Posted by: ekolevizja | July 3, 2013

Bankat e zhvillimit rrezikojnë çkarbonizimin e vendeve të Ballkanit

Qendra Mjedisore EDEN dhe Qendra Grupimi Ekolëvizja janë organizatat partnere në Shqipëri të projektit “Politika për Energjinë e Qëndrueshme në Evropën Jug-Lindore”. Si produkt i këtij projekti është hartuar një raport i cili kritikon institucionet ndërkombëtare financiare (IFN)  për investimet e tyre jo mjedisore dhe aspak ndihmuese për përmbushjen e kritereve për aderimin në BE të vendeve të Ballkanit. Këto banka nuk i kushtojnë vemendje investimeve në efiçencën energjitike, në burimet e rinovueshme dhe investojnë në projekte dhe në plane të cilat janë dëmtuese për ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre vendeve.

Investimet e shumta në lëndët djegëse fosile nga institucionet financiare ndërkombëtare (IFN) në Ballkanin Perëndimor kanë penguar pajtueshmërinë me kërkesat që ka Bashkimi Europian për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE. Ky është një nga rezultatet që kanë dalë nga raporti “ Investimi me nxitim, pendimi me nge”, i hartuar nga organizatat e shoqërisë civile, CEE Bankwatch Network, SEE Change Net dhe WWF.

Raporti gjen se bankat Europiane të zhvillimit janë duke shpenzuar 32 herë më shumë në burime fosile se sa në burimet e energjisë së rinovueshme jo-HEC.

Ky trend do të thotë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke marrë një drejtim të kundërt nga objektivat që ka BE-ja mbi energjinë dhe ndryshimet klimatike për vitet 2020 dhe 2050, objektiva të cilat janë të nevojshme për t’u përmbushur për vendet aspiruese të BE-së.

Grupet lëshojnë një thirrje për të ndaluar investimet ndërkombëtare publike në karburante fosile dhe për rritjen e investimeve për efiçencën energjitike në banesa dhe kursimin energjitik.

Për sa i përket investimeve në Shqipëri raporti tregon që:

–        BERZH dhe Banka Botërore ~25% të kredive e kanë dhënë për burimet fosile, nuk kanë dhënë asnjë kredi për energjitë e rinovueshme jo hidrike, kurse për efiçencën energjitike kanë dhënë më pak se 2% të fondeve të destinuara për energjinë.

–        Planet për të investuar në infrastrukturën e gazit duhet të rishikohen me kujdes, sepse investimet e nevojshme janë shumë të mëdha dhe përdorimi i fondeve për gazin do të pakësonte fondet në dispozicion për energjitë e rinovueshme. Gazi mbetet një burim fosil, përdorimi i të cilit do të duhet të pakësohet në terma afatgjatë (deri në 2050). Institucionet financiare ndërkombëtare duhet të kenë prioritet investimet në projekte që kanë vështirësi në gjetjen e fondeve në bankat private, prandaj këto nuk duhet të investojnë në projekte gazi.

–        Kreditë për HEC-et janë dhënë pa pasur qeveria një vlerësim strategjik mjedisor që të vlerësojë efektin kumulativ të gjithë HEC-eve.

Pippa Gallop, hulumtuese dhe koordinatore e CEE Bankwatch Network dhe bashkëautore e raportit shprehet se: Vendet në Rajon të mbeshtetura nga IFN, po shkojnë në drejtim të kundërt me objektivat e BE-së 2020, 2030 dhe 2050 për prodhimin e qëndrueshëm energjitik. Kjo është krejtësisht e papranueshme për institucionet që kanë një rol shumë specifik në mbështetjen e investimeve të reja të shëndetshme për mjedisin dhe shoqërinë, në vend që të aprovojnë çdo propozim të qeverive apo kompanive.

“Parashikimet tregojnë që kursimi i një njësi energjie është 1000 deri 10000 herë më rentabël sesa prodhimi i një njësie të re. Ne i bëjmë një thirrje të fortë BE-së që në mënyrë të menjëhershme të nxisin IFN-të që të shdërrojnë këtë princip në parimin bazë të punës së tyre” shprehet Angela Klauschen, Oficere e politikave në Programin e WWF për Mesdheun, “BE më pas duhet të sigurohet që cdo infrastrukturë e re energjitike të zbatojë parimet e qendrueshmërisë.”

Garret Tankosić-Kelly, Drejtuesi i SEE Change Net and bashkëautor i raportit shprehet : Le të jemi sa më të qartë se kush do të paguajë për shumën aktualisht të planifikuar prej 30 miliard EUR, në lidhje me zhvillimet energjitike. Kryesisht 20 milion ose më shumë konsumatorë të Evropës Jug-Lindore nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë dhe shlyerjeve të huave të IFN-ve. Kur këto dëme do të duhet të zhbëhen si pasojë e anëtarësimit të shteteve në BE- këto kosto shtesë do të përballohen përsëri nga publiku në rajon dhe taksapaguesit e BE-së.

Duke patur parasysh domosdoshmërinë për të ndihmuar vendet e rajonit të orientohen drejt objektivave të BE-së të 2020, 2030 dhe 2050,  raporti rekomandonqë IFN-të:
• Të ndalojnë financimin e projekteve që përkrahin lëndët djegëse fosile, kryesisht qymyrin në shtetet e ardhshme anëtare të BE-së.
• Të përfshijnë me shpejtësi në fokusin e financimit të projekteve kursimin e energjisë, efiçencën energjitike dhe burimet e rinovueshme të qendrueshme; Efiçenca energitike në banesa dhe kursimi i energjisë të shndërrohen në prioritetin kryesor të rajonit;

• Të ndjekin një përqasje me tolerancë zero ndaj treguesëve të korrupsionit apo shkeljeve të standardeve mjedisore të çdo projekti;

• Të mbështesin diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe të mos mbështesin projektet dëmtuese të hidrocentraleve, sidomos ato projekte që kanë si synim eksportin;

• Të caktojnë fonde dhe përgatisin programe për mbështetjen e vendeve të rajonit që dëshirojnë të përmbushin objektivin 20 përqind të efiçencës energjitike, veçanërisht në rastet kur kjo do të ndihmojë në luftimin e varfërisë energjitike;

• Të përgatisin fonde dhe programe për mbështetjen e vendeve të rajonit për të ndaluar humbjet alarmante teknike dhe komerciale të sistemit energjitik në rajon;

• Të thjeshtojnë transparencën e projekteve në lidhje me fondet dhe ndërmjetësit në mënyrë që të jetë e qartë se cilat fonde përdoren për çfarë.

Raporti i plotë është i aksesueshëm në linkun:http://seechangenetwork.org/index.php/publications/invest-in-haste-repent-at-leisure.html .

Raporti përmbledhës për Shqipërinë mund ta gjeni në linkun: http://www.eden-al.org/media/Investimi%20me%20nxitim,%20pendimi%20me%20nge.pdf.

Organizatat partnere të projektit “ Politika per Energjine e qendrueshme ne Evropen Jug-Lindore” – SEE-SEP

SEE Change Net (regional)
Analytica (Macedonia)
ATRC (Kosovo)
Cekor (Serbia)
CPI (Bosnia and Herzegovina)
CZZS (Bosnia and Herzegovina)
DOOR (Croatia)
EDEN (Albania)
Ekolevizja (Albania)
Eko-Svest (Macedonia)
Forum za slobodu odgoja (Croatia)
Fractal (Serbia)
Front 21/42 (Macedonia)
Green Home (Montenegro)
MANS (Montenegro)
CEE Bankwatch Network (regional)
WWF (regional)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: