Posted by: ekolevizja | September 5, 2013

Leje për HEC-e në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë

Nga Alisa Peçi

lumi shkumbin

Katastrofë mjedisore: Në Librazhd jepen 84 leje për HEC-e, ku 75% prej tyre prekin Parkun Kombëtar  Shebenik – Jabllanicë

Koncesionet e dhëna për hidrocentrale janë mjaft shqetësuese në rrethin e Librazhdit, pasi rreth 75% e tyre prekin Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Plot 84 hidrocentrale kanë marrë leje, ku disa prej tyre kanë përfunduar. Kjo shifër bëhet e ditur nga inxhinierët e hidroenergjitikës dhe nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, ku këta kompani kanë marrë pronësinë koncensionare. Organizatat joqeveritare, që veprojnë në rrethin e Librazhdit, bazuar në Konventën e Aarhusit  i kanë dërguar një letër njësive të qeverisjes vendore, për të marrë informacion për këtë problematikë. Inxhinieri i pyjeve z. Fatmir Brazhda e sheh mjaft problematike këtë situatë për biodiversitetin. Ai u shpreh për Ekolëvizjen se pasojat do jenë katastrofale në të ardhmen qoftë për biodiversitetin,  qoftë edhe për nevojën jetike të ujit të pijshëm dhe vaditjes së tokës. Problematika e mungesës së ujit ka filluar të ndjehet që tani për banorët, ku nga mesi i gushtit u zhvillua një protestë kundër ndërtimit të HEC-eve. Më tej inxhinieri shtoi: “Projektet për ndërtimin e tyre janë në atë mënyrë  që  uji futet i tëri në tuba në shtratin e lumit  me gjatësi 5-10 km. Situata parashikohet alarmante – referuar 84 lejeve që janë dhënë për HEC-e. Nuk ka burim, përrua apo lumë pa u përfshirë për ndërtim Hidrocentralesh. Ndërsa mungon një vlerësim strategjik mjedisor për lumenjtë, duke patur parasysh efektin kumultativ që do të ketë ndërtimi i kaq shumë hidrocentraleve në lumin Shkumbin, lumin e Rrapunit, lumin e Lunikut, lumin e Gurakuqit, zallin e Qarrishtës, lumin e Bushtricës, lumin e Radicinës, lumin e Gostimes, përrenjtë She Librazhd, She Dragostunjë, She Hotolisht, Gurëkuqe, Lingajca, Steblevë. Mustafa Malo, me profesion inxhinier elektrik shprehu shqetësimin se ka parë trofta të cilat janë copëtuar nga tubat e vendosura për hidrocentrale.

Një pjesë e konsiderueshme e hidrocentraleve që janë dhënë me koncesion, prekin Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, i cili mbrohet me ligj. Ekosistemi i maleve  Shebenik – Jabllanicë u shpall në vitin 2008 Park Kombëtar, me sipërfaqe 33.900 Ha. Parku ka vlera të çmuara natyrore dhe shquhet për një shkallë të lartë të biodiversitetit. Në të gjendet ariu ngjyrë kafe, ujku, rrëqebulli dhe një numër i konsiderueshëm bimësh endemike. Gjithë këtë pasuri natyrore, që natyra na i ka dhuruar pa kursim, ne po e shkatërrojmë në emër të zhvillimit energjitik. Po a është në fakt zhvillim i qëndrueshëm që çdo burim apo përrua ta shkatërrojmë për të prodhuar energji? Kjo është një politikë e gabuar, fokusimi vetëm tek HEC-et në prodhimin e energjisë, ndërsa nga ana tjetër nuk merren masa për të patur një efiçencë të energjisë dhe për të përdorur format e tjera të energjisë së rinovueshme.`

Më poshtë gjeni listën e 84 koncesioneve për ndërtimin e HEC-eve, sipas rrjedhave ujore

Trungu i Lumit Shkumbin – 14 HEC-e

Lumi Bushtrice – 7 HEC-e

Lumi Stravajt – 7 HEC-e (dy kanë përfunduar)

Lumi i Gostimes – 7 HEC-e

Lumi i Gurakuqit – 9 HEC-e

She Dragostunje – 6 HEC-e

She Librazhd – 6  HEC-e

Lumi i Lunikut – 5 HEC-e  (dy janë në gjendje pune )

Rrapun, Qarrishte – 9 HEC-e ( dy kanë përfunduar)

She Hotolisht – 3 HEC-e

Gurrëshpatë – 2 HEC-e

Lingajca – 2 HEC-e

Stebleve – 2 HEC-e

Borovë – 2 HEC-e

Gurrekuqe – 1 HEC

Gurre Berzeshte – 1 Hec

Fushe Gurre Zdrajsh – 1 Hec

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: