Posted by: ekolevizja | June 3, 2013

Do të gabojë përsëri IEA në parashikimet e saj mbi hidrokarburet?

Nga Kurt Cobb, publikuar në  resilience.org.

Fizikani i dëgjuar danez Niels Bohr, ka thënë dikur me humor, “Parashikimet janë shumë të vështira, sidomos ato për të ardhmen.” Kështu, ndërkohë që bota prezantohet me një tjetër parashikim optimist për furnizimin me hidrokarbure, kësaj rradhe nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), ja vlen të shqyrtojmë historinë e parashikimeve të saj.

Në vitin 2000, IEA lumturohej se në vitin 2010, prodhimi botëror i hidrokarbureve të lëgshme do të arrinte 95.8 milion barrela në ditë. Numri real në 2010 ishte 87.1 mbd. Agjensia parashikoi një çmim ditor mesatar prej 28.25 USD për barrel (e rregulluar me inflacionin). Çmimi real mesatar i naftës së tregëtuar në bursën e Nju Jorkut, në 2010, ishte 79.61 USD.

(IEA në parashikimin e saj të vitit 2000 përfshiu jo vetëm naftën bruto por dhe hidrokarburet e lëngshme të dala nga prodhimi i gazit natyror-vetëm një pjesë e të cilave mund të zëvendësojnë naftën- si dhe fitimet në vëllim nga përpunimi i naftës. Agjensia shifrën e përfituar e konsideron si “naftë”. Por nuk bëhet fjalë për naftë të mirëfilltë, dhe kjo praktikë po ngatërron politikbërësit dhe publikin.)

Pse ishte kaq optimiste IEA në vitin 2000? Agjensia ju referua revolucionit në teknologjinë e shpimeve në det të thellë, nga e cila priste zgjerimin e nxjerrjes së naftës dhe plotësimin e nevojave për naftë për dekada të tjera. Por, shpimet në det të thellë sot dihet se janë shumë më të vështira seç mendohej dhe nuk kanë sjellë atë bollëk që IEA përfytyronte. Jo se shpimet në det të thellë nuk kanë kontribuar konsiderueshëm në furnizimin botëror me naftë. Por këto nuk kanë arritur të zëvendësojnë pakësimin e prodhimit me teknologjitë e tjera dhe më tej të shtojnë furnizimin-çfarë ka sjellë një pllajë të çrregullt në prodhimin botëror të naftës (së mirëfilltë) duke filluar nga 2005.

Tani, IEA na thotë se një teknologji e re “revolucionare”, e quajtur fraksionimi hidraulik, do të sjellë një “bum në furnizim”: furnizim në rritje dhe të bollshëm me naftë. Por me gjithë vitet e praktikimit të kësaj teknologjie në SHBA, çmimet botërore të naftës mbeten në nivelet më të larta historike. Kurse prodhimi botëror  i naftës (së mirëfilltë) vetëm për periudha të shkurtra  është ngritur mbi 75 milion barrela në ditë në 7 vitet e kaluara.

Ndoshta IEA mendon se kjo teknologji e re nëse përdoret për shfrytëzimin e depozitave të naftës argjilore (tight oil) do të sjellë këtë bum në furnizim? Jo. Raporti I IEA-së thotë shprehimisht se deri në vitin 2018, agjensia nuk pret ndonjë zhvillim të rëndësishëm në shfrytëzimin e kësaj teknologjie në vendet e tjera.

Ndoshta agjensia e ka vënë re tërheqjen vitin e kaluar të Exxon Mobil-it nga Polonia. Kompania tha se nuk mundi të gjente sasi komerciale të hidrokarbureve në një prej depozitave më premtuese të gazit argjilor në Europë.Gazi argjilor nxirret duke përdorur të njëjtën teknologji frakturimi si për naftën argjilore. Zakonisht si gazi dhe nafta gjenden së bashku në këto depozita.  .

Pak para publikimit të fundit të IEA-së, kompanitë Talisman Energy dhe Marathon Oil u tërhoqën nga Polonia për arësye të ngjashme.

Jo se nuk ka naftë dhe gazë argjilore jashtë SHBA-së. Por cilësia e këtyre burimeve është shumë më e luhatshme seç e paraqet industria për publikun. Fillimisht, industria e naftës dhe gazit i prezantoi këto depozita si subjekt të “modelit të fabrikimit”. Ideja ishte se kompania mund të shponte kudo sipër depozitës dhe të nxirrte sasi të tregëtueshme nafte dhe/ose gazi.

Realiteti është shumë i ndryshëm. Edhe në SHBA-epiqendra e bumit të prezumuar- shpuesit janë fokusuar vetëm në pak zona të cilat japin sasi të tregëtueshme nafte dhe gazi. Këto zona shpesh përbëjnë vetëm 15% të gjithë sipërfaqes së depozitës.

IEA duket si e painformuar mbi informacione publikisht të aksesueshme ose nuk e kupton rëndësinë e informacionit. Dhe, agjensia duket se nuk mban mend çfarë ka parashikuar në raportet e saj të mëparshme. Ja disa shembuj :

  • Prodhimi nga puset me fraksionim hidraulik të naftës argjilore pakësohet me rreth 40% në vit në dy fushat naftëmbajtëse më të mëdha, Eagle-Ford në Teksas dhe Bakken në Dakotën e Veriut. Kjo do të thotë se shpuesit duhet të zëvendësojnë 40% të prodhimit të vitit të kaluar çdo vit përpara se të rrisin prodhimin vjetor. Pakësimi vjetor I prodhimit nga puset aktuale në gjithë botën është rreth 4-5 %.  IEA me sa duket nuk e kupton se pret që puse me pakësim prodhimi 10 herë më të madh se puset e zakonshme të zëvendësojnë pakësimin e prodhimit botëror DHE të shtojnë konsiderueshëm prodhimin botëror të naftës. Por, është e qartë se agjensia nuk shqyrtoi të dhënat publike të puseve të çdo shteti, nuk përcaktoi ritmet vjetore të pakësimit të prodhimit dhe pasojat e tyre për furnizimin e ardhshëm. IEA, me sa duket, thjesht ka pranuar siç janë parashikimet e anshme të industrisë-parashikime që kërkojnë të krijojnë konfidencë tek investitorët dhe kreditorët dhe të shtojnë vlerën e aksioneve të kompanisë.
  • IEA ka shqetësime për infrastrukturën e nevojshme për prodhuesit e naftës argjilore. Agjensia nuk e di se prodhuesit e naftës argjilore në fushën naftëmbajtëse të Bakkenit refuzuan të mbështesin ndërtimin e një tubacioni nafte që do u kishte siguruar akses në qendra të mëdha nafte, por preferuan të vazhdojnë me hekurudhat. A mund të jetë shkaku fakti që prodhuesit nuk besojnë se prodhimi afatgjatë i naftës do të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur tubacionin, dhe nuk deshën të lidhin kontrata afatgjata furnizmi me kompaninë e tubacionit?  Prodhuesit ndoshta preferojnë shtimin e kapacitetit të hekurudhave me vagonë të rinj, se sa të mbështesin kostot e një infrastrukture afatgjatë për transportimin e naftës.
  • IEA flet për shtim të prodhimit të gazit natyror në SHBA. Por duket se nuk di faktin që prodhimi i gazit natyror në SHBA nuk është rritur që në janar 2012, me gjithë rritjen e çmimit të gazit nga 1.82 USD në 4 USD. Bumi i gazit argjilor ka përfunduar, dhe tani do të zbulojmë se sa shtrenjtë do e nxjerrim nga toka. Sasitë e prodhimit nuk do të jenë kaq të fryra saç na kanë premtuar.
  • Vetëm brenda disa muajve IEA ka ndryshuar shumë parashikimin e saj për konsumin botëror të hidrokarbureve të lëngshme. Në raportin “Energjia në botë, 2012”, në Nëndor, ajo profetizoi se kërkesa për naftë do të arrinte 99.7 milion barrela në ditë në vitin 2035. Kurse raporti i fundit  parashikon një kërkesë për 96.7 mbd vetëm pas 5 vitesh, pra nënkupton një trajektore rritjeje shumë më të fortë se raporti i 2012.
  • IEA thotë se nuk parashikon çmime, por pastaj na thotë se çmimet e ardhshme i përdor për  modelimin. Modeli i saj parashikon çmime të larta të naftës. IEA nuk bën asnjë përpjekje të kuptojë efektin që çmimet e larta kanë në ekonominë botërore dhe aftësinë e saj për tu rritur. Nuk shqyrton as efektin që çmimet e larta kanë në kërkesën për naftë, çka vë në pikëpyetje parashikimin e saj për kërkesë në rritje.
  • IEA na thotë se kapaciteti i prodhimit të naftës do të rritet më shpejt se kërkesa, pa na shpjeguar arësyet. Kjo do të sillte çmime në ulje dhe përfundimin e çmimeve të larta të nevojshme për rentabilitetin e prodhimit të naftës. Si do të rritet ndjeshëm prodhimi i naftës argjilore nëse nuk ka rentabilitet ose ky është shumë i ulët? Kjo kontradiktë nuk përmendet asnjëherë në raport.
  • Djegja e gjithë rezervave të njohura të burimeve fosile do të na çonte në një katastrofë klimatike, diçka e cila është njohur nga IEA në përmbledhjen e “World Energy Outlook 2012”, duke thënë se “Jo më shumë se 1/3 e rezervave të provuara të burimev fosile mund të konsumohen përpara 2050 nëse bota kërkon të mbajë rritjen e temperaturës nën 2 oC, me përjashtim të rastit nëse teknologjia e sekuestrimit dhe depozitimit të karbonit përhapet masivisht”. Kjo teknologji nuk po përhapet dhe me shumë mundësi nuk do të përhapet masivisht. Në kontrast me sa më sipër, parashikimi i fundit i Agjensisë duket si një broshurë promocionale për industrinë e naftës dhe të gazit të Amerikës së Veriut.  A nuk është kontradiktor me shqetësimin e saj për ndryshimet klimatike?

Ndodh jo rrallë tek organizatat e financuara nga shtetet, si IEA, që të marrin udhëzime kontradiktore, në këtë rast udhëzohet që të promovojë shtimin e furnizimit me energji por dhe të paralajmërojë për ndryshimet klimatike. Media pak e përmend këtë kontradiktë, sepse e shikon si sensacional lajmin për prodhimin e naftës dhe gazit në Amerikën e Veriut. .

Është shqetësues fakti që as agjensia as media nuk i kanë rivizituar parashikimet e kaluara. Këto parashikime dalin kaq shpesh të gabuara saqë është e habitshme që media, qeveritë, korporatat dhe publiku kanë kaq shumë besim tek to.

Përktheu: Rita Strakosha

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: