Posted by: ekolevizja | February 25, 2014

Mbahet tavoline e rrumbullaket mbi zhvillimin e politikave per ndryshimet klimatike

Nga Rita Strakosha

dekarbonizimi

Më datë 24 Shkurt, Programi i PNUD-it në Shqipëri për Ndryshimet Klimatike organizoi një tryezë të rrumbullakët mbi zhvillimin e politikave për pakësimin e emetimit të gazrave serrë. Në takim morën pjesë përfaqësues të OJF-ve, përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, nga Ministria e Mjedisit etj.. Takimi u përshëndet nga Z. Argent Alltari, Drejtor Kabineti në Ministrinë e Mjedisit, i cili theksoi se politikat për klimën janë prioritare për qeverinë. Z. Gjergji Simaku, drejtor i energjive të rinovueshme në Ministrinë e Energjisë, theksoi se energjia dhe mjedisi kanë objektiv të përbashkët kursimin e energjisë dhe se planet kombëtare të kursimit të energjisë do të jenë reale dhe jo thjesht në letër si deri më sot.

Zj. Mirela Kamberi, drejtuese e programit të ndryshimeve klimatike për Shqipërinë, prezantoi punën dhe gjetjet e deritanishme të programit.  Këto gjetjet dhe studime integrohen në politikat sektoriale të qeverisë. Parashikimet janë që Shqipëria të ketë rritje të temperaturave me 3.2 gradë celcius dhe rritje të nivelit të nivelit të detit me 73 cm deri në vitin 2100. Rritja e nivelit të detit do të nevojisë rishikimin e politikave të zhvillimit të bregdetit.

Në takim, Zj. Daniela Carrington, këshilltare mbi politikat e ndryshimeve klimatike pranë Qendrës Rajonale të PNUD-it në Stamboll, u prezantoi pjesëmarrësve zhvillimet më të fundit në zbatimin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe të Protokollit të Kiotos, si dhe masat që Shqipëria mund të marrë për çkarbonizimin e ekonomisë.

Sipas Zj. Carrington, draft-raporti i pestë i panelit prej 2000 shkencëtarësh që punon për këtë konventë ka kërkuar një tranzicion më të shpejtë drejt çkarbonizimit sepse modelet kompjuterike parashikojnë një rritje prej 3oC deri në vitin 2100. Në konferencën e Kopenhagenit, 2009, vendet anëtare të konventës kanë premtuar se do të merren masa që rritja e temperaturave të mos kapërcejë 2oC dhe niveli i CO2 në ajër të mos kapërcejë 450 pjesë për milion (tashmë është kapërcyer niveli 400 ppm i CO2 në ajër). Që ky objektiv  të arrihet emetimet në nivel botëror duhen pakësuar me 50% deri në vitin 2050.

OKB-ja është optimiste se një ekonomi e bazuar mbi rritjen ekonomike të gjelbër do të ketë mundësi të përballet me sfidën e pakësimit të emetimeve. Sipas Bank Ki-moon, në shekullin e kaluar kemi parë revolucionin industrial, atë teknologjik, më pas globalizimin. Kurse tani jemi në fillim të epokës së ekonomisë së gjelbër.

Protokolli i Kiotos ndaj konventës për ndryshimet klimatike vendosj detyrime ligjore për pakësimin e emetimeve. Ky protokoll është në fuqi deri në 2020 dhe vendet anëtare kanë rënë dakor të punojnë për zgjatjen e afatit të tij. Nuk janë pjesë e protokollit Rusia, Kanadaja, Japonia, Zelanda e Re dhe Bjellorusia. Gjithsej 36 vende anëtare të zhvilluara të protokollit kanë marrë përsipër që deri në 2020 të pakësojnë emetimet me 14% në krahasim me vitin 1990. Shqipëria si vend në zhvillim nuk ka detyrime për pakësimin e emetimeve, por ka detyrim raportimin e rregullt mbi nivelin e emetimeve dhe masat e marra për pakësimin vullnetar të tyre.

Protokolli ka krijuar mekanizma për nxitjen e çkarbonizimit, si fonde financimi, nxitja e vendeve të pasura që të transferojnë teknologjitë e çkarbonizimit tek vendet në zhvillim duke u njohur pakësimin e karbonit nga këto projekte si të tyrin etj.

Çkarbonizimi i ekonomisë botërore mendohet të realizohet nëpërmjet kombinimit të masave të ndryshme si: pagimi i një çmimi karboni nga emetuesit e karbonit në bursat e karbonit ose nëpërmjet taksimit; heqja e subvencioneve ndaj industrisë së burimeve fosile; pakësimi i shpyllëzimeve; pakësimi i konsumit dhe riciklimi, si dhe zhvendosja e fondeve drejt aktiviteteve të çkarbonizimit.

BE-ja si pjesë të detyrimeve ndërkombëtare të saj, por edhe vullnetarisht, ka në objektiv pakësimin e emetimeve me 20%, rritjen e energjive të rinovueshme deri në 20% të totalit të energjisë, si dhe kursimin e energjisë me 20% deri në vitin 2020. Çdo shtet anëtar i saj ka objektivin e vet të personalizuar. Strategjia e çkarbonizimit 2050 e Europës ka objektiv pakësimin e emetimeve të gazrave serrë me 80-95%; pakësimin e konsumit të energjisë me 41% në krahasim me konsumin e viteve 2005-2006; energjitë e rinovueshme të përbëjnë 75% të totalit të energjisë së konsumuar dhe 97% të totalit të energjisë elektrike të konsumuar deri në vitin 2050. Draft-strategjia e çkarbonizimit 2030 e BE-së ka vendosur objektiv që emetimet e gazrave serrë të pakësohen me 40%, energjia e rinovueshme të përbëjë 27% të energjisë së konsumuar, kurse për kursimin e energjisë nuk ka objektiv të përcaktuar.

Objektivat e mësipërm janë relevantë për Shqipërinë e cila synon integrimin në BE. Investimet që realizohen sot në Shqipëri kanë ndikim në faktin nëse Shqipëria do të jetë në gjendje të respektojë objektivat e BE-së dhe të Kiotos në të ardhmen.

Në kuadër të konventës Shqipëria raporton mbi politikat/projektet që realizon vullnetarisht për pakësimin e emetimeve. Për tu mbështetur me financime Shqipëria është e nxitur të ketë një plan kombëtar të çkarbonizimit (nuk ka ende një të tillë). Projektet e realizuara Shqipëria i raporton në një regjistër ndërkombëtar të politikave/projekteve të çkarbonizimit, ku raporton për masën e marrë, afatin, kostot, pakësimin e pritshëm të emetimeve etj.

Sipas një studimi të kryer nga PNUD-i “Udhëzues për masat e çkarbonizimit nisur nga eksperienca në vende të ndryshme”, nëntor 2013, me autor Lutken et al., masat që do të sillnin më shumë pakësim emetimesh me më pak kosto, në Shqipëri, do të ishin: përdorimi më efiçent i druve të zjarrit dhe i biomasës; krijimi i një fondi për efiçencën e energjisë (një fond i tillë duhet të ishte krijuar sipas ligjit për efiçencën e energjisë, por nuk u krijua asnjëherë), ndriçimi efiçent i bashkive, si dhe përdorimi i energjisë diellore dhe pompave të nxehtësisë në ndërtesa.

Ndër sektorët ku çkarbonizimi do të sillte ulje të ndjeshme të emetimeve është sektori i transportit. Ky sektor kontribuon 27% të emetimeve  globale të CO2 nga djegja e lëndëve djegëse.

Ndër masat që mund të merren nga Shqipëria për çkarbonizimin e transportit janë: planifikimi urban i tillë që të pakësojë nevojën për transport (psh. qytetet duhet të jenë më kompakte. Në këtë drejtim nuk ka ndonjë përpjekje të vullnetshme nga bashkitë shqiptare për të nxitur ndërtimin kompakt); ndërtimi i zonave të zhvillimit rreth hekurudhave (por në Shqipëri rrjeti hekurudhor po shkatërrohet) ; shmangja e udhëtimeve bosh (2000 furgona sot për herë të parë po detyrohen të udhëtojnë bosh, edhe në këtë drejtim Shqipëria mund të bëjë përmirësime), vendosja e një takse karburanti, pakësimi  i subvencioneve për industrinë e burimeve fosile (në Shqipëri ndërmarrjet e naftës nuk paguajnë TVSH për importin e pajisjeve, ky është një lloj subvencioni që nëse hiqet do të ndihmonte çkarbonizimin); vendosjen e kritereve teknike për emetimet e gazrave nga automjetet (pakësimi së fundmi i taksës së automjeteve të përdorura ka shtuar numrin e automjeteve me emetime të larta, kështu dhe në këtë drejtim po ecim në kah të kundërt me atë të marrë përsipër); krijimi i një rrjeti transporti publik (por transporti urban në Tiranë është drejt falimentimit), investimi në infrastrukturë që ndihmon transportin ndërmodal (por i vetmi stacion trenash në Tiranë u degdis jashtë Tiranës, kurse stacionet e biçikletave vidhen rregullisht pa fajtorë të ndëshkuar),të ndërtohet infrastrukturë për udhëtimin me biçikleta (por korsitë e biçikletave ekzistojnë vetëm në letër), të krijohet infrastrukturë e mirë për kalimtarët (por trotuaret në shumë rikonstruksione rrugësh janë ngushtuar në favor të zgjerimit të rrugës së automjeteve); vendosja e taksës së rrugës etj.

Fusha tjetër ku përqëndrohet çkarbonizimi janë qytetet. Qytetet zënë vetëm 2% të sipërfaqes së Tokës por kontribuojnë në 60-80% të konsumit të energjisë dhe në 75% të emetimeve të karbonit.

Masat që qytetet mund të ndërmarrin për pakësimin e emetimeve janë: përmirësimi i transportit, rritja e efiçencës së energjisë në ndërtesa (kemi një ligj për efiçencën e energjisë, i cili nuk zbatohet në asnjë bashki), përdorimi i energjisë diellore në ndërtesa (në shumë pallate tarracat, në kundërshtim me ligjin, janë privatizuar nga banorët e kateve të fundit, duke pamundësuar përdorimin e paneleve diellore nga banorët e interesuar), menaxhimi i mirë i mbetjeve (ka një ligj për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, por nuk ka ende asnjë bashki a komunë ku grumbullimi i diferencuar të realizohet. Vendgrumbullimi i mbetjeve në Tiranë nuk realizon shfrytëzimin e gazrave serrë të lëshuar nga mbetjet), krijimi i parqeve dhe zonave të gjelbërta; prokurimi publik preferencial ndaj produkteve të gjelbërta, pakësimi i konsumit (por Banka e Shqipërisë u bën thirrje rregullisht qytetarëve të shtojnë konsumin, që të rritet ekonomia) etj.

Siç duket nga rekomandimet, masat që mund të merren për çkarbonizimin janë të shumta, shumica e tyre do të sillnin dhe përfitime ekonomike në një sfond çmimesh në rritje të energjisë, por nevojitet më shumë ndërgjegjësim dhe informim mbi to dhe potencialin e tyre. Një hap në këtë drejtim ishte seminari i zhvilluar dje.

 

 

 

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: