Posted by: ekolevizja | February 11, 2014

Sistemi financiar duhet të reformohet që të shmangim krizën e karbonit

 Nga Roger Boyd

Fllucka e Karbonit

Fllucka e karbonit: 22 trilion dollarë vlera e burimeve fosile të pashfrytëzueshme “politikisht”

Sistemi financiar botëror ka ndaj krizave rezistencë të ngjashme me atë të sistemeve komplekse në natyrë. Brenda limiteve të caktuara sistemi e ruan integritetin, por kur këto tejkalohen, fidbeku pozitiv mund ta zhvendosë sistemin në një gjendje krejtësisht të re. Në tregjet financiare ky quhet kolaps. Tregu financiar është kryesori në shpërndarjen e kapitaleve dhe të likuiditeteve, prandaj një kolaps i tij ndikon me shpejtësi tek ekonomia reale. Kjo ndodhi në vitet 1930, dhe për pak u përsërit në 2009-ën, duke shpëtuar në sajë të masave të jashtëzakonshme të bankave qendrore dhe qeverive.  

Tranzicioni drejt një ekonomie të çkarbonizuar do të zhvlerësojë shumë asete financiare dhe të llojeve të tjera, ose direkte duke lënë të pashfrytëzuara rezervat e burimeve fosile, ose indirekte për shkak të zhvlerësimit të infrastrukturës së ekonomisë dhe të modeleve të biznesit. Organizata “Carbon Tracker” (Vëzhguesi i Karbonit) ka identifikuar me triliona dollarë asetesh fosile të cilat duhet të ngelen të pashfrytëzuara që niveli i gazrave serrë në atmosferë të mos sjellë ndryshime të rrezikshme klimatike. Përpos rezervave të burimeve fosile, kemi investime të mëdha si aeroporte, biznese që varen nga përdorimi në masë i automjeteve private, të cilat gjithashtu do të zhvlerësohen ndjeshëm.

Do të nevojitet një pakësim prej 80% i emetimeve të karbonit, deri në 2050, në vendet e industrializuara, që niveli i 450 pjesë për milion i CO2 në atmosferë të mos kapërcehet. Kjo do të nevojiste pakësime të ndjeshme të emetimeve vjetore. Pakësime kaq të ndjeshme në të kaluarën janë realizuar vetëm gjatë reçesioneve ekonomike, si psh. gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik apo gjatë krizës financiare 2008-2009. Me një rritje ekonomike prej 3% në vit, ekonomia botërore do të dyfishohej në vitin 2038, dhe do të nevojitej një pakësim me 90% i intensitetit të karbonit për njësi të GDP-së, që të arrihen objektivat për 2050-ën.

Prandaj një qëndrim realist është se për të realizuar pakësimin e kërkuar të emetimeve duhet një ekonomi në stanjacion ose në kontraktim. Nëse objektivi do të ishte 350 pjesë për milion i CO2, sikurse ka propozuar McKibben dhe të tjerë, problemi rritet.

Sistemi financiar është si një makinë kohe: pritshmëritë tona për të ardhmen i përfshin në vlerën aktuale të aseteve financiare. Këtë e bën nëpërmjet raportit çmim/fitim që e llogarit në varësi të rritjes ekonomike të pritshme, si dhe duke parashikuar aftësitë e bizneseve dhe të qeverive për të shlyer principalin dhe kamatat. Prandaj zhvlerësimi i aseteve së bashku me stanjacionin ose kontraktimin e ekonomisë do të sjellin pakësim të ndjeshëm të vlerës së aseteve financiare.

Kjo mund të sjellë kolaps financiar, çka do të dëmtonte rëndë ekonominë në përgjithësi, përfshirë industrinë dhe organizatat e nevojshme për çkarbonizimin. Ndërtimi i një turbine ere nevojit një rrjet të tërë prodhuesish, tregtarësh, financuesish dhe biznesesh. Nëse kriza do të falimentojë disa nga këto biznese, financimi i tregëtisë ndërkombëtare do të vështirësohej shumë dhe, besimi i nevojshëm për funksionimin e rrjeteve kaq komplekse do të pakësohej. Sa kohë do të duhej që prodhimi i turibinave të erës të rifillonte? Prandaj krijimi i infrastrukturës së energjive të rinovueshme mund të preket rëndë, duke pakësuar ndjeshëm furnizimin me energji të rinovueshme.

Për shkak të këtyre pasojave negative, çdo plan për pakësim të ndjeshëm të emetimeve duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme në sistemin financiar që ky mos të bëhet pengesë për ndryshim. Duhen marrë vendime për “ndarjen e dëmeve”, sepse një pjesë e madhe e pasurisë sonë aktuale bazohet tek asetet e lidhura me burimet fosile dhe tek rritja ekonomike. Borxhet shumë të mëdha, shlyerja e të cilave varet nga rritja ekonomike, do të duhet të falen. Pasojat e uljes së çmimit të aseteve do të duhet të menaxhohen, kurse financimi i sektorëve të rëndësishëm si prodhimi i teknologjive me energji të rinovueshme do të duhet të vazhdojë. Niveli i të mirave materiale do të pakësohet ndjeshëm në realitetin e ri, pyetja e vetme është se si do të ndahet barra. A do të përballohet kryesisht nga super të pasurit, të cilët kanë përfituar kaq shumë nga rritja në vitet e kaluara, apo do të përballohet nga pensionistët dhe të varfrit?

Përktheu: Rita Strakosha

Burimi: https://www.resilience.org/stories/2014-02-10/the-financial-system-as-an-impediment-to-significant-emissions-reductions

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: