Posted by: ekolevizja | January 9, 2012

Peshkimi dhe lumenjte tane

Nga Tom MIRAKU
» 09/01/2012 – 10:24

Ndërhyrjet në shtratin e lumenjve për inertet , ndërtimin e veprave ujitëse e posaçërisht dhënia pa kriter e licensave e ndërtimit të hidrocentraleve të tjerë do të shkaterrrojë edhe ato pak lumenj të vegjël qe deri tani kanë qene pothuaj se të paprekur.

NJE  HISTORIK  I  SHKURTER  I  PESHKIMIT  NE  LUMENJ

Peshkimi në lumenj është nje veprtimtari e njohur dhe e hershme e cila filloi të organizohej ne grupe e skuadra të veçanta që në vitet 1946-1950.Krijimi i kooperativave të para të peshkimit, të cilat më vonë u shnderruan në ndermarjë, i dhanë një shtysë të re veprimtarisë së peshkimit,  sidomos në lumenjte kryesorë si Buna,Drini,Mati,Drini i  Lezhës,Shkumbini,Erzeni,Semani,Vjosa,Drinosi etj.Me forcimin e ndermarjeve të krijuara dhe shtimin e përhapjen e përvojes së fituar u bë e mundur të rritet sasia e peshkuar në lumej dhe grykëderdhjet e tyre.

Në zona të veçanta larg ndërmarjeve të fuqishme si ato të Shkodrës,Lezhës, ,Durresit ,  Vlorës , Sarandës etj.. peshkimi në lumenj ju besua kooperativave bujqësore si grupe peshkimi të cilat furnizoheshin me mjete e u jepej ndimë teknike nga ndërmarjet e përmendura me lart.

Llojet kryesore qe peshkoheshin deri ne vitet 90 ishin kryesisht skobuzi ,  mrena               , mlyshi (kleni) , trofta . Krahas këtyre llojeve peshkoheshin në sasira më pak të rëndësishme edhe cironka,skorti me vizë,mrena e egër,mustakori,skorti i zi e i bardhë , e troftat e malit.Kjo e fundit në disa lumenj malorë zë peshen kryesore.

Lloje të tjera si kubla , qefulli i verës dhe qefulli i vjeshtës , të vegjëlit e ngjales që ziheshin jo vetëm ne lumenj por edhe në grykëderdhjet e tyre.Sasia prej rreth 1100 kv që peshkohej çdo vit kishte sigurisht rëndësi ekonomike për zona të veçanta , sidomos ato malore , si dhe luante rol të rendësishëm  edhe për punesimin e njerëzve në këto zona . Krahas kësaj , rëndësi më të madhe kishte ruajtja e rezervave të peshkut,zbatimi i ligjit të peshkimit , mbrojtja e vendeve të riprodhimit dhe strehimit të të vegjëlve të tyre .

Grupet e peshkatareve , që në të shumtën e rasteve e kishin peshkimin veprimtarinë e tyre kryesore ekonomike , ishin shndërruar në mbrojtësit e parë të ligjshmërise . Veprimtaria e tyre zhvillohej mbi baza e kritere të njohura teknike që garantonin një zhvillim deri diku të qendrueshëm të rezerveve peshkore e , për rrjedhojë , edhe të peshkimit në zonat që mbulonin . Ata kujdeseshin veçanërisht që gjuetia të zhvillohej pas riprodhimit të peshqve dhe ruanin me rigorozitet vende të caktuara që njiheshin , në të cilat grumbulloheshin për strehim të vegjëlit e peshqve për një periudhë të caktuar kohore.

Pak më lart evidentuam sasitë e peshkut që ziheshin në grykëderdhjet e lumenjve për të theksuar një fakt që është shumë më i rendesishem se prodhimi që peshkohej në to.Eshtë fjala për të vënë në dukje rolin e pazëvendësueshëm që kanë ato si baza kryesore të ushqimit e strehimit të peshqve të rëndësishëm detarë si qefulli,levreku,kocat e ndryshme,ngjala (e cila lumenjtë i ka si rrugë kalimi peër te liqenet ) dhe disa lloje molusqesh . Për mbrojtjen e tyre përveç ligjit të peshkimit janë në fuqi edhe konventa ndërkombetare . Ndalem të grykëderdhjet sepse mbrojtja e tyre është e lidhur ngushtë me mënyrën se si i mbrojmë ne lumenjtë nga ndërhyrjet e papërgjegjeshme që behen në to,si për inertet,devijimet për qellime të ndryshme ekonomike si ndërtimi hidrocentraleve , kanaleve kullues e vaditës,ndërtimet në to ose në afersi të shtratit të tyre etj.

Trajtimi serioz i lumjve mërr rëndësi të veçantë lidhur me faktin se disa prej tyre (Drini,Buna) shërbejnë për furnizimin e liqeneve kryesore të vendit tonë si liqeni Shkodres dhe Ohrit me peshk (riprodhues  ose të vegjël të peshkut -ngjala) dhe kuptohet edhe me ujë e lëndë ushqimore që ato sjellin . Shumë serioze është gjendja e furnizimit të liqenit të Ohrit  me të vegjël të ngjalës .Para ndërtimit të digës (ura e Spatharit) kishte furnizim normal . Pas ndërtimit të saj të vegjlit zvarriteshin në skarpatet e kësaj prite dhe kuintalë të tërë  bëheshin pre e fshatarëve që i peshkonin me qëllim përdorimin e tyre si ushqim për derrat e shpendët.

GJENDJA  E  LUMENJVE  KRYESORE  TE  VENDIT

 

     Po të bëjmë një krahasim të thjeshtë por sado pak profesional të gjendjes së sotme të lumejve , me një të kaluar jo shumë të largët ( para tranzicionit ) rezulton se në disa prej tyre gjendja është katastrofike.

Së pari – Duhet theksuar se një pjesë e lumejve janë po thuajse të pa vlefshëm për veprimtarinë e peshkimit . Në krye të listes përmendim lumin Drin.Të gjithë jemi të bindur për forcen madhore që kanë sjellë ndryshimet në shtratin e tij pas ndertimit të tre hidrocentraleve të mëdhej e tepër të rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë. Edhe i katërti që është në ndërtim ,megjithëse më i vogël përsëri është i rëndësishëm.Ajo që është e pafalshme është nderhyrja e papërgjegjshme që vazhdon të behet në shtratin e tij në ate pak lumë prej disa kilometra që ka mbetur.Kjo ka bërë ate që të ketë fare pak prezencë peshku,të mos shërbejë më si vend strehimi e riprodhimi për disa lloje peshqish .

Një dëm i madh duhet konsideruar edhe parregullsia në prurje që ka shkaktuar e shkakton ndryshime shume të shpejta në shtratin e lumit të Bunes duke dëmtuar jo vetëm peshkimin por edhe peisazhin e të vetmit lumë të lundrueshëm në vendin tonë.E njëjta situatë është edhe në lumenjtë e tjerë të vendit ,ndërhyrjet në shtratin e tyre për inertet,ndërtimin e veprave ujitëse e posaçërisht dhënia pa kriter e licensave e ndërtimit të hidrocentraleve të tjerë që do të shkaterrrojë edhe ato pak lumenj të vegjël qe deri tani kanë qene pothuaj se të paprekur.

Pamja në lumenj si Drini,Kiri,Mati,Shkumbini,Semani,Erzeni,Vjosa etj është dëshmi e papërgjegjshmërisë  , jo vetem të njerezve që kanë lidhur jetën e tyre me këtë veprimtari ,por në mënyrë të veçante qeveritarëve e politikanëve të cilet bëjnë njerin sy qorr e veshin të shurdhër para kësaj katastrofe me pasoja të pariparueshme për ekonominë,mjedisin,zhvillimin e turizmit malor etj.

Së dyti – Vazhdon të mos zbatohen ligjet për hedhjen e mbeturinave ,ndotjeve ,mbetjeve urbane e ujrave të zeza , si në shtratin e lumenjve ashtu edhe gjatë rrjedhjes së tyre.Nuk përjashtohen nga ky barbarizëm  kolektiv si lumenjte e mëdhej që kalojnë pranë qyteteve dhe zonave të banuara ,ashtu edhe ato më të vegjël e larg qendrave urbane.Ka lumenj që janë të vdekur përsa i përket iktiofaunës të cilet kanë shkaktuar në disa raste zhdukjen e specieve të veçanta si skobuzi (njila). Kjo ka ndodhur dhe janë  kthyer në lumenj totalisht pa jetë lumi Kir në Shkodër dhe disa përrej të mëdhej që derdheshin në liqenin e Ohrit  duke shkaktuar prishjen e vendeve të riprodhimit për këtë specie . Prej vitesh , edhe në lumenj të tjerë kanë pushuar së ekzistuari vende natyrale të mbrojtura që shërbejnë si maternitet për këtë lloj (skobuzin) ashtu edhe për të tjerë.Rezultati është trondites ! Nuk zihet më asnjë kilogram skobuz !

Së treti-Veprimtaria e peshkimit të organizuar në të gjithe lumenjtë e vendit tonë ,të mëdhej apo të vegjel qofshin , nuk ekziston më . Peshkohet kryesisht me mjete të ndaluara si dinamit dhe energji elektrike , të cilat vrasin të gjitha gjeneratat e peshkut . Flagrante janë rastet në lumin e Bunës ,Drinit ,Vjosës,Drinosit etj. Për arsye të mungesës së peshkimit të organizuar nuk zbatohet as dhe minimalisht ligji dhe rregullorja peshkimit.Peshkohet në periudha dhe vende të ndaluara .Nuk ekzistojnë më zonat e mbrojtura për të vegjlit e peshkut.Praktikisht kjo veprimtari është jashtë çdo kontrolli.

Së katërti-Sipas mendimit tonë nuk zbatohen ligjet ekzistuese për të cilat gjithashtu ka nevojë të përmirësohen e të plotësohen disa boshllëqe që ato paraqesin.

Për shëmbull është e pakonceptueshme se si mund të jepen licenca për ndërtime hidrocentralesh , kanale vaditës ose autorizime për devijim të përhershëm ose të përkohshëm të degëve të lumenjve pa pasur më parë pëlqimin e palëve të interesuara .Kemi raste tepër flagrante siç është ndertimi i urës së re të Bunës për të cilën padyshim të gjithë ndjejnë kënaqesi por nuk duhet të ishte ndërtuar vetëm 100 m mbi dajlanin e Shkodrës që është mbi njëqint  vjeçar.Më keq akoma të gjithë inertet dhe mbeturinat gjatë ndërtimit të urës e të tjera janë hedhur në mënyrë të papërgjegjshme në shtratin  e lumit.Kjo ka sjellë që prodhimi në dailanin e Shkodrës  nga 800-900 kv mesatarisht në vit të zbresë vitet e fundit në rreth 150 kv.Në këtë rezultat tëpër negativ ka influencuar edhe menyra se si vazhdojmë të sillemi me atë çfarë ka mbetur nga Drini , të cilën e shtjelluam pak më lart.

Me gjithe rastet negative të premendura më , lart kemi për fat akoma pasuri ujore të pa dëmtuara plotësisht .Bazuar në këtë analizë të shkurtër duhet të mendojmë se si të frenohet katastrofa e nisur e të hidhen bazat për një shfrytëzim shkencor e afatgjatë të kësaj pasurie.

ÇFARE  DUHET  BERE 

 

Mendoj se gjëja e parë që duhet të ndërmerret është një studim i plotë i të gjithë lumenjve ne te gjithë territorin e vendit.Kuptohet qe nje studim i tille duhet te behet nga specialist te peshkimit mbështëtur edhe nga specialist te fushave te tjera.Duhet synuar qe te njihet mire gjendja e iktiofaunes ne lumenjte kryesor te vendit tonë te cilet kane qënë ose mund të bëhen objekt të veprimtarisë së peshkimit.Me këtë rast duhet të analizohen në mënyrë të thelluar dëmet që janë bërë vendeve të riprodhimit dhe strehimit të peshkut në to.Nuk duhen lënë jashtë këtij studimi lumenjtë e vegjël që gjenden në të gjithë territorin e vendit , veçanërisht ato malorë.Disa lumenj fare të vegjël për nga dimensioni në zonat e Kolonjës-Gjirokastër ,Skraparit ,Pogradecit,Lumës e Kukësit si dhe Osumi ,Valbona, Cemi,Lumi i Shales dhe i Thethit duhet patjetër të merren nën kontroll.

Së dyti duhet të studiohen mirë nevojat që kanë këta lumenj për të rikthyer peshkimin e mirëfilltë në to me synim arritjen brenda një harku kohor sa më të shkurtër të nivelitë prodhimit të para viteve 90-të .Veçanërisht masa të rrepta duhet të merren kundër atyre që vazhdojnë të bëjnë shkelje të ligjeve në fuqi.

Nder masat e tjera mendoj se duhet përmendur shfrytëzimi më i mirë i lumenjve të vegjël malorë .Potenciali i tyre na bën të mendojmë që ato , në një kohë  relativisht të shkurtër , të kthehen në prodhues të sasive të konsiderueshme peshku ëte cilësive mesatare e të larte , si llojet e ndryshme të troftave malore etj.

Lumenjtë malorë , pothujse të virgjër deri para pak vitesh , në zbatim edhe të programeve ose strategjive për zhvillimin e turizmit malor , duhet të kthehen në vende tërheqes për turistët vendas e të huaj.Që të ralizohet kjo duhet të organizohet peshkimi sportiv si dhe gara të ndryshme ujore .Por që të zhvillohet peshkimi sportiv në lumenj duhet të ketë peshk.Që këtej lind nevoja e ripopullimit të tyre veçanerisht me troftë.Për fat të mirë në vitet e fundit janë ndertuar mbi 100 ekonomi të vogla të rritjes së troftës , pjesa më e madhe e të cilave është në zonat malore.Kështu që janë krijuar mundësi konkrete që disa prej tyre të prodhojne rasat troftë për ripopullim të këtyre ujrave.

Vende me turizëm malor të zhvilluar si Italia,Zvicra,Austia e Franca nuk e ndajnë për asnjë çast shfrytëzimin racional mbi lumenjtë e zonave të tyre malore.

Për lumenj si Buna duhet bërë propozim për ti dhënë status të veçante për arsye se është i vetmi lumë i lundrueshëm qe kemi dhe se aty ,për fatin tonë të mirë futen akoma specie në rrugen e zhdukjes siç është blini ,si dhe për arsyen më të thjështë e praktike se është lumi që furnizon liqenin e Shkodres me disa lloje peshqish .Gjithashtu nëpërmjet Bunës ngjten  lloje peshqish që bëjnë ose përgatiten për riprodhim në˝maternitetin ˝më të madh në Ballkan.Sqarojmë me këtë rast se një specie e veçante si blini është e mbrojtur edhe nga konventat ndërkomtare.Në fund , por jo e fundit për nga rëndësia mendojmë të theksojmë edhe një herë problemin e legjislacionit . Megjithë se edhe më lart u fol për këtë çeshtje disa gjëra duhet  të ndryshojnë ose plotësohen.

Së pari  –  Subjektet e ndryshme duhet të përgjigjen ligjërisht për dëmet që shkaktojnë në lumenj.Nuk mjafton vetëm të merret thjështë miratimi i njerëzve të peshkimit ,turizmit,ambientalisteve etj për marrje licensash për ndërtim hidrocentralesh por me ligj të përcaktohen detyrimet që subjekti ndërtues duhet të ketë për dëmet që i shkakton faunës e florës e mjedisit .Nuk mund të tolerohet më tej për shembull që në liqenin e Ohrit nuk arrin më asnjë individ ngjale e vogël që nga koha e ndërtimit të digës së parë mbi Drin . Mungesen e sasisë së të vegjëlve të ngjalës për popullimin e këtij liqeni duhet ta perballonte subjekti përfitues nga ndertimi hidrocentralit ose të gjëndeshin zgjidhje të tjera alternative.Vende fqinj , që nuk mund të krahasohen me ne as për nga potenciali e as për nga zhvillimi i peshkimit (Maqedonia e Mali i   Zi) janë më seriozë në zbatimin e masave për liqenin e Ohrit e të Shkodrës.Në veçanti për Ohrin pala Maqedonase kontribuon me një sasi modeste të vegjlish ngjale si dhe janë konstantë në riprodhimin e kontrolluar të koranit.Për ngjalën ndërmarrja qe ka shkaktuar ndryshime në rrjedhën e Drinit kontribuon me të vegjel ngjale (Hidrocentrali në Diber të Madhe).

Së dyti – Subjektet e ndryshëm privatë që zhvillojnë veprimtarinë e akuakulturës , të cilët shfrytezojnë ujrat e lumenjve për rritje peshku ose hedhin ujin e përdorur në lumenjtë e zonës duhet të kenë sanksione të forta për ruajtjen e mjedisit njëkohësisht duhet të kenë detyrime kontraktuale për ripopullimin e lumenjve sipas një plani të caktuar.Një praktikë e tillë ndiqet nga shumë vende të zhvilluara.

         Së treti – Ndryshimet në shtratin e lumenjve ,siç kemi theksuar edhe më lart , sjellin ndryshime negative të pashmangshme në grykëderdhjet e tyre në det.Ky është një problem shumë i madh i cili , pak ose aspak , është trajtuar në 30 – 40 vjetët e fundit.Për këtë arsye , dhe për dëmet e pallogaritëshme që mund të sjellin ndryshimet në grykëderdhjen e lumenjve për rezervat e peshqve kryesorë bregdetarë ,  duhet të ndërrmeret një studim i veçantë . Lloje të tilla si koca,levreku,gjuhëza,qefujt dhe disa lloje molusqesh mund të shkojnë drejt pakësimit drastik të prodhimit në rast se prishen zonat e riprodhimit e të strehimit në grykëderdhje të lumenjve.

Së katërti – Të percaktohet me ligj e të rregullohet me akte të tjera nënligjore rikthimi në gjendjen e mëparshme i shtretërve të lumenjve ose vetë lumenjve në rastet kur pësojne dëmtime të mëdha nga marrja e inerteve, deviacione të ndryshme ose zhdukjen e ndonjë dege të tyre.Këto masa , siç thamë dhe më sipër , duhet të përcaktohen para dhënies së licensës për shfrytezim ose ndërtim të veprave të rëndësishme që konsiderohen të domosdoshme.

Së pesti – Mbi bazën e studimeve që propozuam të kryhen , dhe konkluzioneve që dalin prej tyre , duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme në ligj dhe akte të tjera që dalin për zbatimin e tij.Bazuar në këtë mund të bëhen edhe ndryshime të tjera organizative që nga ministria deri në bazë. Qëllimi është që edhe për lumenjte dikush të pergjigjet për kontrollin  e shfrytëzimin e tyre në mënyrë që të  garantontohet një zhvillim i qendrueshem.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: