Posted by: ekolevizja | June 22, 2012

Informimi i Arvizut nga OJF-te mbi prishjen e Parkut te Liqenit

Në Panairin e Organizuar dje nga ambasada Amerikane në Tiranë me moton “Vepro tani” prezantuan aktivitetin e tyre dhe disa organizata ambjentaliste si Qendra e Grupimit Ekolevizja, Qendra “Eden”, Qendra Rajonale e Ambjentit (REC, Albania) etj. Qytetarët e interesuar mund të merrnin informacion mbi riciklimin, mund të lexonin broshurat e publikuara nga shoqatat etj. Ky eveniment u shfrytëzua nga shoqatat dhe për të vënë në dijeni ambasadorin amerikan, Z. Aleksandër Arvizu, mbi problemin e fundit me Parkun e Liqenit, ku pjesë të tij janë prishur me fadroma për ti hapur vend ndonjë ndërtimi ende të pashpallur zyrtarisht. Z. Basha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve urbanistike brenda territorit të Tiranës, ishte i pranishëm në eveniment, por fatkeqësisht nuk u arrit të kontaktohej nga shoqatat ambjentaliste.

Stendat me pankarta të dukshme mbi Parkun e Liqenit, tërhoqën vëmendjen e ambasadorit amerikan, i cili është afruar dhe ka bashkëbiseduar me përfaqësuesit e shoqatave.
“Ajo që ne duam, është që zëri ynë të dëgjohet. Nuk mund ta kuptojmë realisht se çfarë po ndodh në Parkun e Liqenit. Kemi dërguar shkresa dhe kërkesa në bashki, kemi dërguar shkresa në ministrinë e Mjedisit, kemi reaguar me shkrime të shumta në media për të pasur një ndërgjegjësim dhe reagim të strukturave shtetërore. Asgjë nuk ka ndodhur. Ajo që ne po bëjmë është që nesër të mblidhemi në një protestë dhe në këtë mënyrë të mund të zgjojmë disi vëmendjen për këtë katrahurë që ka ndodhur në Parkun e Liqenit artificial dhe askush nuk mban përgjegjësi” tha për ambasadorin amerikan Arvizu, duke dhënë sqarimet Artan Lame, anëtar i Forumit të Trashëgimnisë.

Ndërkohë që Artan Shkreli, kryetar i Shoqatës së Arkitektëve, i bëri disa sqarime të hollësishme për atë që ka ndodhur vetëm pak metra larg zyrës së tij në rrugën e Elbasanit.

“Ne nuk jemi kundër zhvillimit. Ne e kuptojmë shumë mirë se rrugët duhet të bëhen. Por mendojmë se zëri jonë duhet të dëgjohet. Ajo nuk është një rrugë që fillon me gjashtë korsi, ashtu sikurse mendohet të bëhet. Nuk është as një rrugë që do të mbarojë me gjashtë korsi. Ndërkohë e dimë shumë mirë se rruga mund ti shërbejë ndonjë qendre tregtare apo ndonjë zone vilash që janë duke u bërë aty, por kjo nuk mund të prekë në asnjë rast parkun. Kemi marrë vesh se mund të preket edhe muri rrethues i Pallatit të Brigadave. Por ai është një monument kulture. Ka ligje për mënyrën sesi mund të veprohet me këto objekte, askush nuk mund ta legjitimojë këtë nismë” tha Shkreli.

Xhemal Mato shkon edhe më tej. “Kemi kërkuar shumë informacione, për të ditur dhe për të marrë vesh për projektin. Kemi kërkuar ta shohim si projekt madje kemi shkuar deri te ministria e Mjedisit dhe kemi kërkuar dokumentin se me ç’leje mjedisore po ngrihet ky projekt. Nuk kemi asnjë përgjigje zoti ambasador” tha Xhemal Mato.

Anila Basha, drejtoresha e shqiptarja.com dhe anëtare e Forumit, i prezantoi ambasadorit shqetësimin se Bashkia e Tiranës nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare, pa dhënë sqarime mbi ndonjë projekt a tender për zgjerimin e rrugës. “Ne zoti ambasador si media kemi reaguar, pra jemi brenda projektit Vepro Tani! Por deri tani, askush nga institucionet nuk ka pasur asnjë lloj reagimi” tha Anila Basha.

Ambasadori u interesua nëse punimet tek Parku i Liqenit ishin të ligjshme. Ai theksoi edhe njëherë nevojën për një reagim qytetar ndaj problemeve me interes publik.


Leave a comment

Categories