Posted by: ekolevizja | March 18, 2011

Globalizimi, ekonomia dhe mjedisi


» 18/03/2011 – 12:38

Mjedisi është trashëgimisht global , me jeten e ekosistemeve , ndotjen e ajrit , ujrat ndërkufitarë dhe një atmosferë që është e të gjithëve . Prandaj qeveritarët , politikanë vendimmarrës duhet jo vetëm të monitorojnë por dhe tju japin përgjigje çështjeve të mjedisit me një qeverisje vendore të lidhur e të koordinuar edhe me atë globale . Për më tepër që mjedisi është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin ekonomik . sepse , siç thotë një studjues , “ ekonomia është një wholly-owned subsidiary e ekologjisë .” . Pra e varur tërësisht prej mjedisit .

  GLOBALIZMI  , EKONOMIA  DHE  MJEDISI 

Nga A. DALIPI

Jo vetëm në në një rast, kur shoqëria civile dhe lëvizja ambjentaliste ka kritikuar projekte qeveritare që janë konsideruar të dëmshme për mjedisin shqiptar, kryeministri Berisha i ka akuzuar me gojën plot si antiglobalistë. Dhe kjo e thënë në mënyrën për tu kuptuar si antiperëndimorë, radikalë e kritizerë të pandreqshëm e në mënyrë të tërthortë edhe si kundërshtarë të zhvillimit. Sa lidhje ka kjo me globalizimin është tjetër punë. Por pse antiglobalizmi anatemohet kaq shumë ? Le t’i hedhim një sy.

Në vitet e fundit të shekullit të kaluar, para se atentatet terroriste në kullat binjake të World Trade Center dhe, si rrjedhojë, ndërhyrjet ushtarake në Afganistan e Irak, që sollën fillimin e periudhës “antiterroriste” që karakterizoi vitet e para të shekullit XXI, tema e preferuar që tërhiqte vëmendjen e të gjithëve në shoqërinë perëndimore, ishte globalizmi siç është sot kriza ekonomike e financiare. Pavarësisht se ato ngjarje vunë në dyshim edhe natyrën e këtij fenomeni duke ju dhënë pjesërisht të drejtë nga njera anë lëvizjeve kontestuese (No- Global ose New-Global ) e nga ana tjetër atyre, më të vonshëm, që mendojnë se po shteron misionin e tij, globalizmi, për shumë arsye, është një proces me të cilin duhet të mësohemi të bashkëjetojmë duke shfrytëzuar dhe përparësitë e tij.

Eshtë e qartë se, nga ky proces,  pak nga pak, edhe kufijtë kombëtarë po humbasin një pjesë të vlerës së tyre e njerëzit po lëvizin e do të lëvizin më lehtësisht duke e bërë çdo pjesë të botës të arritëshme. Europa e Bashkuar është formatimi zyrtar e ligjor i tij.

Por këtu duhet të marrim parasysh edhe konceptin e gjeneratave të reja që e shohin të ardhmen përherë e me më pak kufij e kufizime, mbi të gjitha nga pikëpamja kulturore. Nga njera anë globalizmi duhet të sillte avantazhe për vendet më të varfra për të reduktuar hendekun që i ndan nga vendet me ekonomi të zhvilluar. Këtë e tregon edhe rritja e dukëshme e disa vendeve aziatike ku në radhë të parë qëndrojnë Kina, Taivani apo Koreja e Jugut ku investimet e huaja u rritën nga 202 miliardë dollarë në 1990, në gati 2000 miliardë sot sipas të dhënave të FMN.

Megjithatë dominimi i tregut botëror është në duart e treshes SHBA, Europë e Japoni që shumicën e investimeve i kanë përqëndruar në disa hapësira të caktuara të planetit që u japin fitime më të mëdha e më të shpejta e duke lënë hapësira të tjera, në vend të parë Afrikën, pavarësisht problemeve të mëdha ekonomike të zhvillimit. Kështu që, në pikëpamje globale, sipas shumë analistëve, procesi nuk po arriti atë për të cilën po përdoret : zhvillimin global, d.th.th për të gjithë. Disa vende e rajone u zhvilluan e disa të tjera jo. Në zona të mëdha e të varfra ( shembulli i parë është përherë Afrika ) pati një rënie të çmimeve të lëndëve të para gjë që solli dhe reduktim të zhvillimit që, së bashku me konfliktet, keqmenaxhimin dhe pasojat ekologjike, ka çuar miliona njerëz në një uri pothuaj të përherëshme.

Nga ana tjetër zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë që u konkretizua nga fundi i viteve 1990 e në vazhdim luajti një rol parësor për ta bërë më të kapshëm globalizimin. Mundësia e mjeteve të aksesit në informim, informacion satelitar, fibrat optike, e rrjeti i internetit po shpien në një integrim individët, sipërmarrjet, kombet e teknologjionë të ndërveprojnë përherë e më tepër në mënyrë më të efektshme, më të shpejtë dhe më përfituese se në të kaluarën. Pra në një fazë të re ekonomike e sociale, pikërisht globale.

Globalizmi nuk është gjë tjetër veç se ekonomi liberale që po përhapet me shpejtësi dhe liberalizmi është ai që Alexis de Tocqueville në 1832 e quante në librin e tij “ Demokracia në Amerikë “ – vendi i njerëzve të lirë 2). Në këtë erë të re të gjithë po përpiqen të përfitojnë. Nga njera anë, me dëshirën e tërheqjes së kapitaleve dhe përparësive relative që sjellin në zhvillimin e vendeve të tyre, shumë shtete kanë adoptuar politika neoliberale që u kanë dhënë tregjeve dhe sipërmarrjeve të mëdha rolin e protagonistit në zhvillimin rajonal e botëror. Kësaj i ka shërbyer edhe politika e qeverisë sonë me zonat e lira, politikat për lehtësi fiskale apo me të famshmen “ Shqipëria 1 euro “ e cila konsiderohet si një përpjekje për të realizuar një prej premtimeve më të rëndësishme elektorale, atë për rritjen e investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri.

Pasojat e globalizmit nuk kanë vonuar të ndjehen edhe në plane të tjera, në radhë të parë në atë mjedisor. Mallrat, kapitalet, njerëzit, idetë por dhe ndotjet e rreziqet ekologjike lëvizin në gjithë botën me shpejtësi gjithmonë e më të madhe e përherë në rritje. Prandaj është pikërisht globalizmi që ka sjellë dimensione ndërkombëtare edhe për problemet mjedisore.

Sistemi i sotëm i tregut, i përqëndruar në logjikën e kapitalit, po operon kryesisht duke ju bërë bisht llogaritjes e marrjes parasysh të kostove sociale e mjedisore të veprimtarisë ekonomike dhe jep një “kontribut” që nuk po ndalet në degradimin mjedisor. Janë të gjithë në një mendje se modeli aktual i zhvillimit, ka sjellë një shfrytëzim të stërmadh të burimeve, konsum po të tillë të energjisë, një superprodhim të të mbetjeve dhe ndotje të tillë sa e bëjnë bilancin e efekteve mjediore të globalizmit ekonomik vazhdimisht me humbje.1)

Përdorimi i burimeve natyrore, jashtë parimeve të arsyes e të kujdesit kanë sjellë efekte alarmante në mjedis. Këtë e tregojnë faktet që nga kriza energjetike, te kriza klimatike, hidrike, bujqësore, e shpyllëzimit e deri te shkretëzimi i sipërfaqeve të mëdha në planet. Pikërisht për këto motive, në vitet e fundit, sidomos pas koNferencës së Kyotos, pasojat direkte të globaliuzmit në cilësinë e mjedisit, janë bërë objekt i shumë diskutimeve në rang rajonal e botëror.

Aspekti më preokupant i kësaj situate qëndron në atë që është quajtur dhe “ eksporti i të keqes “, një tendencë që vazhdon të rritet. Në krye të listës qëndron “migrimi” i proceseve prodhuese drejt zonave e vendeve në të cilat, përvec kostos së ulët të lëndëve të para apo krahut të punës, janë të pamjaftueshme apo inegzistente kontrollet apo masat e mbrojtjes mjedisore. Eshtë fakt që vendet e zhvilluara arrijnë ta transferojnë teknologjinë e vjetër apo ndotëse me gjithë pasojat : rrezikun, ndotjen e mjedisit dhe mbeturinat e prodhimit. Kështu, përveç se përfitojnë kursime në koston e prodhimit ose të shfrytëzimit më të gjatë të makinerive të amortizuara apo jashtë normave të vendeve perëndimore,marrin dhe pozicionin e “mirëbërësit” në zhvillimin e këtyre vendeve. E vërteta është se, për fat të keq, në shumë vende kanë bërë që kushtet e jetësë e të mjedisit janë përkeqësuar.

Pa vënë në dyshim ndihmën e vërtetë ndërkombëtare që ka kontribuar, pas viteve 90-të tek ne kemi dhe pjesën tonë si Petrolifera apo Enelin që u përpoq të sillte investimet por dhe ndotjen nga qymyri me tecin e porto Romanos. Kësaj i mbivendoset dhe një veprim më pak “fisnik”, eksporti i mbetjeve për tu depozituar apo “përpunuar” në vendet e varfra me gjithë pasojat e tyre mjedisore. Mund të përmendim projektin që u përfol disa vjet më parë për sjelljen e plehrave e për tu depozituar në Shqipëri nga fqinjët italianë që nuk e kanë zgjidhur edhe sot problemin e tyre, megjithë sanksionet e vendosura nga BE por dhe ligjin e ri për importin e mbetjeve për riciklim kur mbetjet tona të padiferencuara na kanë zënë frymën  e janë kthyer në një problem akut e që kërkon zgjidhje më të shpejtë se ritmi i qeverisë në menaxhimin e tyre.

Në se në vendet e zhvilluara kjo sjell pakësimin e ndotjes dhe mjedisi po rikuperon  funksionet e tij, por në vendet në zhvillim emetimet ndotëse të industrisë po rriten me shpejtësi duke kaluar  edhe normën e rritjes ekonomike e përfitimet prej saj. Në mënyrë të veçantë impakti ndotës është vërejtur në burimet ujore : në vendet e varfra ndryshimi i kushteve ekologjike kanë njohur rritje në dekadat e fundit. Ne vendin tonë, pavarësisht se e keqja nuk na ka ardhur e gjitha nga jashtë, mund të përmenden mbushja e lumejve me plastikë , ndotja e lumejve me mbeturinat e përpunimit apo të nxjerrjes së naftës etj… Nuk ka nevojë të përmendet për këtë ndikimi shëndetësor i këtyre ujrave të ndotura që ju shtohen edhe shkarkimet e dëmshme te plehrave kimike nga bujqësia. Për të mos folur pastaj për ndotjen nga detergjentët që përdor çdo familje e për të cilat ne nuk kemi asnjë të dhënë apo analizë.

Në dhjetë vjeçarin e fundit debati mbi globalizmin , mjedisin dhe sigurimin e ushqimit ka bërë që të rritet ndërgjegjësimi publik , por dhe i politikës , mbi zhvillimin e qëndrueshëm të planetit . Kjo veç anës ekonomike sjell dhe ruajtjen e mbrojtjen e mjedisit .

Vrima e ozonit , efektet serrë , shpyllëzimi dhe shkretërizimi , humbjet në sistemet ujore e në biodiversitet etj.. janë disa nga çregullimet e ekosistemit botëror që , me kalimin e viteve , janë kthyer në emergjenca të vërteta mjedisore .  Cilësia e jetës në mbarë botën , e tashmja e aq më tepër e ardhmja , është kompromentuar së tepërmi megjithë se ka rreth njëzet vjet që flitet për zhvillim të qëndrueshëm , koncept që filloi të diskutohej e diskutohet vazhdimisht që nga konferenca e Rio de Zhaneiros mbi mjedisin dhe zhvillimin dhe që është përcaktua si “ një zhvillim që i përgjigjet nevojave të të tashmes pa kompromentuar mundësitë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre Kommision Bruntland, 1987 – UNCED); “ rritja e cilësisë së jetesës duke mbajtur Brenda kufijve kapacitetet e ngarkesës së ekosistemeve nga të cilar është e ndërvarur “  (Rapporti “Caring for the Earth”, 1991 – UNEP, IUCN, ËËF); “ një zhvillim që ofron shërbimet bazë mjedisore , sociale e ekonomike gjithë antarëve të komunitetit pa kërcënuar veprimtarinë e sistemit natyror nga i cili varet furnizimi me këto shërbimë “ ( International Council for Local Environmental Initiatives, 1994).

Pra që në Rio OKB-ja zyrtarizoi bashkimin e dy elementëve të rëndësishëm :  së pari kërkesën për një zhvillim që respekton mjedisin dhe mbetet në kufijtë e mundësive për rigjenerimin e ekosistemeve e së dyti ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj brezave të ardhshëm në shfrytëziin e burimeve natyore . Kështu edhe ekonomisë tradicionale ju shtua , veç parametrave klasikë të punëse kapitalit të prodhuar nga njeriu edhe një parametër i tretë , ai i kapitalit natyror . Ky kapital përmbledh së bashku të gjitha sistemet natyrore ( detet , lumenjtë , liqenet , pyjet , flën , faunën etj.. ) që prodhimet bujqësore kërkojnë për të prodhuar ushqimin .

   Impaktet e ardhura edhe si pasojë e globalizimit të ekonomisë lidhen me shumë aspekte . Lëvizjet demografike të mëdha u kryen drejt qyteteve  ku , zhvillimi industrial , sidomos ai ndotës që u eksportua e vazhdon të eksportohet nga vendet e zhvilluara drejt atyre të varfra e në zhvillim solli edhe dëmtime mjedisore . Në qendrat urbane e rajonet industriale u zunë tokat e bukës dhe u shtua ndotja nga mbetjet industriale që shkaktuan rritje të sëmundshmërisë tek njerëzit , ndotjen e mjedisit , uljen e prodhimtarisë bujqësore dhe ndryshime pothuaj të pakthyeshme në ekosistemet . Këto pasoja i kanë ndjerë dukshëm edhe qytetet tona .

   Pjesa më e madhe e efekteve në shëndet e mjedis vjen nga ujrat e ndotura që po bëhen përherë e më tepar alarmante sepse po hyjnë çdo ditë e më tepër në zinxhirin ushqimor ( kafshët që kullosin në zona të infektuara apo bimët ushqimore që rriten në këto zona ) . Hyrja në ushqime e lëndëve të tilla si mërkuri , kadmiumi por dhe arseniku , plumbi , benzene e kromi është në rritje . Këtu duhen shtuar dhe lëndët kimike që përdoren në bujqësinë intensive dhe dëmi i tyre është i njohur .

Eshtë shtuar impakti i proceseve të acidifikimit dhe eutrofizimit , normalisht të lidhura dhe këto me bujqësinë intensive . Rritja e mirëqënies në vendet e zhvilluara kërkon më tepër produkte e si rrjedhojë këto nevoja plotësohen me importin nga vendet e varfra që shoqërohet me shfrytëzim më të madh e jashtë normave të territoreve  të tyre duke varfëruar mjedisin dhe burimet e tyre natyrore . Për shembell në shtetet e BE-së mishi që konsumohet vjen nga tregu i brendshëm vetëm në 20% e pjesa tjetër importohet .

Një problem i cili ka kohë që ka lindur  është edhe problemi i hormoneve në ushqime  ku kundërshtarë kryesorë u bënë , që nga fundi i viteve 90-të , SHBA dhe BE. E nxitur nga opinioni publik rreth efekteve të mundshme të OMGJ-ve në shëndet dhe mjedis BE miratoi në 1998 një rregullore që parashikonte etiketimin e prodhimeve që përmbanin sojë dhe misër , ku të deklarohej detyrimisht prezenca e tyre . Një sasi e madhe e prodhimeve me origjinë nga SHBA ( sidomos mielli e ushqimet e ngrira ) përmbajnë OMGJ dhe sipërmarrjet amerikane e ndjenë menjëherë këtë gjë duke pësuar humbje por që favorizoi ato europiane . Kjo u shty më tej me moratoriumin për OMGJ vendosur nga ministrat e Mjedisit të BE-së. Kjo gjë ndodhi edhe me mishin “ me hormone” që SHBA e ngrenë si shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregëtisë .

Viktima e parë e kësaj “lufte” tregëtare u bë Protokolli mbi “ biosigurinë “ në kuadrin e konventës të Biodiversitetit të OKB-së që duhej të vinte në fuqi që shkurt të 1999. Negociatorët , në bisedime për disa vjet , kërkonin të vihej në veprim një sistem ku secili vend të vendoste me parapëlqim për farat dhe prodhimet nga inxhinjeria gjenetike . Por gjashtë nga vendet me eksportin më të madh botëror , Argjentina, Australia, Kanadaja , Kili , SHBA dhe Uruguaj , refuzuan marrëveshjen . Arsyeja ishte se binte ndesh me rregullat e OBT-së. Po ta shikosh pak më “tejtudkshëm” këtë fakt del se OBT detyron shtetet dhe bashkësinë ndërkombëtare ti bëjnë ligjet edhe sipas rregullave të saj . Që athere negociatat nuk kanë arritur ndonjë gjë të madhe . Vitet e fundit problemi i OGJM-ve kalon , edhe brenda OBT-së , sa nga një komision te tjetri pavarësisht se SHBA e Kanadaja kërkojnë me ngulm që të vihet në rendin e ditës .

Në Shqipëri kemi pak ose aspak dijeni e informacion mbi këtë problem . Dhe i vetmi informacion që gjetëm mbi problemin ishte një shkrim , në faqen e internetit të Ministrisë së Bujqësisë , që më tepër se sa te sqaronte , ngrinte te pazgjidhur dilemën – OGJM-të janë armiq apo miq . Pavarësisht nga “zhurma “ që u bë , përgjithësisht nga shoqëria civile , rastet që “dalin mbi ujë “ nuk janë pak . Janë prodhuar domate monstra apo misër që nuk prodhon ku u gjet edhe importuesi i farave . Po ashtu sivjet u përfol që fermerët përdorin hormone për nxitjen e pjekjes para kohe të perimeve . Mishin që importohet dhe sallamet i dimë gati-gati si prodhime bio por askush nuk mund ta verë dorën në zjarr për këtë .. .Dhe keto nuk jane te vetmet probleme .

Globalizimi ka shkaktuar nje stres të madh në qeverisjen globale me shkrirjen në  kohë dhe hapesirë të problemeve . Natyra globale e mjedisit kërkon , sot më tepër se njdonjëherë , një qeverisje mjedisore globale dhe një infrastrukturë botërore (  marrëveshje ndërkombetare ) dhe vendore më të efektshme dhe , sidomos me fuqi ekzekutive . Sepse shumë nga problemet e sotme , globale e vendore , merren në shqyrtim por pa gjetur zgjidhje për shumë arsye . Që nga mungesa e vullnetit , politikat afatshkurtra dhe në shërbim të premtimeve elektorale e deri te pasojat e krizës finaciare , kryesisht në vendet në zhvillim .

Mjedisi është trashëgimisht global , me jeten e ekosistemeve , ndotjen e ajrit , ujrat ndërkufitarë dhe një atmosferë që është e të gjithëve . Prandaj qeveritarët , politikanë vendimmarrës duhet jo vetëm të monitorojnë por dhe tju japin përgjigje  çështjeve të mjedisit me një qeverisje vendore të lidhur e të koordinuar edhe me atë globale . Për më tepër që mjedisi është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin ekonomik . sepse , siç thotë një studjues , “ ekonomia është një wholly-owned subsidiary e ekologjisë .” . Pra e varur tërësisht prej mjedisit .

_________

1) – WORLDWATCH –Status of the World – 2010-2011

2) – IMF-World Economic Outlook Database.

3)- Alexis de Tocqueville dhe Gustave de Beaumont, “Democracy in America”, Project Gutenberg, 1995.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

%d bloggers like this: