Posted by: ekolevizja | August 22, 2013

Ne pushime mes hidrokarbureve

Nga Rita Strakosha

Këto ditë të nxehta gushti vendosëm të kalojmë disa ditë në rivierën shqiptare. Nisemi drejt Vlorës. Përgjatë autostradës së Vlorës na del përpara kriporja e Vlorës. Uji I cekët ekspozohet në ajër për muaj të tërë ndoshta, dhe në përfundim të tharjes mbetet kripa. Gjatë këtyre muajve uji (dhe kripa) ekspozohet ndaj tymrave të automjeteve që kalojnë në autostradën ngjitur.

Kriporja e Vlores
Foto: Parcelat me ujë të kripores së Vlorës, të para nga autostrada

Bloza, metalet e rënda, e substancat e tjera të dëmshme nëpërmjet kripës përfundojnë në ushqimin tonë.

Vazhdojmë rrugëtimin më tutje drejt Nartës. Sapo hyjmë në Nartë na përshëndesin depozita gjigande nafte, nga ku vjen duhmë e rëndë gazi. Vlora është qytet turistik, ku janë investuar me miliarda lek për hotele e shtëpi pushimi. Por prej disa vitesh në të është ndërtuar porti i Petroliferës, ku ngarkohen, shkarkohen e depozitohen me mijëra tonë naftë në vit. Depozitat janë shumë afër plazhit të Nartës, një aksident industrial në këtë zonë do të dëmtonte turizmin e Nartës për  vite.

Petrolifera_depozitat

Foto: Depozitat e Petroliferës

Futemi në plazhin e Nartës (Zvërnecit), i tejmbushur me plazhista. Në horizont duket kulla e Petroliferës. Uji është i cekët dhe peshq të shumtë vërtiten nëpër këmbë, çka tregon se uji duhet të jetë i pastër. Pas disa ditësh plazh çuditërisht gjithsecili nga ne ka ndonjë infeksion a problem, ku në sy, ku në lëkurë. Të mos ketë qenë vallë e pastër rëra? Rastësisht kujtohem se para dy vitesh ky plazh u ndot nga tonelata solari i rrjedhur nga tubacionet e amortizuara të Armos.

Vazhdojmë rrugëtimin drejt plazhit të Dhërmiut, nga plazhet më të pastra të vendit. Uji është i tejdukshëm, por hera herës sipërfaqja e detit mbushet me shkumë me origjinë të dyshimtë.

Kemi ardhur në plazh edhe për të marrë ajër të pastër, ajër deti, që të na zgjerohen mushkëritë. Dhe vërtet ajri është i pastër. Por sa herë niset një xhetski a motobarkë një duhmë e rëndë benzine përhapet mes çadrave. Pas disa vitesh ndalim-qarkullimi, motobarkat, xhetskit tashmë qarkullojnë lirshëm përgjatë vijës bredetare, fare afër pushuesve. Më shpjegon dikush se benzina avullon më lehtë se nafta, prandaj dhe duhma e saj përhapet me dhjetëra metra larg motobarkave në mbushje. Xhetsiktë presin me padurim klientë buzë bregut. 2000 lek të reja kushtojnë 10 minuta me xhetski. Që një person të bëjë qejf ato 10 minuta, qelbet ajri i 20 pushuesve të tjerë.

Jetskit ne Dhermi

Foto: Plazhi i Dhërmiut, gusht 2013

Kjo është pjesa e dukshme e ndotjes me hidrokarbure të detit. Pjesa e padukshme është acidifikimi i detit nga dioksidi i karbonit i emetuar këto 200 vite revolucioni industrial. 30-40% e CO2 të emetuar nga njeriu është thithur nga oqeanet, detet e ujërat e ëmbla. Acidifikimi rrezikon gjallesat e detit që formojnë guacka dhe nëpërmjet tyre rrezikon gjithë zinxhirin ushqimor të oqeaneve e deteve.

Mbarojmë plazhin dhe nisemi drejt fshatit të Dhërmiut. Dikur si fëmijë, pas plazhit ngjiteshim me këmbë në fshatin e Dhërmiut. Turizmi malor kombinohej bukur me turizmin bregdetar. Por tashmë rrugët janë pushtuar nga automjetet. Tek kalojmë ku në rrugë, ku në një trotuar të ngushtë, automjetet e shpeshta këmbehen me vështirësi, dhe ecja me këmbë duket e rrezikshme.

Pas Dhërmiut kthehemi në fshatin e Cakranit për një qëndrim të shkurtër. Ujë të pijshëm në një pjesë të mirë të fshatit nuk ka. Tek përdorim ujin e pusit, shikoj pirgun me plastika e mbetje që ka mbuluar gjithë grykën e përroit sipër pusit, dhe mendoj se sa bisfenole A (kancerogjenë) a substanca të tjera të dëmshme mund të kenë përfunduar në ujin me të cilin po laj enët. Pothuaj gjithë mbetjet sintetike të hedhura shkujdesshëm nga fshatarët përgjatë gjithë përroit janë nënprodukte të hidrokarbureve, që përmbajnë substanca kancerogjene e që krijojnë probleme të tjera shëndetësore.

Nisemi nga Cakrani drejt Tiranës. Na del përpara panorama e bukur e Fierit, në sfond rafineria e naftës, TEC-i dhe ish-Azotiku. Në Fier, pothuaj çdo ditë nga perëndimi I diellit deri në agim, ajri i qytetit mban era naftë, sa më afër rafinerisë, aq më era naftë vjen. Kalojmë mbi Gjanicën, lumin e vdekur, e cila po ashtu shpesh mban era naftë. Sa herë që pyes për të rejat e fundit nga të afërmit e të njohurit në Fier, dëgjoj për të vdekurin a të sëmurin e fundit me kancer. Kjo epidemi është lënë pa përgjegjës. Gjithsecili të shpëtojë kokën e vetë si të mundet, shteti nuk mund të vërë gishtin mbi burime fitimprurëse si nafta. Duhet ta ketë fajin duhani.

I mbyllim këto pushime me ndjenjën se jemi pushtuar nga hidrokarburet dhe me dëshirën për ditë më të mira.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: