Posted by: ekolevizja | June 10, 2014

Rritja jo-ekonomike e ekonomisë!

Nga Rita Strakosha, botuar fillimisht në gazetën “Shekulli”

Kuptimi i fjalës ekonomik është: “që bën të mundshëm e lehtëson shpenzimin me masë e me kujdes të mjeteve e të lëndëve ose kursimin e tyre”. Politikat tona të sotshme ekonomike janë larg të qenit kursimtare.

I gjithë fokusi i politikave fiskale, monetare dhe licencimit është te nxitja e rritjes së prodhimit. Rritja e prodhimit është realizuar ose po kërkohet në sektorët e minierave, në ndërtim, bujqësi, sektorin financiar dhe në shërbime. Por rritja e prodhimit në secilin nga këta sektorë sjell problematika ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Në krom kemi 35 milion ton rezerva të provuara, të cilat janë të mjaftueshme për 46 vjet. Në naftë, rezervat aktuale (25 milionë ton) mjaftojnë për 25 vjet. Në prodhimin e çelikut, fakti që grumbulluesit e skrapit u janë drejtuar koshave bashkiakë, këndeve të lojërave, vjedhjes së automjeteve e deri dorezave të dyerve të qytetarëve, për t’i çuar për skrap, tregon se ka një problem me lëndën e parë në uzinat tona të çelikut.

Pra mund të rrisim prodhimin e këtyre mineraleve, por rrezikojmë furnizimin tonë afatgjatë me to. Nëse i shterojmë shpejt do të lëmë brezat e ardhshëm pa burime.

Në ndërtim, për të plotësuar kërkesën për rërë e zhavorr, ekskavatorët ligjorë e të paligjshëm po i boshatisin shtretërit e lumenjve. Por rëra dhe zhavorri kanë një funksion më të rëndësishëm se të qenit përbërës të betonit: ato filtrojnë ujin e lumenjve e përrenjve, duke e pastruar nga llumrat dhe kthejnë në ujë të pijshëm. Gjithashtu, rëra e zhavorri shërbejnë si rezervuarë të ujit. Nëse nuk do të kishte rërë e zhavorr nëpër lumenj, do të kishim më pak ujë të grumbulluar e më shumë përmbytje. Ky shfrytëzim pa kriter u bë shkak që nga 1 nëntori 2011 të vendoseshin kufizime në shfrytëzimin e inerteve të lumenjve.

Rritja e sektorit të ndërtimit është bërë gjithashtu në kurriz të sektorit të bujqësisë, ku tashmë kemi vetëm 1.8 dynym tokë bujqësore për frymë, më pak se vendet europiane. Kemi ndërtuar dhe vazhdojmë të ndërtojmë në mes të tokave më të mira bujqësore.

Nëse arrijmë të ruajmë prodhimin në bujqësi do të jemi me fat. Pritet që me ndryshimet klimatike në Shqipëri temperaturat të rriten mesatarisht me 1.5 gradë celcius deri në vitin 2050. Shpeshtimi i valëve të të nxehtit, pakësimi i reshjeve  në maj-shtator pritet të sjellin rënie të prodhimit tek ullinjtë, rrushi e në blegtori. Të gjitha kulturat bujqësore do të jenë negativisht të prekura për shkak të përmbytjeve dhe thatësirës.

Sektori i shërbimeve kufizohet nga furnizimi me lëndë të parë e energji në zgjerimin e tij.

Për sa i përket sektorit financiar, rritja e tij e shpejtë dhe jo në kohezion me pjesët e tjera të ekonomisë, do të sillte një ekonomi borxhi. Me krizën e parë, i gjithë sektori bankar, dhe bashkë me të ekonomia, do të rrezikojnë rënien si një kështjellë letrash.

Ekonomia duhet të tejkalojë dogmën e rritjes e të kthehet në ekonomi cirkulare, ose ndryshe e riciklimit. Duhet të shfrytëzojmë më pak burime dhe ato që përdorim duhet t’i riciklojmë.

Rritja ekonomike është imponuar ndaj sektorëve të tjerë të ekonomisë nga sektori financiar, ndaj të cilit qeveria dhe bizneset tona kanë borxhe me interesa. Shlyerja e borxheve ua bën domosdoshmëri rritjen e të ardhurave. Herët ose vonë, edhe sektori financiar do të duhet të përshtatet ndaj kufijve fizikë të rritjes, dhe në vend të pengesës së transformimit të ekonomisë në cirkulare të kthehet në nxitës të saj.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: