Posted by: ekolevizja | November 26, 2013

Tryeze e rrumbullaket mbi humbjet e energjise ne rrjet

Nga Rita Strakosha,

Round table on energy losses Round table on energy losses._2_JPG

Qendra “Grupimi Ekolëvizja” organizoi në 26 Nëndor një tryezë të rrumbullakët mbi problematikën e humbjeve të energjisë në rrjet. Kjo tryezë organizohet në kuadër të projektit “Politika të Qëndrueshme Energjitike në Europën Juglindore”.

Takimi u përshëndet nga z. Pëllumb Abeshi, drejtori i politikave mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, i cili njohu impaktin që ka në mjedis sektori energjitik.

Z. Agim Nashi, ekspert energjie pranë ERE, prezantoi gjendjen e humbjeve të energjisë elektrike.

Sipas të dhënave, Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të humbjeve në botë. Në transmetim (linjat me tension 400, 220, 110 Kv) ka 2-3% humbje (teknike). Në shpërndarje humbjet teknike vlerësohen të jenë 14-15%. Pjesa tjetër janë humbje jo-teknike (nga vjedhjet, ose ndërhyrjet e tjera). Humbjet jo-teknike janë më të mëdha në dimër, kur dhe nevojat për ngrohje (për ujin, për ambjentet e brendshme) janë më të larta.

Nga rreth 1,2 milion konsumatorë që ka rrjeti elektrik, rreth 300 mijë konsumatorë nuk faturohen. Nëse Ballkani ka mesatarisht 12% humbje, Shqipëria ka mbi 30% humbje. Në Shqipëri vjedhja e energjisë elektrike është fenomen I përhapur në të gjithë shtresat shoqërore. Opinoni publik mban qëndrim të vakët ndaj këtij fenomeni, vjedhësit e energjisë nuk kallëzohen, ndërkohë që humben çdo vit 150 milion euro.  Pas Shqipërisë nivele më të larta të humbjeve në rrjet, në Ballkan, I ka Kosova.

Për pakësimin e humbjeve teknike nevojiten investime në transformatorë, në rrjet. Gjithsesi, për të ulur humbjet teknike duhen shumë më tepër investime se për të ulur humbjet jo-teknike. Këto investime  janë vështirësuar shumë nga kriza financiare, prandaj ulja e humbjeve jo-teknike duhet të ketë prioritet.

Ndër shkaqet e këtij niveli të lartë humbjesh jo-teknike Z. Nashi përmendi papërgjeshmërinë e konsumatorëve shqiptarë si dhe drejtimin jo-profesional dhe jo të stabilizuar të CEZ Shpërndarje.

Më tej, në takim e mori fjalën z. Zija Kamberi, specialist energjie. Z. Kamberi dha një tablo të gjithë pasojave direkte dhe indirekte që na vijnë si shoqëri nga niveli I lartë I vjedhjeve të energjisë. Kështu:

  • CEZ Shpërndarje ka vështirësi pagese për shkak të mos-pagesës së faturave dhe të mos-faturimit. Nga CEZ Shpërndarje, në një efekt domino, vështirësitë e pagesës janë përhapur në gjithë aktorët e rrjetit energjitik dhe sistemi është në gjendje kolapsi. Për shkak të konsumit të lartë të energjisë, importohet energji e cila ka çmim 6 herë më të lartë seç prodhohet në vend.
  • Konsumatorët e ndershëm paguajnë  ~30% më shumë në faturat e energjisë për shkak të mos-pagesës nga pjesa tjetër e konsumatorëve. Impakti social është I lartë, ku psh. shtresa e pensionistëve, e cila është më e rregullt në pagesa, paguan për shkelësit.
  • Vjedhjet sjellin kosto më të larta për bizneset shqiptare, sepse këto duhet të paguajnë më shumë për energjinë elektrike, dhe kjo I çfavorizon në tregun rajonal.
  • Vështirësohet siguria e furnizimit dhe nxitja e efiçencës së energjisë. Nuk ka asnjë motivim për efiçencë energjie tek persona që e konsumojnë atë falas.
  • Nuk tërhiqet kapitali privat në sektorin energjitik. Investitorët e HEC-eve të vogla dhe bankat që u kanë kredituar, janë prekur nga kriza. Nëse investitorët nuk ndjehen të sigurtë se investimet e tyre do të kthehen, atëhere investimet do shterojnë.
  • Nuk integrohemi dot në tregun rajonal. Qeverisja ka si objektiv që tregu shqiptar dhe ai I vendeve fqinje të integrohen, por nëse furnitorët nuk kanë siguri se do të paguhen, nuk kanë për të operuar me ne.
  • Ka impakt negativ në mjedis. Energjia që duhet importuar për shkak të shpërdorimit të energjisë së pafaturuar, prodhohet kryesisht nga TEC-et me qymyr. Kjo është energji e pistë që raportohet si e tillë në OKB. 

Z. Kamberi propozoi si masa që duhet të merren për zgjidhjen e problemit:

Nga kompania e shpërndarjes së energjisë:

  1. Rritjen e disiplinës së brendshme në kompani.
  2. Instalim i matësve tek konsumatorët pa të tillë.
  3. Rritje e transparencës së kompanisë së shpërndarjes ndaj klientëve.
  4. Masa ndëshkimore (gjoba, ndërprerje energjie, kallëzime penale) ndaj përvetësuesve të energjisë.
  5. Investime 

Nga Qeveria:

  1. Të përshihet në draft ligjin për sektorin e energjisë elektrike problemi I humbjeve të energjisë. Draft ligji I deritanishëm nuk është marrë me këtë problem duke qenë se shpërndarja ishte e privatizuar.
  2. Institucionet ligjzbatuese duhet të mbështesin CEZ Shpërndarje për masat ndëshkuese.
  3. Duhet të ketë politika mbështetëse për klientët në nevojë.
  4.  

Nga ERE:

  1. Politika transparente. Kompanitë pjesëmarrëse në sistemin energjitik duhet të dinë rregullat e lojës.
  2. Tarifat e aprovuara duhet të jenë nxitëse për uljen e humbjeve nga kompania e shpërndarjes.
  3. Krijimi I mundësive që kompania e shpërndarjes të ndëshkojë klientët mos-pagues

Më tej e mori fjalën Zoti Ismail Beka, menaxher projekti pranë GIZ. Ai shikon si prioritet që popullsia të informohet mirë mbi problemin; të tregohen shëmbuj pozitivë. Shoqëria civile u organizua mirë për të kundërshtuar importin e mbetjeve kimike, I njëjti nivel organizimi mund të arrihet edhe për problemin e energjisë.

Pas prezantimeve u mbajt një debat I hapur mbi prolemet e ngritura. Z. Beka theksoi rolin e mediave në ndërgjegjësimin e popullsisë mbi prolemin; Z. Kamberi theksoi rolin e bankave investitore si të prekura nga rrezikimi I investimeve dhe palë të interesuara; Z. Zamir Dedej, drejtor I OJF-së mjedisore INCA, shtroi problemin e shkatërrimit të rrjetit hidrik për prodhimin dhe eksportimin e energjisë. Po ndërtohen HEC-e pa fund që sjellin pasoja të rënda mjedisore, me shpejtësi të madhe, për të prodhuar një energji që po shpërdorohet.

Z. Aheron Hizmo, ekspert energjie pranë GIZ, përmendi si shembull pozitiv Suedinë, ku në zonat e mbrojtura nuk ndërtohen HEC-e prej 20 vitesh. Një hap që mund të ndërmerret nga qeveria është anullimi I konçesioneve me probleme mjedisore, dhe dëmshpërblimi I kostove të realizuara nga bizneset e HEC-eve. Për projekt-propozimet e pakërkuara, sipas Z. Nashi nuk do të ishte I nevojshëm dëmshpërblimi.

Takimi u mbyll me një konsensus për ndjekjen në vazhdimësi të problemit nga OJF-të mjedisore të interesuara.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: