Posted by: ekolevizja | February 10, 2014

Thahen lumenjte nderkohe qe HEC-et shtohen shpejt ne Rumani

Tarifat promocionale po nxisin ndërtimet në malet e Karpatit Jugor, por me pasoja mjedisore dhe ligjore 

Nga Luke Dale-Harris, theguardian.com,

 Hydropower plant in Romania : Concrete structures on river Arges

Më shumë se 500 HEC-e të vogla po punojnë ose janë në planifikim a ndërtim në natyrën e mbrojtur të maleve të Karpatit Jugor. Fotografi: Mihai Florin/Alamy

Në thellësi të natyrës së virgjër të maleve të Karpatit Jugor, Bogdan Binescu*, një aktivist mjedisor i dalluar, ndalet pranë ujërave të kristalta të një përroi. “Ky përrua ka qenë lidhja e vetme e kësaj zone me civilizimin,” thotë ai. “Por tani civilizimi ka ardhur tek përroi.”

Pak kilometra më tutje, kuptojmë se çfarë ka dashur të thotë. Buzë përroit, në vend të aheve duket një ndërtesë betoni gri mbi tokë të ngjeshur. Në të strehohen turbinat e një HEC-i të vogël. Përtej ndërtesës shtrati me zhavorr dhe baltë i lumit është tharë. 80-90% e përroit tashmë rrjedh në një tub metalik që vjen nga diga 5 km më lart. Ky është një ndër 500 HEC-et e vogla që punojnë, janë në ndërtim ose po planifikohen në këto male. Së bashku ato do të prodhojnë më pak se 4% të energjisë së vendit.

Këto HEC-e shpesh financohen nga fondet europiane dhe nga fitimet e 5-fishuara në sajë të tarifave promocionale-tarifa që subvencionohen nga taksa mbi energjinë e konsumuar. Prandaj HEC-et janë kthyer në një investim të preferuar.

Fitimet janë më të mëdha në lumenjtë e shpejtë, prandaj investitorët preferojnë zonat e thella malore, të cilat në shumë raste janë parqe natyrore të mbrojtura nga BE dhe nga shteti. Binescu thotë: “Shumë nga këto projekte janë të paligjshme në kaq shumë drejtime saqë vetëm të fuqishmit dhe personat me lidhje mund ti realizojnë.” Është kjo, dhe pasojat mjedisore, që kanë sjellë protesta publike në malet Karpat vitin e kaluar, në Ukrainë, Rumani dhe Bullgari.

Në Karpatet e Jugut, HEC-i që vizituam është një ndër 10 HEC-et e ndërtuara së fundmi nga kompania tregtare Imob Expert Consulting, në pronësi të dy biznesmenëve të vetëdeklaruar si më të fuqishmit në vend. Njëri prej tyre, Gheorghe Badea, së fundmi kandidoi në zgjedhjet lokale. Ortak me to është dhe i fejuari i vajzës së presidentit rumun, Radu Pricop, jurist dhe deputet. Biznesi i tij shërbeu si këshilltar ligjor për investimin.

HEC-i u financua nga fondi europian për investimet në fshat, me 2 milion euro, dhe pritet të sigurojë xhiro vjetore prej 1.2 milion eurosh. Nga këto 1 milion do të vijnë nga tarifat promocionale, që do të aplikohen për të paktën 13 vitet e ardhshme.

Pa lidhjet politike të investitorëve, ky projekt nuk do të ishte realizuar, thonë kundërshtarët e projektit. Të shpërndara në 3 përrenj, HEC-et ndodhen në një zonë të mbrojtur nga ligji europian “Natura 2000” dhe në tokë shtetërore. Kundërshtarët pretendojnë se projekti shkel ligjet mjedisore në 3 drejtime. Nëse toka do të merrej me qira me çmimet e përcaktuara nga departamenti kombëtar i pyjeve, do të kushtonte 1 milion euro në vit.

Por kompania ideoi një shkëmbim toke me shtetin, duke këmbyer  2200 m2 në zonën malore, që duhej për ndërtimin e HEC-it, me sipërfaqe të njëjtë toke bujqësore në pronësi të saj. Ndërkohë përgatiti dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis. Në vazhdim të ndërtimit, video të realizuara regjistruan shkelje të përsëritura të ligjeve mjedisore, sipas kundërshtarëve.

Fillimisht agjensia shtetërore rumune, Garda Kombëtar për Mjedisin, kërkoi masa, duke deklaruar projektin si të paligjshëm. Dy ditë më vonë, zyrtarët e agjensisë ndërruan mëndje dhe refuzuan të shprehen më tej për projektin. Muajin tjetër Komisioni Europian pritet të vizitojë vendin për të hetuar mbi paligjshmërinë e tij. Sipas Badeas: “ Projekti ka marrë gjithë aprovimet, autorizimet dhe është si gjithë projektet e tjera të HEC-eve të vogla në Europë. Por ka njerëz të sëmurë që nuk dinë me ç’të merren dhe shpikin shpifje për projektin.”

Në muajt e e kaluar kundërshtimi ndaj HEC-eve të vogla në rajon është shtuar. WWF, Rumani, dhe Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Danubit, të mbështetur nga një peticion i nënshkruar prej 20,000 rumunëve, kanë aprovuar një protokoll për krijimin e zonave të mbrojtura nga ndërtimi i HEC-eve.

Por mbështetja e industrisë nga shteti është e fuqishme dhe Diana Popa, një punonjëse e WWF, e cila mori pjesë në përgatitjen e protokollit, shikon beteja të gjata përpara. Një studim i qeverisë ka identifikuar 4000 pika të përshtatshme për shfrytëzim për energji uji. Ndërkohë presidenti Traian Băsescu bllokoi një nisëm të fundit të mbështetur nga qeveria për pakësimin e tarifave promocionale për HEC-et e vogla me 24%.

“Bizneset e HEC-eve kanë lidhje politike të përhapura,” thotë Popa. “Për shkak të tarifës promocionale, shumë politikanë kanë investuar në HEC-e. Mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan ngaqë investimi është “i gjelbër””.

Attila Andras Nagy, biolog i ujërave të ëmbla që punon me organizatën rumune të mbrojtjes së natyrës së egër, Milvus, shpjegon: “Po flasim për zhdukjen e mijëra kilometrave lumi. Dhjetëra mijëra në gjithë vargmalin. Kjo do të sjellë copëzim habitati dhe do të dëmtojë rëndë popullatën e shumë speciesh peshku, shumë prej tyre të mbrojtur. Mendoni për kafshët që pijnë ujë tek përrenjtë- vidrat, zogjtë zhytës dhe kafshë të tjera. Pasojat janë kumulative dhe do ndjehen deri larg lumenjve.”

*Emri i Bogdan Binescu është ndryshuar më kërkesë të tij

Përktheu: Rita Strakosha

Burimi: http://www.theguardian.com/environment/2014/feb/04/romania-hydropower-illegality-claims-green-tariffs

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: