Posted by: ekolevizja | June 22, 2012

Tubim proteste kunder prerjes se pemeve ne Parkun e Liqenit Artificial

Foto: Dëmtimi i Parkut të Liqenit Artificial

Qendra Shqiptare e Trashëgimisë dhe Qendra e Grupimit Ekolevizja organizuan sot në orën 10, në Parkun e Liqenit artificial, Tiranë, një tubim proteste kundër prishjes së një pjese të parkut që ka filluar përpara rreth 10 ditësh.

Janë prerë pemë shumëvjeçare (pisha, rrepe, eukalipte etj. 30-70 vjeçare) në zonën e parkut përgjatë rrugës së Elbasanit, që prej Fakultetit të Ekonomisë e deri në Sauk. Si fillim janë prerë tërësisht pemët në një sipërfaqe prej rreth 5000 m2 në zonën e hyrjes së Parkut, në një brez me gjerësi 10-30 m si dhe brenda rrethimit të Varrezave të Dëshmorëve, gjithashtu në një brez e gjerësi rreth 10-15 metër.

Të gjitha këto zona bëjnë pjesë brenda kufijve të Parkut të Tiranës, kufij dhe destinacion i shpallur me vendim të KRRTRSH-së. Prandaj kufijt dhe destinacioni mund të ndryshohen vetëm me një vendim tjetër të po këtij institucioni, dhe nuk dimë të ketë të tillë.

Parashikohet dhe shkatërrimi i rrethimit të Kopshtit të Pallatit të Brigadave, përfshirë murin origjinal me harqe, kullat prej guri në fillim dhe fund, portën monumentale të pallatit, vend-rojet ceremoniale, të gjitha pjesë e Parkut të Pallatit, i cili me VKM është shpallur vite më parë “Monument Kulture”.Gjithashtu do të priten pemët në një brez 10-15 metra brenda tij.

Në tubim morën pjesë shoqata mjedisore, personalitete të shoqërisë civile, deputetë të Partisë Socialiste, qytetarë të shqetësuar etj. Pjesëmarrësit u përshëndetën nga Artan Lame, drejtuesi i Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë; Xhemal Mato, drejtuesi i Qendrës së Grupimit “Ekolëvizja”, publicisti Fatos Lubonja etj. Z. Lame theksoi faktin se për punimet e rrëzimit të pemëve dhe gërmimit nuk ka asnjë informacion zyrtar, megjithë kërkimin e informacionit nga shoqatat dhe mediat.

Është detyrë ligjore që në çdo vend punimesh ndërtimi të ketë tabelë sqaruese për projektin, firmën ndërtuese. Në rastin në fjalë punimet kanë filluar pa asnjë shpallje të tillë. Sipas informacioneve jo-zyrtare qëllimi i punimeve është zgjerimi i rrugës dhe ndërtimi i korsive shtesë.

Z. Xhemal Mato kritikoi administratën për faktin që zgjerimin e rrugës po e bën në një pronë publike dhe jo në anën tjetër ku ka prona private, duke zgjedhur kështu rrugën më të lehtë për të. Ai theksoi se po dëmtohet mushkëria e qytetit, se Tirana tani pas dëmtimit të Kopshtit Botanik për ndërtimin e unazës, dhe me fillimin e dëmtimit të parkut buzë rrugës së Elbasanit do të jetë me gjysëm mushkërie.

Shoqatat mjedisore kanë kërkuar vazhdimisht që parkut ti jepet status i veçantë si zonë e mbrojtur, çka do të pengonte dëmtimin e tij të mëtejshëm, por diçka e tillë nuk është ndërmarrë asnjëherë.

Fjalën e mori dhe Z. Lubonja i cili e konsideroi “zhvillimin” aktual të Tiranës si një zhvillim tumoral dhe jo të shëndetshëm, ndaj të cilit shoqëria civile duhet të reagojë, përpara se pasojat të jenë tepër të rënda.

Pas fjalimeve përshëndetëse protestuesit nën thirrjet “Ju bisha, që prisni pisha”, “Parkun e duam për oksigjen, jo për biznese” u drejtuan drejt fadromave që po vazhdonin të pashqetësuara punën e shkatërrimit të parkut.

Tubimi u shpërnda paqësisht.

Tubimi u organizua në kushtet e temperaturave tepër të larta, shfaqje të ngrohjes globale. Është pikërisht ky “zhvillim” që po shpyllëzon sipërfaqe të mëdha në të gjithë globin dhe po vë interesat afat-shkurtra të industrisë përmbi interesat afatgjata të njerëzve, që po sjell degradimin ekologjik, ndryshimet klimatike, probleme kronike shëndetësore dhe përfundimisht një jetë më pak cilësore për të gjithë ne.

Pergatiti: Rita Strakosha

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: