Posted by: ekolevizja | July 1, 2013

HEC-et ekologjike

Nga Rita Strakosha

Shqipëria ka rreth 60 HEC-e në funksionim, vitet e fundit janë dhënë kontrata konçesionare për mbi 300 HEC-e. Pra pritet një ndërtim masiv HEC-esh në dekadat në vijim.

HEC-et janë burim i ripërtëritshëm energjie, por kanë pasoja negative në biodiversitetin e lumenjve. Ndër gjallesat ujore të prekura më rëndë nga HEC-et janë peshqit migrues si ngjalat dhe troftat. Digat pengojnë migrimin e tyre në rrjedhën e sipërme, kurse turbinat bëhen shkak për copëtimin e peshqve që përfundojnë në fletët e tyre. Prandaj ngritja e një HEC-i në një lum natyral mund të sjellë zhdukjen e peshqve migrues, një burim i rëndësishëm të ardhurash për banorët e zonës së prekur.

Por ka teknologji që mund ta zbusin këtë problem mjedisor dhe ekonomik. Bashkimi Europian ka një Direktivë Kuadër për Ujin, qëllimi i së cilës është rikthimi i biodiversitetit në lumenjtë e dëmtuar nga aktivitetet njerëzore. Kjo direktivë është bërë shkas për përdorimin në rritje të teknologjivee ekologjike në HEC-e.

Pikërisht për tu njohur me këto teknologji dhe me përpjekjet e mjedisorëve për përhapjen e tyre, Grupimi ”Qendra Ekolëvizja” u ftua në një vizitë studimore në Francë. U vizituan dy HEC-e, HEC-i i kompanisë Maïa pranë qytetit Roanne, si dhe HEC-i Poutes mbi lumin Alier.

Martin Arnould, përfaqësues i WWF, Francë, si dhe Roberto Epple, president i Rrjetit Europian të Lumenjve, ishin udhëheqësit e vizitës studimore, të cilët prezantuan dhe situatën franceze të HEC-eve.

Franca ka rreth 250,000 km lumenj, mbi të cilët gjatë shekujve janë ndërtuar 60,000 diga. Nga këto 50,000 tashmë nuk përdoren për asnjë qëllim, 2500 diga shërbejnë për prodhim energjie, 550 janë diga të mëdha. Vetëm 5000 km lumenj janë pa diga.

HEC-i në qytetin Roanne

HEC Roanne 2

Lumi Roanne dhe rezervuari i HEC-it ndërtuar nga Maïa Power.

Ky HEC është ndër të paktët që ka shkallë peshku, një teknologji e cila ndihmon migrimin e peshqve lart lumit.

HEC Roanne_shkalle peshku_2

Shkallë peshku. Kalimi i ujit në hapësirat e ngushta rrit shpejtësinë e tij dhe i tregon peshkut se aty ka lum, duke e terhequr. Shkallët përdoren për migrimin sipër lumit të peshqve migrues si salmoni, ngjala etj.. 1.2 m3 ujë kalon përmes shkallëve të peshkut.

Kostua e shkallëve të peshkut ndryshon në vartësi të madhësisë së digës (sa e lartë është), më e pakta kushton 50,000 euro dhe mund te shkojë në miliona euro. Ka shkallë peshku gjigande të cilat shkojnë deri në 1 km gjatësi (në lumin Kolumbia, SHBA). Teknologjia është e vjetër, që prej shekullit të 19-të, por me kalimin e kohës është përmirësuar. Gjithsesi edhe kjo teknologji ka problemet e saj. Nqs. lumi ka disa HEC-e, dhe disa shkallë peshku, migrimi i peshqve ngadalësohet shumë, aq sa peshqit mund të mos arrijnë në kohë në destinacionin e udhëtimit.

HEC-i i Roannës ka fuqi 2 MW. Kur në vitin 2003-2012 u realizua ndërtimi i tij pati një debat midis OJF-ve mbi pasojat mjedisore të tij. Më në fund pas 8 vitesh debati të ndezur, kompromisi u arrit. OJF-të ranë dakort se HEC-i ishte i nevojshëm, por për të ndihmuar migrimin e peshqve HEC-i duhej të kishte të ashtëquajturat ”shkallë peshku”. Gjithashtu, gjatë ndërtimit peshkatarët kërkuan nga kompania Maïa që të respektonte rregulloren e BE-së për vendosjen e një grile përpara turbinave, me hapësira 2.5 cm për pengimin e futjes së peshqve në turbina. Rregullorja hynte në fuqi pas ndertimit të HEC-it, por peshkatarët kërkuan respektimin e saj që gjatë fazës së ndërtimit. Ata e hodhën në gjyq ndërtuesin dhe e fituan gjyqin. Grila nuk lejonte ngjalat që ta kapërcenin por pakësonte prodhimin e energjisë.

10% e ujit të lumit lihet si rrjedhë e lirë ekologjike (nuk kalon në turbina) bazuar në kërkesën e legjislacionit francez. Kjo rrjedhë e lirë mundëson migrimin në rrjedhën e poshtme të peshve, por nuk mundëson migrimin e sipërm (për lart) të peshqve.

Në sajë të ndërtimit të shkallëve, në vitin 2012 për herë të parë brenda 50 viteve, një salmon arriti të migronte sipër lumit.

HEC Roanne_vend vezhgimi i shkalles se peshkut

Dhomë vëzhgimi e peshqve migrues nëpër shkallët e peshkut.

Mbi këtë HEC ka 3 HEC-e të tjera të mëdhaja, të cilat për momentin nuk kanë shkallë peshku. Qëllimi i mjedisorëve francezë është që salmoni të arrijë të migrojë deri në 300 km lart mbi HEC-in e Roannit.

Autoritetet e rajonit të Luarit, ku shtrihet dhe HEC-i i Roannit, prej 2005 i klasifikojnë lumenjtë në dy kategori kryesore: kategoria e parë, është ajo e lumenjve ku nuk duhen ndërtuar më HEC-e për shkak të dëmeve ekologjike; dhe kategoria e dytë ku hyjnë lumenjtë ku mund të ndërtohen HEC-e por këto duhet të kenë shkallë peshku. 20% e lumenjve në rajonin e Luarit janë klasifikuar në kategorinë e parë. Ky vendim i autoriteteve rajonale është kritikuar mjaft nga bizneset e HEC-eve, të cilat shikojnë potencial të madh prodhimi në Alpe. Gjithashtu ka pakënaqësi në bizneset e bujqësisë, të cilat janë të interesuara për më shumë diga.

Për lumenjtë ku HEC-et duhet të pajisen me shkallë peshku, autoriteti bën marrëveshje me biznesin për afatin e investimeve. Në rast mungese të likuiditeteve për realizimin e investimit, afati zgjatet në 4-5 vjet.

Autoritetet kanë gjithashtu në plan që digat e papërdorura të shkatërrohen. Ka mjaft diga 200-1000 vjeçare të cilat nuk përdoren për asgjë dhe përbëjnë pengesë për migrimin e peshqve. Në disa rajone, agjensitë e ujit financuan vetë për heqjen e digave të papërdorura.

HEC-i Poutes

HEC Poutes

Diga e HEC-it Poutes (pare nga lart)

 

Ky HEC ndodhet mbi lumin Alier dhe prodhon 50 GW energji në vit. HEC-i do të shkatërrohet pjesërisht dhe në vend të tij do të ndërtohet një HEC më i vogël, me shkallë peshku. Kjo do të kushtojë ~7 milion euro.

Sipas Roberto Epple, president i Rrjetit Europian të Lumenjve, OJF-të mjedisore franceze dhe kompania më e madhe energjitike në Francë dhe botë, grupi EDF, kanë arritur një marrëveshje për HEC-et ekologjike. Sipas marrëveshjes do të ketë një bashkëpunim midis OJF-ve mjedisore dhe grupit EDF mbi projektet e ardhshme të HEC-eve. Në bazë të marrëveshjes disa prej HEC-eve të vjetra do të rindërtohen, kurse HEC-et joprodhuese do të hiqen. Një ndër objektivat e marrëveshjes është krijimi i një marke për HEC-et ekologjike, markë e cila do të promovonte energjinë elektrike të prodhuar prej tyre.

HEC-i i Poutes-it është një ndër HEC-et që do të rinovohet bazuar në këtë marrëveshje. HEC-i aktualisht përdor ashensor për të ndihmuar migrimin e peshqve në lumin e sipërm.

HEC Poutes_peshqit migrues ngjiten ketu

Peshqit migrues ngjiten nëpër rrëshqitësen ku rrjedh uji, drejt ashensorit

HEC-i Poutes_ashensori

Tuneli vertikal ku ngrihet ashensori me ujë

 

HEC-i Poutes_ashensori me uje

Ashensori me 500 litra ujë

HEC Poutes_ashensori derdh ujin ne rezervuar_2

Ujin e marrë nga rrjedha e poshtme e lumit ashensori e derdh në rezervuarin e digës (në rrjedhën e sipërme)

 

Ashensori i peshqve përdoret nga 50% e salmonëve që mbërrijnë në digë. Gjatë vitit 2012, 65 salmonë të rritur e përdorën ashensorin. 10 vjetë më parë vetëm 5-10 salmonë arrinin ta përdornin. 100 vjet më parë ky lum ka pasur me mijëra salmonë. Ashensori është ndërtuar në vitin 1986, ashensori i dytë i peshkut në Francë. Kjo teknologji zakonisht përdoret në diga të larta. Çdo dy orë ashensori ulet dhe merr 500 litra me vete, këtë ujë pastaj e derdh në rezervuarin e digës (në rrjedhën e sipërme të lumit). Gjatë ngritjes së ashensorit një kamera e vendosur në të bën foto.

Për migrimin për poshtë të peshqve, diga ka një mekanizëm tjetër i cili krijon një rrëke me shpejtësi në rritje.

HEC Potes_rrekeja per migrimin e poshtem vjen nga rezervuari

Një rrëke uji rrjedh nga rezervuari i digës. Përmes saj migrojnë peshqit për poshtë.

Peshqit i drejtohen grykës së rrëkesë nëse ndjejnë se ka korrent dhe shpejtësia e tij është në rritje. 90% e peshqve që mbërrijnë tek mekanizmi arrijnë të migrojnë poshtë lumit. Por vetëm rreth 50% e peshqve të vegjël të rezervuarit mbërrijnë tek mekanizmi i daljes. Shumë peshq të vegjël qorrollisen brenda rezervuarit dhe nuk arrijnë të gjejnë daljen. Edhe këtu është vendosur një kamera e cila filmon peshqit duke migruar poshtë lumit. Në vit filmohen rreth 15,000 salmonë të vegjël. Sasia e salmonëve në migrim të poshtëm ka ardhur duke u pakësuar për shkak të ndërprerjes së popullimit artificial me salmonë të rritur artificialisht.

Nga ~16 m3 ujë që ka lumi, ~1 m3 ujë/sekondë lihet për migrimin e sipërm të peshqve, ~1 m3/sekondë lihet për migrimin e poshtëm. HEC-i i ri do të përdorë shkallë peshku si dhe do të ketë vëllim më të vogël rezervuari (nga 2 km do të jetë 200 metra i gjatë). Qëllimi i rinovimit është që peshqit migratorë të dëmtohen sa më pak nga ekzistenca e HEC-it. Projekti i HEC-it parashikon zëvendësimin e digës 17 metra të lartë me një digë 4 metra të lartë, me porta të hapshme. HEC-i aktual ka 3 porta, nga të cilat 2 hapen në raste përmbytjesh. HEC-i i ri do të ketë 2 porta të hapshme gjatë përmbytjeve, të cilat do të jenë të tilla që sedimentet e grumbulluara pas digës të kenë mundësi të largohen pas hapjes. Portat parashikohen të hapen edhe gjatë periudhës së migrimit të salmonit lart lumit (në mars), në rast se shkallët e peshkut do të dalin të paefektshme.

Uji i rezervuarit do të pompohet në një tunel nëntokësor, 14 km të gjatë, nga ku do të kalojë në turbinat e HEC-it. 90% e kapacitetit prodhues të HEC-it do të ruhet.

Çka e bën të veçantë ristrukturimin e këtij HEC-i është se në vendimmarrje kanë marrë pjesë aktivisht ekspertë peshku, OJF mjedisore dhe autoritetet lokale.

Për të penguar tërheqjen e peshqve drejt pompave të ujit projekti parashikon njëtrajtëzimin e shpejtësisë së ujit pranë pompave. Pasojat e HEC-it të ri në migrimin e peshqve pritet të studiohen nga shkencëtarët në bashkëpunim me investitorët.

Teknologji të tilla duhet të përhapen edhe në HEC-et shqiptare. Nisur nga ndërtimi i planifikuar masiv i HEC-eve, adoptimi i teknologjive ekologjike bëhet më i domosdoshëm dhe urgjent.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: