Posted by: ekolevizja | October 13, 2014

Nëse përballemi me një krizë nafte

  Nga Rita Strakosha

nxjerrja e naftes

Në korrik Komisioni Europian publikoi një studim mbi sigurinë energjitike të Europës, përfundimet e të cilit ju komunikuan dhe Parlamentit e Këshillit Europian. Sipas studimit, vartësia e Europës ndaj importit të burimeve fosile si nafta, qymyri e gazi po dhe do të rritet për shkak të pakësimit të prodhimit të tyre në Europë. Nga viti 1995 deri në 2012 prodhimi i naftës në Europë u pakësua me 56%, prodhimi i gazit natyror me 30%, kurse prodhimi i qymyrit me 40%. Perspektiva është për pakësim të mëtejshëm.

Varësia e Europës nga importi mund të sjellë çrregullime në furnizimin me naftë e mungesa të naftës në treg. Raporti parashikon disa mundësi veprimi në rast mungese të naftës në treg. Këto strategji janë relevante dhe për Shqipërinë. Shqipëria aktualisht është në fazë bumi të prodhimit të naftës. Por sa më shumë naftë nxirret sot aq më shumë afrohet dita kur prodhimi vendas do të fillojë të pakësohet e do të përballemi me të njëjtën situatë me të cilën përballet Europa. Metodat e reja të nxjerrjes së naftës që po aplikon Bankers Petroleum në Shqipëri vërtet sjellin një bum në prodhim, por përshpejtojnë dhe rënien e prodhimit pas përfundimit të bumit. Edhe në rast rritjeje të vazhdueshme të prodhimit shqiptar të naftës bruto, një konkurrencë në rritje mes vendeve të rajonit për aksesin ndaj naftës shqiptare e asaj të huaj do të sillte pasoja negative në furnizimin vendas.

 

Çfarë masash mund të marrin konkretisht shtetet europiane në rast skarciteti të naftës në treg? Sipas raportit: 

Stoqet e emergjencës janë mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë e sigurimit të vëllimeve të mëdha të nën-produkteve të naftës për tregun. Kjo do të parandalonte rritjen e çmimit të naftës dhe pasojat negative të mungesës së naftës në ekonomi. Për BE-në ky është dhe mjeti kryesor i përgjigjes ndaj emergjencës në furnizim.

Vendet e BE-së janë të detyruara me direktivën 2009/119/EC që të mbajnë stoqe nafte në sasi aq saç  kanë importin neto të 90 ditëve ose sa konsumi i 61 ditëve, cilido qoftë më i lartë. Direktiva përcakton dhe proçedurat e emergjencës të cilat zbatohen kur stoqet hidhen në treg.

Kufizimi i kërkesës: Me pakësimin e përkohshëm të përdorimit të naftës në një sektor, lirohet presioni i kërkesës për naftë. Masat kufizuese zakonisht synojnë sektorin e transportit, sepse këtu konsumohet kryesisht nafta. Kufizimi i kërkesës mund të realizohet me fushata informimi që inkurajojnë njerëzit të përdorin më shumë transportin publik, deri tek ndalimi i qarkullimit për makinat me targa teke/çifte. Shumica e këtyre masave kanë kosto të ulët dhe mund të aplikohen me shpejtësi, por kërkojnë mbështetjen e publikut (i cili nganjëherë nuk mbështet) dhe kontrollin e administratës. Kufizimi i kërkesës mund të frenojë aktivitetin ekonomik dhe lëvizshmërinë. Masat e kufizimit të kërkesës shpesh kanë efekt të vogël (psh. pakësimi i shpejtësisë së lëvizjes) dhe/ose duan kohë për të pasur impakt në konsum (psh. inkurajimi i eko-ngarjes).

Në rast të ndërprerjes serioze dhe të zgjatur të furnizimit, grupet e preferuara të konsumatorëve të naftës si psh. spitalet, zjarrfikësit, duhet të kenë furnizim të mjaftueshëm me naftë, çka mund të nevojisë përdorimin e kuotave/ racionimit të naftës.

Sipas legjislacionit europian, vendet anëtare duhet të jenë në gjendje të pakësojnë kërkesën dhe të racionojnë naftën në rast ndërprerje të furnizimit me të. Direktiva 2009/119/EC u kërkon që “të përcaktojnë kufizime të përgjithshme ose specifike të konsumit të naftës në përpjestim me furnizimin e munguar, ndër të tjera, duke u dhënë të drejtën për konsum grupeve të caktuara të konsumatorëve sipas rradhës së prioritetit.”

Zëvendësimi i naftës ndodh kur nafta zëvendësohet nga karburantë të tjerë. Psh., nafta e përdorur për elektricitet ose për ngrohje, mund të zëvendësohet nga karburantë të tjerë si gazi natyror. Megjithatë, mundësia e përdorimit të zëvendësuesve është e kufizuar. Shumica e naftës përdoret në transport dhe në industrinë petrokimike, ku është e vështirë ose e pamundur të zëvendësohen sasi të konsiderueshme nafte në kohë të shkurtër.

Rritja e përkohshme e prodhimit vendas parimisht mund të zgjidhë përkohësisht problemin. Por është e vështirë rritja e menjëhershme e prodhimit.

Lehtësimi i standarteve teknike të produkteve. Komisioni mund të autorizojë këtë në raste të jashtëzakonshme.

Organizata ndërkombëtare e energjisë, IEA, parashikon dhe rialokimin e naftës nga vendet më pak të prekura nga kriza e furnizimit tek vendet më shumë të prekura. Por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Ndërgjegjësimi i publikut shqiptar për perspektivën e mundshme të mungesave në furnizimin me naftë është shumë i ulët. Strategjia jonë kombëtare e transportit mbështetet plotësisht në transportin me hidrokarbure dhe veçanërisht në transportin me automjete private. Mungesa të mundshme të furnizimit me naftë do të na gjenin me një sektor transporti plotësisht të papërgatitur.

Strategjia kombëtare e sigurisë e aprovuar me Ligj nr. 103/2014, datë 31.07.2014, përcakton si objektiv “zbatimi i një strategjie kombëtare, transparente dhe të integruar, për garantimin e sigurisë energjetike, duke shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme pasuritë ujore, diversifikuar burimet e prodhimit të energjisë dhe realizuar lidhje efektive me rrjetet rajonale dhe europiane të transmetimit bashkë me krijimin e rrjetit dhe tregut të brendshëm të gazit”. Kjo strategji e barazvlerëson krizën energjitike me krizën në sektorin e energjisë elektrike dhe nuk identifikon rrezikun e një transporti plotësisht të varur nga burimet fosile. Strategjia e ardhshme shqiptare e sigurisë energjitike si dhe ajo aktuale e transportit duhet të përfshijnë këtë rrezik dhe masat për përballimin e tij në analizën e tyre.

Si masa afatgjata për pakësimin e ndikimit në ekonomi të një krize nafte mund të konsiderohen zhvillimi i hekurudhave e transportit detar; planifikimi urban i qyteteve të dendura; nxitja e udhëtimit me biçikleta; me këmbë; nxitja e bujqësisë peri-urbane etj.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: