Posted by: ekolevizja | June 8, 2012

Per menaxhimin e integruar te lumenjve ne Shqiperi

Tavolina e rrumbullaket mbi HEC-et_qershor 2012

Qendra e Grupimit “Ekolëvizja” organizoi një tavolinë të rrubullakët për diskutimin e menaxhimit të qëndrueshëm të lumenjve në vendin tonë dhe efektet mjedisore që ka sjellë shfrytëzimi i tyre . Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit  “Menaxhimi i qëndrueshëm i lumenjve “ mbështetur nga SOROS dhe vënë në jetë nga grupimi Ekolëvizja . Merrnin pjesë përfaqësues nga shoqatat e grupimit Ekolëvizja , ambjentalistë , përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit , ekspertë etj..

Në këtë veprimtari u paraqitën studimet “Situata aktuale e HEC-eve te vegjel “ nga Aheron Hizmo ( GIZ Open Regional Funds Energy Efficiency) ; “ Hidrocentralet në Shqipëri dhe risqet që sjellin ato në rrjetin hidrologjik kombëtar “ nga Zamir Dedej , Instituti i ruajtjes së natyrës

; “ Reforma institucionale në sektorin e ujit “ nga Halit Kamberi , ekspert i pavarur , “Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore dhe Ruajtja e Natyrës “ përgatitur nga Pranvera Bekteshi , PPNEA .

Një ndër prioritetet e qeverisë është që të investojë në projekte energjitike për të plotësuar kërkesat në rritje për energji. Psh. në “Strategjinë Kombëtare Për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013” përfshihet synimi i qeverisë që të rrisë kapacitetet e prodhimit vendas të energjisë me synim plotësimin e kërkesës agregate për energji, me një kosto sa më të ulët dhe me ndikim sa më minimal në mjedis.

Në prezantimin “Situata aktuale e HEC-eve të vegjël “ , specialisti  i projektit rajonal të GIZ për efiçencën energjitike, z. Aheron Himzo dha një tablo të gjendjes aktuale dhe asaj të pritshme të investimeve në hidrocentrale. Kështu, nga 7 hidrocentralet më të mëdhenj, në periudhën 2005-2011 është prodhuar mesatarisht 4600 gëh energji elektrike çdo vit. Kurse hidrocentralet e vegjël dhe privatë kanë prodhuar energji elektrike në rritje gjatë viteve, ku në vitin 2011 prodhimi i 83 hidrocentralëve të vegjël ka qenë 95 GËh. Ai theksoi se nga viti 2007 deri 2011 janë paraqitur në ERE 230 projekt-propozime për ndërtim HEC-ësh. Ndërkohë janë dhënë kontrata koncesionare për 120 HEC-e, me një kapacitet total të projektuar prej 1740 mË. Në lumin Vjosë pritet të ndërtohen 9 hidrocentrale; gjithashtu do të ndërtohen hidrocentrale në lumin Devoll, Drin etj.

Prodhimi i energjisë nga hidrocentralet ka disa anë pozitive si pakësimi i emetimeve të gazrave serrë; i pluhurave; i substancave acide; raporti i lartë i vetëshlyerjes energjitike; rritja e pavarësisë energjitike. 1 Gëh energji e prodhuar nga hidrocentralet shmang emetimin e 480 tonë CO2 në atmosferë. Por kjo strategji zhvillimi do të ketë efektet e veta negative në mjedis, të cilat megjithëse jo aq të theksuara sa në rastin e burimeve të tjera energjitike, kanë peshën e tyre dhe duhen marrë në konsiderate përpara vendimmarrjes për projekte të veçanta . Dhe ndikimi i hidrocentraleve në mjedis varet dhe nga teknologjia e përdorur , hidrocentrale me derivacion që ka dhe një ndikim më të vogël mjedisor dhe me digë që kanë një ndikim më të madh sepse përmbytje , shpyllëzime etj . Si masa që mund të merren kundër efekteve negative mjedisore z. Himzo përmendi krijimin e rrugëkalimeve për peshqit; përdorimin e turbinave që nuk dëmtojnë peshqit; lënien e rrjedhave të posaçme për ruajtjen e biodiversitetit; teknika për pakësimin e zhurmave si dhe përdorimin e bioinxhinjerisë .

Z. Zamir Dedej i Institutit të Ruajtjes së Natyrës në Shqipëri , në paraqitjen e studimit “ Hidrocentralet në Shqipëri dhe risqet që sjellin ato në rrjetin hidrologjik kombëtar “

ngriti disa problematika si : rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike ka shumë humbje dhe mund të jetë më efiçent të pakësojmë humbjet në rrjetin e shpërndarjes se sa të ndërtojmë HEC-e të reja ; niveli i vlerësimeve të ndikimit në mjedis dhe i vlerësimeve strategjike mjedisore është shpesh herë i ulët e jashtë standartit, megjithë kuadrin ligjor në fuqi ; ka një mungesë të theksuar të transparencës në proçesin e liçencimit e të ndërtimit të HEC-eve ; kapacitetet institucionale janë të pamjaftueshme për të përballuar sfidën e zgjerimit të madh të potencialit hidroenergjitik , ekspertizat e dikasterit kanë një rënie të nivelit të tyre dhe si në komunitetet dhe tek vendimmarrësit ka një po ashtu niveli të pamjaftueshëm të ndërgjegjësimit dhe informimit për qëndrueshmërinë e këtyre investimeve. Ai vuri në dukje , për shkak të investimeve të mëdha financiare në këtë fushë edhe mundësinë e fenomenit të shfaqjes së korrupsionit .

Z. Dedej u ndal gjithashtu në faktin se në krahasim me strategjitë që ndjekin shtetet e tjera të rajonit, vihet re që në kornizat tona institucionale mbizotërojnë shkolla të mendimit dhe projekte “të vjetra”. Preferohen projektet e mëdhaja , si më të lehta për tu menaxhuar . Ai e shikon si pozitiv faktin që ato projekte që do të kryhen me kredi nga institucione europiane në kuadrin e asocimit në BE sepse mund të jenë më të monitoruara dhe aty ndikimi i shoqatave mjedisore mund të jetë më i madh . Ai informoi për planet e WWF-së për të krijuar një grup ndërinstitucional rajonal ekspertësh të cilët do të studiojnë ndikimin e hidrocentraleve në mjedis por kërkoi edhe një aktivizim më të madh të shoqatave, si psh. të jenë pjesë aktive e vlerësimit të ndikimit në mjedis; të analizojnë planet e ndërtimit të hidrocentraleve; të shkëmbejnë aktivisht informacione dhe të rrisin kapacitetet.

Eksperti i pavarur Halit Kamberi në prezantimin e tij theksoi nevojën e një ristrukturimi të menaxhimi të integruar të ujërave sepse aktualisht ka 8 ministri dhe 10 ligje që merren me këtë problem , çka sjell paqartësi në përcaktimin e prioriteve , përgjegjësive , mbivendosje kompetencash dhe si përfundim menaxhim jo të mirë të ujërave . Ai theksoi se , megjithë investimet e konsiderueshme në sistemet e ujitjes dhe sistemet e ujësjellës-kanalizimeve në 20 vitet e fundit, menaxhimi i ujërave është jo optimal dhe nuk janë arritur rezultatet e dëshiruara.

Sipas tij duhet të ketë një strategji të re kombëtare për menaxhimin e integruar të pasurive ujore. Kjo duhet realizuar dhe në zbatim të angazhimeve të ndërmarra në kuadër të MSA. Synimi të jetë përafrimi i standardeve të menaxhimit të integruar të ujërave, përafrimi gradualisht i legjislacionit tonë me direktivat kuadër dhe standardet e Bashkimit Europian.

Z. Kamberi dha idenë se strategjia e re e menaxhimit të integruar të ujërave duhet të shoqërohet me reformë institucionale për një administrim të centralizuar të pasurive ujore që duhet të bazohet në ligjin për menaxhimin e integruar të ujërave, në një plan kombëtar për menaxhimin e ujit, si dhe në plane menaxhimi të baseneve ujëmbledhëse. Këto do të mundësojnë që Shqipëria të përmbushë objektivat e Direktivës Kuadër të Ujit të BE-së  dhë Strategjisë Mesdhetare të Ujit që menaxhimi i integruar dhe reforma institucionale të sigurojnë ruajtjen, zhvillimin dhe shfrytëzimin racional të rezervave ujore; zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik; ruajtjen e mjedisit.

Edhe në prezantimin e Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), u theksua nevoja e një menaxhimi të integruar të ujërave, ku të ndërthuret nevoja e zhvillimit të ekonomisë dhe ajo e ruajtjes së mjedisit . Sipas PPNEA situata është krejtësisht kaotike dhe ky kaos duhet rikonceptuar dhe orientuar drejt standarteve të shëndosha .Menaxhimi duhet kryer në nivel baseni ujëmbledhës dhe duhet të udhëhiqet nha maksimalizimi ekonomik dhe social i të përfitimeve nga lumenjtë pa pasoja në mjedis ose më një minimum pasojash të tilla . Dhe kjo përmes një procesi që do të nxisë zhvillimin e kordinuar dhe menaxhimin e të gjithë pellgut ujëmbledhës duke përfshirë natyrën dhe vetë përdoruesit e saj sepse kështu sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm pa sakrifica të skajshme ekonomike dhe shoqërore . Pra, është e nevojshme që edhe shoqëria të bashkëpunojë si një e tërë menaxherë, palë të interesuara, shkencëtarë etj…

Edhe nga pjesëmarrësit u diskutuan shqetësimet e tyre mbi pasojat negative që po pësojnë lumenjtë tanë . Nga disa prej tyre u ngrit problemi i mungesës së specialistëve dhe aksesit ndaj informacionit, që shoqatat të kenë mundësi të përcaktojnë me saktësi nivelin e ndikimit në mjedis të projekteve të reja.

Prof. Sherif Lushaj u ndal në pasojat e erozionit në lumenjtë duke dhënë shembullin e Vjosës ku në çdo metër linear të saj humbet 1.5 ton tokë çdo vit . Shtrati i këtij lumi , sidomos pas urës së Mifolit ka një nivel shumë të lartë gërryerje dhe në kilometrat e fundit para derdhjes në det , nga ndotja , është bërë i papërshtatshëm edhe për vaditje .

Ai ngriti dhe problemin e shkatërrimit në masë të veprave hidrike që kanë sjellë shpesh pasoja të mëdha në përmbytje , erozion etj..Po ashtu edhe faktin që , megjithëse merren vendime për menaxhimin e qëndrueshëm të lumenjve , ato nuk gjejnë zbatim duke sjellë pasoja , shpesh edhe të pariparueshme në pakësimin e biodiversitetit të lumenjve , të peshkut; erozionin , humbjen e tokave bregdetare për shkak të pakësimit të sjelljeve të lumenjve , humbjen e tokave bujqësore ndryshimet e peisazhit etj.

Eksperti Mehmet Metaj dha mendimin se duhet që shoqëria civile të bëjë një oponencë më të fortë ndaj vendimmarrësve duke angazhuar edhe grupe ekspertësh . Po ashtu dha mendimin për tu përqëndruar tek projektet energjetike në përgjithësi e në veçanti në lumin Vjosë , i cili është i vetmi lumë që nuk është prekure nga projektet e enrgjisë . Po ashtu theksoi edhe përpilimin e një strategjie të organizatave mjedisore për këtë qëllim .

Z. Skënder Hasa nga drejtoria e Ujërave në MMPAU , pasi vlerësoi qëllimin dhe arritjet e takimeve të tilla vuri në dukje punën që bëhet në drejtim të kuadrit ligjor për menaxhimin e burimeve ujore ku po bëhet dhe kligji i ri . Po ashtu po përpilohen dhe planet e menaxhimit të baseneve ujore ku , si dokument bazë parashikohet dhe mënyra e monitorimit të tyre . Ai tha se , në projektet e hec-eve mungojnë planet e menaxhimit që duhet të kërkojë studimet paraprake e që duhet të kushtëzojë sasinë ujit të përdorur , ujin e pijshëm , atë për vaditje etj..Ai gjithashtu u shpreh se “babëzisë për të ndërtuar sa më shumë duhet t’i kundërvihen edhe shoqatat edhe ministria “ dhe se , ndërsa për lumenjtë e tjerë janë dhënë lejet për ndërtime hec-esh , për Vjosën ka ende kohë për të ndërhyrë .

Znj. Entela Pinguli (Shoqata e Biologëve të Shqipërisë ) , pjesëmarrëse në projekt , u ndal tek roli i organizatave për ndërgjegjësimin e komunitetit dhe se integrimi duhet kuptuar edhe si integrim i tij . Kontratat për ndërtimin e hec-eve janë të sakta por nuk është kështu se si duhen monitoruar ato dhe çfarë roli ka e duhet të lozë pushteti vendor dhe organizatat e shoqërisë civile në këtë drejtim . “Këtu u fol më shumë nga ana teknike “ , tha ajo , “ po duhet të përqëbdrohemi më tepër në atë se çfarë mund të bëjmë ne për të ndikuar në ndërgjegjësimin e komunitetit por dhe tek biznesi . Duhet ta adresojmë edhe biznesin në pasojat mjedisore të këtyre investimeve “ .

Nga gjithë pjesëmarrsit u tha se shoqatat ambjentaliste nuk janë në dijeni të realizimit të ndonjë vlerësimi strategjik mjedisor për hidrocentralet e reja psh. në Drin , në Vjosë etj. Ky vlerësim do të duhej studionte situatën aktuale të ekosistemeve të lumenjve dhe përrenjve të vendit; të bënte një parashikim të pasojave të ndërtimit të HEC-eve mbi to dhe do të përvijëzonte masat për tu marrë për zbutjen sa më të madhe të efekteve të tyre negative.

Në përfundim të takimit organizatat e Grupimit Ekolevizja dhe pjesemarresit e tjere ranë dakort ti drejtohen institucioneve të larta shtetërore me kërkesë për kryerjen e vlerësimit mjedisor të strategjisë energjitike të ndërtimit të HEC-eve, veçanërisht për HEC-et e planifikuara të ngrihen mbi Vjosë e në përgjithësi për menaxhimin e integruar të lumenjve e burimeve të tjera ujore të vendit tonë .

About these ads

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Categories

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 2,064 other followers

%d bloggers like this: