Posted by: ekolevizja | September 16, 2013

Vjedhja e energjise elektrike duhet denuar ndryshe

Nga Rita Strakosha,

Shqipëria ka një problem me kulturën e mos-pagesës së energjisë elektrike.  “Borxhet” e qindra mijra familjeve dhe bizneseve shqiptare ndaj CEZ shpërndarje, në formën e energjisë së vjedhur fshehtas apo faturave  të papaguara, janë hallka e parë në zinxhirin e borxheve që rrezikon stabilitetin e sistemit.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Që vjedhja e energjisë nuk ka qenë normale, e kuptojmë dhe nga fakti që kodi penal dënon vjedhjen e energjisë elektrike me gjobë dhe me dënim me burgim.

Por kjo vepër penale sot pothuaj nuk dënohet. Në arshivën elektronike të gjykatës së Tiranës gjejmë për këtë vepër penale shumë pak dosje, kështu

për vitin 2013 nuk ka asnjë dosje;

për vitin 2012 janë 15 dosje;

për vitin 2011 janë 68 dosje;

për 2010 janë 42 dosje;

Një pjesë e të pandehurve kanë dalë të pafajshëm, një pjesë tjetër është dënuar me burg por i është pezulluar dënimi, kurse pjesa dërrmuese është dënuar me gjobë.

Ndërkohë që nga viti 2010 vjedhja e energjisë elektrike është shtuar. Sipas raporteve të ERE-s humbjet e energjisë elektrike në rrjet në vitin 2010 ishin ~30% të energjisë së shpërndarë, në 2011 shkuan 37%, kurse në vitin 2012 humbjet kanë arritur në 45% të energjisë së shpërndarë.

Krahasuar me vendet e tjera jemi në nivele të botës së tretë. BE-ja dhe SHBA-ja e kanë nivelin e humbjeve në transmetim vetëm 6-7%, mesatarja botërore e humbjeve është nën 15%. Niveli ynë i humbjeve kapërcen humbjet në vende si India (30-35%), Meksika, të cilat kanë nivel më të ulët jetese se Shqipëria.

Dënimet në krahasim me shkeljet janë kaq të pakta, saqë është normale që vjedhjet të shtohen. Mirëpo sa më shumë shtohen vjedhjet aq më shumë rritet presioni për rritje të çmimit të energjisë elektrike, që kjo të mbulojë humbjet; aq më shumë rritet abuzimi i faturistëve të CEZ shpërndarje me faturimin e konsumatorëve të ndershëm. Psh. Komuniteti i Energjisë vazhdimisht ka kërkuar që tarifat e energjisë të rriten me synim që të mbulojnë humbjet, përfshirë ato nga vjedhjet.

Sa më shumë u shtohet fatura konsumatorëve të ndershëm, aq më shumë fillojnë të mendojnë dhe këta si të vjedhin energjinë elektrike apo mos të lidhen fare në rrjet. Me përhapjen e paneleve diellore, mundësitë e konsumatorëve të ndershëm për tu shkëputur nga rrjeti ku i ndershmi paguan dhe për hajdutin, shtohen.

Nuk mjafton vjedhja e energjisë elektrike, por tashmë problem është bërë dhe vjedhja e kabllove për bakër. Ky sport i ri nuk është kaq masiv sa i pari, por është po aq i dëmshëm.

Kultura e mos-pagesës dhe vjedhjes është infektive: më shumë njerëz do të vjedhin nëse shohin se të tjerët e bëjnë pa u dënuar.

Ky është një rreth vicioz që mund të përfundojë me falimentimin e rrjetit të shpërndarjes dhe sistemit energjitik, çka do të sillte falimentimin e shtetit.

 

Si mund të ndryshohet kjo kulturë e mos-pagimit?

Fillimisht duhet të shtohet ndjekja penale e kësaj vepre penale. Për të ndihmuar ndjekjen e vjedhjes së energjisë elektrike, kjo mund të klasifikohet dhe si kundërvajtje administrative në rastet e konsumatorëve familjarë. Dënimi i saj me gjobë mund të kryhet direkte nga policia kur konstatohet në terren, apo nga autoritete të tjera shtetërore jashtë sistemit gjyqësor. Gjobat e vendosura kundër vjedhjeve mund të pasqyrohen dhe në sistemin e gjobave të policisë rrugore dhe ti ndalohet qarkullimi me automjet atyre personave që figurojnë me gjobë në sistem.

Shembuj nga bota për një praktikë të ngjashme ka. Psh. kodi elektrik i Indisë parashikon ndjekjen dhe dënimin e vjedhjes së elektricitetit nga një nëpunës administrate, duke ndaluar eksplicite përfshirjen e sistemit të zakonshëm gjyqësor në këtë proçes (neni 143, neni 145). Afati për shlyerjen e gjobës është i shkurtër, 30 ditë.

Gjithashtu, dënimet e dhëna duhet të jenë më efikase. Dënimi me burgim nuk është praktik për vetë përhapjen masive të vjedhjes. Gjoba është më praktike, dhe kryesisht kjo aplikohet nga gjyqtarët. Por personat që vjedhin energjinë zakonisht vijnë nga shtresat e varfra të popullsisë dhe mundësinë e pagimit të gjobave mund ta kenë të kufizuar. Kthimi i gjobave në burgim nuk është praktik për shtetin i cili do të mbushte burgjet me qytetarë të zakonshëm.

Një dënim që gjyqtarët mund ta aplikojnë, por që nuk e hasa në asnjë nga dosjet e shqyrtuara, ishte ai i punës në interes publik.

Vjedhësit e energjisë mund të dënohen me disa ditë punë për ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit të bashkisë apo komunës ku banojnë. Është ngritur shpesh si problem nga komunat dhe bashkitë se nuk kanë fonde për të pastruar-gjelbëruar territorin. Puna pa shpërblim e të dënuarve do të ndihmonte financat e organeve vendore.

Por shkelësit janë me mijëra, ndërmarrjet e pastrim-gjelbërimit mund të kenë nevoja shumë të kufizuara për staf. Prandaj, puna e detyruar mund të nën-kontraktohet dhe tek organizatat jo-fitimprurëse, ndërmarrjet shtetërore, ndërmarrjet private që ofrojnë shërbime publike, në një marrëveshje shtet-privat, ku shteti përfiton qira, privati punë, kurse i dënuari kryen dënimin.

Dënimet me punë të detyruar janë praktikë e zakonshme në gjykatat perëndimore. Psh. në Britaninë e Madhe çdo vit jepen 240,000 dënime me punë të detyruar, me një trend në rritje. Së fundmi Britania e Madhe po realizon dhe një reformë në këtë lloj dënimi që të lehtësojë aplikimin e tij.

Kultura e mos-pagesës deri më sot është përkeqësuar, mjetet e zakonshme kundër saj nuk kanë pasur sukses. Mënyrat e reja të luftës kundër vjedhjeve mund të na ndihmojnë që të rilindim në një Shqipëri me më pak vjedhje.

Botuar ne revisten “Monitor”, 9 Shtator 2013. 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: