Posted by: ekolevizja | September 16, 2013

Letër e hapur për HEC-et në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë

 

Nga PPNEA , Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri

 

LETËR E HAPUR

 

Lënda:   Mbi abuzimin me koncesionet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. 

Drejtuar:        Këshillit të Ministrave

Z. Edi Rama, Kryeministër

Organizatave Mjedisore Lokale, Kombëtare dhe Ndërkombëtare

 

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar miq e dashamirës të mjedisit,

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), përmes kësaj letre dëshiron të tërheqë vëmendjen tuaj dhe të opinionit publik, rreth situatës së rëndë mjedisore që po krijohet në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë si rrjedhojë e koncesioneve të dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve (HEC).

Ne, kërkojmë nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë që të korrigjojë situatën e krijuar duke zhbërë vendimet abuzive të ndërtimit të HEC-ve në Parkun Kombëtar  Shebenik –Jabllanicë si dhe të parandalojë veprimet e planifikuara në parqet e tjera kombëtare si ai i Lurës dhe Lugina e Valbonës apo edhe në zonat e tjera të mbrojtura. Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave dhe qytetarëve të interesuar për çështjet e mjedisit që të shtojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të mbrojtur pasuritë natyrore të Shqipërisë.

Aktualisht në rrethin e Librazhdit janë dhënë rreth 84 leje për ndërtimin e hidrocentraleve, ku 70% e HEC-ve prekin Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Lejet koncesionare janë dhënë në mungesë të plotë të një vlerësimi strategjik mjedisor për lumenjtë. Ndërtimi i kaq shumë hidrocentraleve do të sjellë dëme të pa riparueshme në peisazhin e mrekullueshëm natyror të zonës, në biodiversitetin e saj, si dhe do të krijojë problematika të forta social-ekonomike për komunitetin. HEC-et e planifikuara do të prekin pashmangshmërisht rrjedhën në lumin Shkumbin, lumin e Rrapunit, lumin e Lunikut, lumin e Gurakuqit, zallin e Qarrishtës, lumin e Bushtricës, lumin e Radicinës, lumin e Gostimës, përrenjtë She Librazhd, She Dragostunjë, She Hotolisht, Gurekuqe, Lingajca, Steblevë, etj. Praktikisht, nuk do të ketë burim, përrua apo lumë pa u prekur nga ky fenomen!

Nuk ka asnjë dyshim se ndërtimet e digave, kanalizimeve, devijimet e rrjedhës natyrale të ujit nëpërmjet tubacioneve dhe tuneleve  ndikojnë negativisht në habitatet natyrore dhe në tërësinë e mjediseve ujore. Po kështu elemente të qënësishëm të ndikimeve negative afatgjata janë; copëzimet e habitateve, dëme të pariparueshme në peisazhin natyror, zhdukja e llojeve të rrezikuara të faunës dhe dëmtimet e drejtëprdrejta të florës. Devijimi dhe shkurtimi i rrjedhës natyrale të ujrave, në mënyrë të pashmangshme do të krijojë një barrierë për kryerjen e aktiviteve tradicionale të qëndrueshme dhe do të pengojë zhvillimin e ekoturizmit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Ekosistemi natyror Shebenik-Jabllanicë është shpallur Park Kombëtar më 21.05.2008 dhe si i tillë gëzon të gjitha privilegjet, së paku ligjore, për mbrojtjen e integritetit të tij territorial nga ndërhyrjet direkte në mjedis. Territori i parkut zë pjesën qëndrore të “Brezit të Gjelbër të Ballkanit” dhe përfaqëson një zonë të gjerë ndërkufitare. Kjo zonë formon një korridor të rëndësishëm ekologjik për kafshët e egra, të cilat kanë vlera të pallogaritëshme në ruajtjen e larmisë biologjike të rajonin Ballkanik, e më gjërë.

Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicës dallohet për një pasuri të papërsëritshme të biodiversitetit. Aty gjenden gjallesa të rralla të mbrojtura nga legjislacioni kombëtar dhe nga konventat ndërkombëtare. Fauna karakterizohet nga prania e ariut të murrmë, ujkut, lundërzës, troftës së malit, etj. Fatëmirësisht në këtë zonë mbijeton Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus syn.martinoi), që është një kafshë endemike shumë e rrallë dhe në rrezik zhdukje.

Për sa i përket florës, në park hasen lloje të shumta bimore të cilat janë të rralla e të kërcënuara si Manushaqja Shqiptare (Viola albanica) dhe Manushaqja e Dukagjinit (Viola dukadjinica), Mënishte Shqiptare (Cistus albanicus) endemike e Shqipërisë, Zambaku Shqiptar (Lilium albanicum), si dhe Shafrani i Jabllanicës (Crocus jabllanicensis) endemik i malit të Jabllanicës.

Për të gjitha arsyet e parashtrura më lart, ne apelojmë për ndalimin e menjëherëshëm të ndërtimit të HEC-ve në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Ne do të mbikqyrim situatën nga afër, do të njoftojmë vazhdimisht publikun e gjerë mbi ecurinë e aktiviteteve abuzive dhe do të shtojmë përpjekjet tona për të mbrojtur Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Ne besojmë tek mbizotërimi i ligjit dhe shpresojmë se Këshilli i Ministrave do të shqyrtojë këtë apel dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për korrigjimin e kësaj vendimmarrje të gabuar.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: