbimit. Janë njerëzit pronarët e parë të ujit e infrastrukturës së tij.

Por janë ata gjithashtu që duke e vleresuar dhe mirëtrajtuar ujin mund të arrijnë të kthejnë çdo qytet dhe fshat të Shqiperisë me 24 orë ujë të pijshëm dhe të sigurt.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: