Posted by: ekolevizja | November 27, 2014

Romët e Tiranës të shqetësuar për të ardhmen e tyre

Nga Rita Strakosha

Rreth 6000 vende vetëpunësimi në riciklim, kryesisht të romëve, janë në rrezik nga modernizimi i grumbullimit të mbetjeve duke i diferencuar ato që në burim. Në një vizitë në kampin e ngritur nga mbi 500 romë në periferi të Tiranës, ky shqetësim ishte shumë i dukshëm. Grupi i tyre është shpërngulur me forcë nga Stacioni i Trenit, në buzë të Lanës, e tashmë barrakat i kanë buzë autostradës për në Elbasan. Pothuaj i vetmi burim të ardhurash për ta është riciklimi dhe humbja e tij është çështje jete a vdekjeje. Në këtë shqetësim, ndihen të braktisur e vizita jonë ua shton zemërimin.

Sipas kryetarit të shoqatës së romëve, Artur Furtuna, sasia e materialeve të ricikluara për çdo të vetëpunësuar ka ardhur duke u pakësuar sepse janë shtuar grumbulluesit. Një pjesë e tyre kanë kaluar në riciklimin e mbetjeve nga riciklimi i rrobave të përdorura, ku mbyllja e një biznesi që riciklonte rroba ka nxjerrë shumë romë të papunë. Gjatë verës puna në riciklim shtohet, ndërkohë gjatë viteve ai nuk ka vënë re ndonjë ndryshim në sasinë totale të materialit të disponueshëm për riciklim.

Përveç romëve që punojnë në koshat publikë të bashkisë, në landfillin e Sharrës punojnë rreth 50 gra rome të punësuara nga firma që mirëmban këtë landfill. Ato paguhen 500-700 lekë-ditë për të diferencuar mbetjet. Landfilli është i rrethuar e ruhet me roje private. Gjysma e mbetjeve të tij është e mbuluar me dhera e inerte të sjella nga firmat e ndërtimit si mbetje, kurse gjysma tjetër është e zbuluar e lëshon një ajër të rëndë që përshkon gjithë zonën rreth landfillit.

IMG_20141126_122402_0

Landfilli i Sharrës

Përpara se landfilli të ruhej me roje, në të punonin me qindra grumbullues mbetjesh. Sipas drejtorit të Shoqatës së Ricikluesve, Z. Vullnet Haka, riciklimi në landfill është një praktikë e papranueshme nga fabrikat e riciklimit. Gjatë transportit të përzier të mbetjeve të riciklueshme me të rrezikshmet, të parat kontaminohen dhe nuk pranohen nga fabrikat e riciklimit. Kjo çoi dhe në dështimin e përpjekjeve të bashkisë përpara disa viteve për të eliminuar grumbulluesit individualë të mbetjeve nëpër kosha, e zëvendësuar ata me diferencimin në landfill, të kontrolluar nga një firmë private. Qindra romët e dëbuar nga riciklimi në landfill tashmë grumbullojnë kosh më kosh në Tiranë. Por edhe prej këtej do të dëbohen së shpejti, me diferencimin e mbetjeve që në burim e grumbullimin e diferencuar të tyre nga një ndërmarrje e liçencuar nga bashkia. Brenda vitit 2018 mbetjet duhen grumbulluar në mënyrë të diferencuar. Plani i Bashkisë së Tiranës është që grumbullimi të kryhet në kosha nëntokësorë, ku grumbulluesit individualë nuk mund të kenë akses, e këtu të mblidhen nga kompania konçesionare.

Shoqata e Romëve si dhe Shoqata e Ricikluesve kërkojnë që rrjeti aktual i grumbulluesve riciklues të përfshihet në skemën e re të grumbullimit. Nëse aktualisht ka 7000 grumbullues riciklues në Tiranë, sistemi i menaxhimit të integruar të mbetjeve mund të punësojë 600-700 persona, të tjerët do të mbeten pa punë. Ideja e shoqatës së romëve është që të punësohen kryefamiljarët më në nevojë. Në kontratën konçesionare me firmën e menaxhimit të mbetjeve bashkia mund të përfshijë një klauzolë që të paktën 30% e të punësuarve të vijnë nga rrjeti aktual i grumbulluesve riciklues.

IMG_20141126_125942_0

Mbetje plastike në Fabrikën Everest

Në një vizitë në fabrikën e riciklimit Everest-IE, njihemi nga afër me produktet që prodhohen nga materialet e sjella nga grumbullues-ricikluesit. Në hyrje të fabrikës gjthë sheshpushimi është mbushur me mbetje plastike, kurse në brendësi të saj makinëritë punojnë me zhurmë e nxjerrin vazhdimisht peletat e plastikës së ricikluar. Drejtori i fabrikës, njëkohësisht dhe drejtor i Shoqatës së Ricikluesve, Z. Vullnet Haka, na shpjegon ciklin e prodhimit: si mbetjet plastike grihen, lahen, thahen, pastaj shkrihen, priten në peleta të cilat dalin si produkt gjysëm i gatshëm.

IMG_20141126_130751_0

Peleta plastike

Peletat mund tu shiten fabrikave të prodhimit të plastikës siç janë, si lëndë e parë. Në fabrikën Everest-IE ka dhe linjë prodhimi plastike, ku peletat përdoren si lëndë e parë për të prodhuar ndër të tjera qese mbeturinash. Për prodhimin e plastikës që është në kontakt me ushqimet fabrika përdor lëndë të parë nënprodukte të naftës, të cilat vijnë nga rafineria e Ballshit.

Për Shoqatën e Ricikluesve rrjeti i grumbulluesve riciklues është një investim për të gjithë shoqërinë. Pa to gjithë mbetjet që shohim në fabrikë do të ishin duke ndotur nëpër landfille a buzë lumenjve. Prandaj ky rrjet grumbulluesisht duhet përfshirë në skemën e re të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Në organet vendore duhet të ketë personel profesional, të qëndrueshëm, i cili të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e menaxhimit të mbetjeve.

Gjithsesi, realizimi i menaxhimit të integruar të mbetjeve do të duhet të realizohet në hap me reformën territoriale. Deri atëhere, romët e Tiranës do të presin me ankth se çfarë do të ndodhë me ta.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: