Posted by: ekolevizja | June 3, 2014

Qeset, akciza dhe tregjet e fruta-perimeve

Nga Rita Strakosha, botuar fillimisht në mjedisisot.blogspot.com

qese plastike

Në vitin 2012 u aprovua një  VKM, tashmë e harruar, mbi amballazhet. Për të kujtuar lexuesit dhe ata që e kanë aprovuar, kjo është VKM nr. 177 “Për amballazhet dhe mbetjet e tyre”. Sipas kësaj VKM-je nga 1 janar 2013 do të ndalohej përdorimi, importimi dhe prodhimi i qeseve të pabiodegradueshme. Në treg do të përdoreshin vetëm qeset e biodegradueshme, të cilat do të kishin dhe një shenjë dalluese. Nuk kam parë ende një qese të vetme me shenjën e biodegradimit mbi të. Kjo VKM vdiq pa lindur ende. Por një efekt anësor e ka pasur: qeveria pas aprovimit e fjeti mendjen se problemi i qeseve, të paktën në letra, u  zgjidh.

Pengesa kryesore në zbatimin e VKM-së, sipas burimeve në industrinë e plastikës, është çmimi i lartë i qeseve të biodegradueshme. Këto shqetësime atëherë me sa duket qeveria nuk i mori parasysh, dhe vazhdoi me aprovimin e VKM-së. Industria po ashtu nuk i mori parasysh shqetësimet e qeverisë dhe vazhdoi me prodhimin dhe shitjen e qeseve te pabiodregadueshme. Si mund të zgjidhet ky problem mjedisor, në dukje banal, por po aq kokëfortë, i qeseve?

Qeveria së pari duhet të pranojë se VKM-ja nuk po zbatohet, ndoshta për arësye të mirë, dhe të rishikojë përmirësimin e saj duke pasur parasysh kostot e zbatimit. Mjet tjetër, që mund të përdoret për pakësimin e qeseve plastike në qarkullim, është akciza. Aktualisht ka akcizë mbi qeset plastike, por tepër e ulët për të krijuar një çmim të dukshëm mbi qeset. Në kuvendimin mjedisor të organizuar nga Zyra Qytetare Për Mjedisin përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2013, Qendra “Grupimi Ekolëvizja” propozoi rritjen e akcizës mbi qeset plastike. Në vijim të kuvendimit, një kontratë e gjelbër u firmos nga LSI-ja me kërkesat e shoqatave mjedisore, të ngritura në kuvendimin mjedisor. Në pikën 26 të kontratës së gjelbër kërkohet vendosja e një takse prej 10 lekësh të reja mbi çdo qese plastike. LSI-ja është parti në maxhorancë tashmë dhe ka mundësitë ti ligjërojë premtimet elektorale. Rritja e akcizës mbi qeset është një nga këto.

Pakësimin e përdorimit të qeseve do e lehtësonte adaptimi i tregut dhe shoqërisë ndaj trastave prej cope. Në çdo market e pikë shitjeje nuk ka mundësi blerjeje të fruta-perimeve veçse me qese. Frutat dhe perimet fillimisht peshohen në qese, në peshore elektronike, pastaj merren nga konsumatori. Përpara viteve 90 pikat e shitjes së fruta-perimeve kishin enë të posaçme ku këto peshoheshin. Konsumatorët përdornin rrjeta të ripërdorshme. Kështu nuk kishte nevojë fare për qese plastike. Sot këto enë nuk përdoren fare në pikat e fruta-perimeve. Ti kërkosh dyqanxhiut të mos të të japë qese, ky i fundit të shikon i habitur, dhe në shumë raste ta ngec qesen edhe pa dëshirë. “Kaq koprace qenka, sa do kursejë qesen”-mendon ai me vete. Kurse mjedisores i vjen zor ti thotë, se nuk do të ndotë mjedisin me atë qese, dhe me qindra të tjera që do vijnë pas saj.

Fusha tjetër ku përdorimi i qeseve është pothuaj i pazëvendësueshëm është grumbullimi i mbeturinave shtëpiake. Gjithsesi, me dëshirën e mirë, edhe mbeturinat shtëpiake mund të grumbullohen në koshin e shtëpisë e të derdhen direkte në vendgrumbullimin publik, pa qenë nevoja e përdorimit të qeseve plastike.

Një përdorim i tretë i qeseve plastike, ku këto me vështirësi zëvendësohen, është ruajtja e ushqimeve në temperatura shumë të ulëta. Ngrirja pothuaj gjithmonë realizohet duke i paketuar ushqimet në qese. Heqja e ushqimeve nga ngrirja kështu realizohet me lehtësi. Edhe këtu qesja mund të zëvendësohet me enë.

Megjithë dëshirën e mirë për pakësimin e përdorimit të qeseve, VKM-ve dhe projekteve mjedisore, qeset vazhdojnë të jenë kokëforta, kurse ne duhet të sjellim risi në arsenalin tonë kundër tyre.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: