Posted by: ekolevizja | May 1, 2014

Vizioni i forumit të Konfindustrisë mbi energjinë larg energjisë së qëndrueshme

Nga Rita Strakosha

Pak u fol për energjitë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë në Forumin e Energjisë dhe Industrisë Kosovë-Shqipëri, të organizuar nga Konfindustria më 29 prill në Tiranë. Ndërkohë u fol shumë për qymyrin, naftën e gazin. Qëllimi i forumit ishte identifikimi i sektorëve kryesorë të ekonomisë, i tregjeve të reja, dhe i modelit ekonomik ku duhet të mbështeten bizneset shqiptare.

Z. Gjergji Buxhuku, president i Konfindustrisë, identifikoi si shtyllat e zhvillimit ekonomik mineralet, hidrokarburet, qymyrin, pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë si dhe integrimin ekonomik Shqipëri-Kosovë. Si projekte të mëdha në nevojë për financim ai identifikoi termocentralin “Kosova e Re”, rrjetin e shpërndarjes së gazit në Shqipëri, mirëmbajtjen e autostradave, hekurudhat etj. Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Z. Behgjet Pacolli, përmendi si të nevojshëm shtimin e kapacitetit transmetues ndërkufitar të rrjeteve elektro-energjitike shqiptare dhe kosovare, çka do të mundësojë një kombimin më të mirë të konsumit të energjisë së prodhuar nga qymyri në Kosovë me atë të prodhuar nga HEC-et në Shqipëri.

Kurse Ministri i Energjisë, Z. Damian Gjiknuri hodhi idenë e investimit të përbashkët Shqipëri-Kosovë në shfrytëzimin e qymyrit. Sipas tij, fatmirësisht po zbulohen burime të reja nafte dhe ka interes të madh nga biznesi për të investuar në hidrokarbure. Po studiohet gazifikimi i Shqipërisë i cili pritet ti japë hov zhvillimit të vendit. Forumi u mbyll me prezantimin e drejtorit të prokurimeve të shoqërisë TAP, Z. Kvindesland.

Në lidhje me energjitë e rinovueshme, në takim u fol për HEC-in e Skavicës mbi lumin Drin si dhe për 9 HEC-et (me fuqi totale 300 Mw) që parashikohen të ndërtohen mbi Vjosë.

Çfarë nuk u përmend në takim është fakti se gjithë këto investime në naftë, qymyr e gaz do të shtojnë ndjeshëm emetimet e karbonit të Shqipërisë e Kosovës. Por Shqipëria e Kosova janë  anëtare të Komunitetit të Energjisë, dhe Strategjia Energjitike e nënshkruar prej tyre në tetor 2012, parashikon detyrimin për aprovimin e një strategjie pakësimi/zbutjeje të emetimeve të karbonit, me objektiva dhe masa konkrete. Shqipëria në qershor pritet të marrë statusin kandidat për në BE, por BE ka strategji të pakësimit të karbonit me 20% deri në 2020 dhe me 80% deri në 2050. Shqipëria është anëtare e Protokollit të Kiotos të konventës UNFCCC. Ndonëse Shqipëria nuk ka ndërmarrë detyrime konkrete për pakësimin e emetimeve të karbonit, ka ndërmarrë detyrimin parimor për tu përpjekur për pakësimin e tyre. Me zgjatjen e afatit të Protokollit të Kiotos detyrimet parimore të Shqipërisë shpejt mund të kthehen  në detyrime konkrete. Vendet e zhvilluara nuk mund të shpëtojnë klimën pa kontributin e vendeve në zhvillim.

Ky vizion afatgjatë i një ekonomie që do të mbështetet gjithmonë e më pak tek qymyri, nafta e gazi, mungonte plotësisht nga forumi i Konfindustrisë. Sikurse u deklarua shpesh në forum, fondet mungojnë, ekonomia është në krizë, prandaj duhen gjetur të gjitha format e mundshme të financimit. 3 miliard euro të qytetarëve shqiptarë flenë në banka pa u investuar. Këto fonde forumi kërkoi që të investohen në burime fosile. Në termocentrale, infrastruktura gazi e puse nafte, të cilat si vend kandidat në BE, e pastaj anëtar i BE-së, do të përpiqemi ti shfrytëzojmë sa më pak për të pakësuar emetimet e karbonit.

Problemi tjetër me investimet e propozuara në HEC-e e TEC-e është: kush përfiton më shumë nga këto investime? Tregu shqiptar i energjisë pritet të integrohet në tregun rajonal dhe atë europian, dhe TEC-et, HEC-et, do ja shesin energjinë konsumatorit me fuqi blerëse më të lartë, me çmimin e tregut. Në këtë treg, konsumatori shqiptar relativisht i varfër në krahasim me konsumatorin e huaj, do të konstatojë se si energjia prodhohet në vendin e tij, dëmet mjedisore dhe në shëndet i vuan ai, që pastaj energjia të shitet në një vend të huaj, kurse fitimet ti marrë investitori, zakonisht i huaj. Konsumatorët shqiptarë përfitime direkte do të kishin nga investimet në efiçencën e energjisë: në termoizolimin e ndërtesave, në zhvillimin e transportit publik, si dhe nga investimet në energjitë e vogla të rinovueshme: si energjia e diellit, e erës, ku investitori është dhe përfituesi i energjisë.

Sipas një studimi të Komunitetit të Energjisë nëse Shqipëria investon 388 milion euro në termoizolimin e ndërtesave deri në vitin 2020, do të kursente 611,000 Mw/h nw vit, ose sa prodhimi i një HEC-i 200 Mw. Termoizolimi do të kursente 277 milion euro deri në 2020, ku potenciali për kursim energjie është shumë më i lartë për shkak të jetëgjatësisë së termoizolimit të ndërtesave.

Nevojiten 200-300 milion dollarë investime në sistemin e shpërndarjes që panelet fotovoltaike të qytetarëve të mund të kyçen në rrjetin e shpërndarjes dhe ti shesin energji rrjetit. Ky investim do ti hapte rrugën një modeli të ri energjitik, ku mijërat e ndërtesave do të ktheheshin dhe në prodhues energjie. Kjo energji, ndryshe nga ajo e qymyrit e naftës, nuk shkakton me mijëra të vdekur në vit, ka shumë më pak emetime karboni, si dhe po ka kosto gjithmonë e më të ulëta. Është dhe do të mbetet edhe kur qymyri e nafta të kenë shteruar.

Këto investime me përfitime më të mëdha ekonomike dhe mjedisore për konsumatorin shqiptar nuk u përmendën në forum.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: