Posted by: ekolevizja | October 8, 2013

Seminar i SHBSH-se mbi kursimin e energjise ne ndertesa

Nga Rita Strakosha

Seminari i SHBSH-se per eficencen e energjise ne ndertesa

Në  4 tetor Shoqata e Bashkive organizoi një trajnim mbi kursimin e energjisë në ndërtesat publike dhe private në Shqipëri. Ishin të ftuar në takim drejtori i politikave mjedisore në Bashkinë e Tiranës, Z. Romeo Hanxhari; kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Z. Avenir Kika; Drejtori i Shoqatës së Komunave të Kosovës, Z. Sazan Ibrahimi; eksperti i  energjisë, Z. Gjergji Simaku, përfaqësues të bashkive, OJF-ve etj.

Z. Hanxhari prezantoi në takim përpjekjet e Bashkisë për kursimin e energjisë në ndërtesa, si psh. planet për të bashkëfinancuar me banorët e pallateve në termoizolimin dhe kursimin e energjisë në ndërtesa, për të aprovuar një strategji të re për efiçencën e energjisë në bashki; fakti që çdo rikonstruksion i financuar nga bashkia kryhet sipas standarteve më të mira të termoizolimit etj.. Si një ndër pengesat kryesore në përparimin në këtë fushë ai veçoi faktin që politikat e kursimit të energjisë zakonisht kanë synime dhe përfitime afatgjata, kurse stafi politik i bashkisë përpiqet të realizojë premtimet brenda ciklit zgjedhor 4 vjeçar.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Z. Avenir Kika, pranoi se kërkesat e ligjit për efiçencën e energjisë në ndërtesa nuk zbatohen. Sipas tij nuk ka asnjë organ administrativ të ngarkuar me zbatimin e këtij ligji (sipas dijenisë sonë bashkia është e detyruar të kontrollojë zbatimin e legjislacionit mbi ndërtimet gjatë kolaudimit të ndërtesave dhe përpara dhënies së lejes së shfrytëzimit). Gjithsesi, në Shqipëri ka të paktën 10 kompani që ndërtojnë me sistem kapot (taraca me 20 cm polisterol, ndarjet midis kateve me 10 cm polisterol, dritaret me dopio-xham etj.). Sipas Z. Kika përpjekjet për përhapjen e ndërtesave me ngrohje qendrore kanë dështuar, kurse instalimi i paneleve diellore në ndërtesat e reja është kosto e papërballueshme për ndërtuesit. Nqs. do të plotësoheshin kushtet e termoizolimit dhe energjive të rinvoueshme atëhere kostua e ndërtesave do të shkonte në 800-1000 eur/m2. Ajo për çka konsumatorët nuk janë ndërgjegjësuar është se në ndërtesat e termoizoluara mirë, në një dimër të zakonshëm nuk ka nevojë për ngrohje, kurse në verë në temperatura deri në 38 oC nuk ka nevojë për kondicionerë. Për ta provuar këtë ndërtuesit kanë kryer dhe eksperimente.

Z. Gjergji Simaku, një ndër hartuesit e ligjit për efiçencën e energjisë, për dështimin e ligjit fajësoi rezistencën në zbatimin e tij nga ndërtuesit dhe qeverisja pasardhëse.

Përfaqësuesja e Bankës ProCredit në takim, Alma Lulja, u interesua për mundësinë që kanë klientët potencialë të bankës, për të shitur energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme, me tarifa promovuese tek sistemi i shpërndarjes. Sipas Z. Gjergji Simaku, tarifat promovuese janë problematike sepse sistemi energjitik nuk ka potenciale financiare për ti paguar. Gjithashtu ato mund të ndryshojnë në vartësi të politikës, ndërkohë që bankat dhe investitorët kërkojnë një terren të qëndrueshëm për të investuar.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Komunave të Kosovës, Z. Sazan Ibrahimi, prezantoi në takim situatën në sistemin vendor si dhe projektet e realizuara nga kjo shoqatë për efiçencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme, projekte të cilat arrijnë në shumën 2.4 milion euro.

Sipas tij në Kosovë po hartohet një kod i ri për ndërtimin. Çdo komunë ka një zyrtar përgjegjës për efiçencën e energjisë dhe pritet të krijohen zyra të posaçme për energjinë në çdo komunë. Për zbatimin e ligjit për efiçencën e energjisë është bërë një dëgjesë parlamentare. Si problematikë Z. Ibrahimi theksoi mungesën e kompanive të specializuara në investimet në kursimin e energjisë, mungesën e vetëdijësimit për problemet e energjisë, lëvizjet e stafit etj. U vërejt në takim që ndryshe nga Kosova ku ka një bashkëpunim të fortë midis njësive vendore, në Shqipëri ky bashkëpunim pothuaj nuk ekziston. Kryetari i shoqatës së bashkive, Z. Fatos Hodaj, fajësoi numrin e madh të njësive vendore por dhe politizimin e tyre. Për shkak të kësaj mungese bashkëpunimi edhe fondet e marra nga bashkitë shpesh nuk shkojnë për projekte për të cilat ato kanë më shumë nevojë, si psh. kursimi i energjisë, por shkojnë sipas prioriteteve të donatorëve.

Kryetari i bashkisë së Ersekës, prezent në mbledhje, solli shembuj praktikë se si bashkia e Ersekës po merr masa në kursimin e energjisë. Sipas tij ndriçimi rrugor dhe ngrohja zë rreth 1/3 e buxhetit të bashkisë. Me investimin e 1500 eurove në blerjen e 100 llampave efiçente bashkia kurseu 80,000 lek të reja në shpenzimet e ndriçimit. Po ashtu, në një kopësht u zëvendësua kaldaja me naftë me kaldajë me mbetje druri dhe shpenzimet për ngrohje u ulën nga 150,000 lek të reja në 80,000 lek të reja. Rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë dhe mundësitë e kufizuara të financimit nga buxheti lokal dukej se ishin një shtysë shumë e fuqishme për kursimin e energjisë nga bashkia. Të pranishmit ranë dakort se çmimet e energjisë me përjashtim të asaj të prodhuar nga energjia e rinovueshme, pritet të jenë në rritje.

Ing. Edmond Hido prezantoi në takim përfitimet nga energjia e rinovueshme. Sipas tij, për të pasur sukses në përhapjen masive të energjive të rinovueshme dhe teknologjive efiçente, duhet që jo vetëm të ketë detyrime ligjore por dhe vetë subjektet të kenë përfitime ekonomike nga këto teknologji.

Takimi u mbyll me prezantimin e një anketimi të realizuar në bashkinë e Korçës mbi përdorimin e energjive të rinovueshme dhe kursimin e energjisë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: